“Deputeti që duam” cilësohet fushata e re e PS-së duke ftuar të rinjtë të aplikojnë për kandidatë për deputetë, por nuk është e qartë se si do të përzgjidhen emrat e tyre në listën përfundimtare.
Të rrjeshtuar në ballë të impantit të inceneratorit të Elbasanit, për të cilin akuzohet për aferë korruptive, kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste ka hapur dyert për të rinjtë që duan të kandidojnë për deputetë. Ai ka pranuar se skuadra aktuale ka nevojë për rifreskim duke u bërë apel të rinjve që të afrohen pranë kësaj partie.
“Kemi njerëz që janë vetkënaqur që mendojnë se ska si ata, ndaj na duhet një rifreskim i skuadrës tonë”- pranoi kryesocialisti. Kryesocialisti e cilësoi ripërtëritje të partisë krijimin e një portali online ku çdokush mund të aplikojë për t’u futur në listën e kandidatëve të rinj që kjo parti do të paraqesë në zgjedhjet e vitit 2021.
Pas 8 vitesh në pushtet socialistët kanë ndjerë nevojën që të krijojnë mekanizma të rinj për të afruar pranë vetes emra të rinj, ose për të krijuar imazhin e hapjes së dyerve. “Disa dhjetra aplikantë kanë dërguar videot e tyre dhe arsyet e tyre se pse duan të përfshihen në këtë proces dhe si mendojnë se mund të jenë një vlerë e shtuar në këtë forcë politike”– tha Rama.
Ai shtoi se “PS është forca më e madhe politike dhe e ka pasur në ADN e vet prirjen për t’u vetpërtërirë dhe sot është përsëri në të njëjtën sfidë”. Rama tha se kjo është një sfidim i vetes duke sulmuar opozitën se nuk ka dalë nga guacka e militantizmit.
Tentativat për hapjen e partisë vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të reja vjen pasi partia kundërshtare në opozitë, Partia Demokratike, zhvilloi një proces të gjatë përzgjedhjeje dhe votimi brenda anëtarësisë të listës së kandidatëve për deputetë, duke sjellë para votuesve një listë publike të figurave që pritet të përfaqësojnë këtë parti në zgjedhje.
Duke komentuar këto zgjedhje në PD, Rama tha se ajo ishte një lojë, ndërsa u premtoi atyre që aplikojnë për PS-në se edhe nëse sdo e kenë emrin në listën e kandidatëve, ata do të jenë aty si një investim i PS-së, si një ekip për “ripërtëritjen tjetër gjeneracionale që i duhet PS-së”. PS nis këtë hapje në një kohë kur ka anulluar zgjedhjet brenda vetes, duke mos rizgjedhur kryesinë e re dhe pse i ka mbaruar mandati që në pranverë. Duke inkurajuar të rinjtë që të bëhen pjesë e kësaj hapje ai tha se nuk ka rëndësi nëse janë apo jo anëtarë të PS-së dhe solli shembullin e tij duke u shprehur se “nuk e kisha menduar se do isha anëtar partie dhe jam ku jam sot”.