Doktoresha Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, në një intervistë për “Mapo”, shpjegon problemet që dëmtojnë veshin e brendshëm, shkaqet dhe trajtimi përkatës
Marrje mendsh, zhurmë në vesh, ulje të dëgjimit, humbje të ekuilibrit, të vjella e nauze, këto janë disa nga shenjat që paralajmërojnë për probleme të veshit të brendshëm. Një ankesë e shpeshtë që e dëgjon kryesisht te moshat e mesme dhe të moshuarit, por që në fakt prej saj rrezikohen të gjithë. Doktoreshë Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, në një intervistë për “Mapo”, shpjegon se këto shenja janë serioze dhe kurrsesi nuk duhen neglizhuar, dhe se një vizitë mjekësore me mjekun ORL është e domosdoshme për të bërë një diagnozë të mirë, diferenciale me sëmundje të tjera të cilat mund të shfaqen me këto shenja. Sipas mjekes në rast mos mjekimi në kohë apo mjekimi të gabuar, të sëmurët rrezikojnë sëmundje dëgjimi e deri te sëmundje më të rënda.
Njerëzit ankohen shpesh se vuajnë nga veshi i mesëm, përse ndodh kjo dhe si mund ta kuptojmë se vuajmë nga ky problem?
Në punën tonë të përditshme me pacientët tanë shumë shpesh dëgjojmë pyetjen: Doktoresha a kam unë veshin e mesit????? Ky është një term i gabuar i cili ndonjëherë artikulohet jo vetëm nga pacientët, por edhe nga mjekët. Patologjitë e pacientëve tanë që shoqërohen me marrje mendsh, zhurmë në vesh, ulje të dëgjimit, humbje të ekuilibrit, të vjella, nauze etj., janë probleme të veshit të brendshëm dhe jo të veshit të mesëm. Veshi i brendshëm është kompartimenti i tretë, në të cilin e ndajmë veshin për lehtësi studimi. Në të janë të përqendruar dy organe ai i dëgjimit, që është kërmilli dhe ai i ekuilibrit ose kanalet gjysmërrethore dhe vestibulumi. Veshi për lehtësi studimi ndahet në 3 pjesë: veshi i jashtëm, që është i përbërë nga aurikula apo llapa e veshit dhe kanali i jashtëm i dëgjimit, veshi i mesëm i përbërë nga daullja e veshit ose membrane timpanike dhe kaviteti timpanik dhe veshi i brendshëm. Sëmundja e veshit të brendshëm prek të dyja organet, si ai i dëgjimit dhe shoqërohet me ulje të dëgjimit edhe ai i ekuilibrit dhe shoqërohet me marrje mendsh, të vjella, nauze, rënie tensioni etj. Ndonjëherë kjo sëmundje mund të jetë selektive, pra prek ose vetëm dëgjimin ose vetëm ekuilibrin. Patologji të tjera që mund të shoqërohen me marrje mendsh, janë ato kardiake me krizën hipertensive, diabetikët me nivelin e sheqerit të pastabilizuar, problemet cervikale dhe spondiloartrozat e shtyllës kurrizore, astma bronkiale dhe problemet alergjike, arterioskleroza dhe dislipidemitë e ndryshme që japin ngushtime të enëve të gjakut, anemitë, sëmundjet degjenerative të sistemit nervor qendror si myeloma multiple, parkinsoni dhe tumoret e trurit, migrena, patologjitë e gjëndrës tiroide, mungesa e vitaminës D, prandaj duhet bërë një diagnozë e mirë, diferenciale me sëmundje sistemike që imitojnë krizën e veshit. Ndërkohë përveç sëmundjes së veshit të brendshëm, që është më tipikja ka edhe sëmundje të tjera të veshit që japin marrje mendsh, si otitet kronike të riakutizuara me rrjedhje veshi, me sekrecione purulente me erë të keqe. Sëmundje të tjera ORL që mund të japin marrje mendsh janë edhe sinusitet akute etj.
Rrezikon të përsëritet, sa i pranishëm është?
Problemet e veshit të brendshëm, të palidhura me patologji të tjera mund të jenë të lindura dhe të trashëguara dhe janë përgjithësisht rastet, që ne i gjejmë në moshat e reja ku dhe klinika është tipike dhe në anamnezën e pacientit gjejmë pothuaj gjithmonë një prind, hallë, xhaxha, teze, kushëri në brezninë e parë apo të dytë me probleme me marramendjen. Pra, faktori gjenetik është shumë i rëndësishëm. Në pacientët e tjerë mosha më me risk është 40-60 vjeç, kryesisht gratë në periudhën e menopauzës apo edhe pacientët e tjerë me sëmundje të tjera sistemike si hipertension, diabet, dislipidemi, nefropati etj. Faktorë të tjerë risku janë edhe puna me zhurma dhe frekuentimi i ambienteve me ndotje akustike, përdorimi jo adekuat i antibiotikëve kryesisht i grupit të makrolideve, në veçanti gentamicina si një ototoksik i fuqishëm por edhe klarithromycina, eritrimicina për një kohë të gjatë, përdorimi i alkoolit dhe duhanit, i pijeve energjike dhe stimulantëve të sistemit nervor qendror si kafeina, dieta e pasur me kripëra. Në shumë raste pacienti referon një aksident apo goditje në kokë ndoshta edhe para shumë kohësh, që është një nga arsyet më të fuqishme që mund të japë marramendje.
Si mund të kuptohet, si manifestohet, cilat janë shenjat?
Sindromi vertiginoz ka shenja tipike, që për pacientët që bëhen kronikë, është e kuptueshme që në momentin e parë kur shfaqet. Mund të fillojë fillimisht me ndjesinë e veshit të mbushur ose zhurmë në vesh, rreth 2 ditë përpara krizës. Marrja e mendve është e tipit rrotullues dhe pacienti ka ndjesinë sikur i rrotullohen objektet ose vjen ai rrotull objekteve. Shenjë tjetër klinike janë edhe simptomat vegjetative si të vjellat, nauzeja, lipotimia, dhimbja e kokës etj. Në këto momente pacienti duhet të masë tensionin arterial nëse kemi një krize hipertensive, e cila mund të imitojë krizën e veshit. Përgjithësisht, kriza e marrjes së mendve nga veshi vjen pa luhatje tensioni, por mund të jenë edhe që të dyja. Ndonjëherë, pacienti ka edhe ndjesinë e marrjes së mendve kur rrotullohet në krevat, kur ul kokën poshtë apo kur ngre kokën lart për të bërë një veprim mbi nivelin e shpatullave, që zgjat me sekonda. Kjo ka të bëjë me lëvizjen e kristaleve të kalciumit në brendësi të veshit të brendshëm, nëpër kanalet semicirkulare, prandaj lëvizja e kokës në hapësirë e vë në pah këtë dukuri. Kriza e veshit të brendshëm mund të vijë edhe pas një gjendjeje virale, pra pas një gripi dhe prek në mënyrë selektive vetëm organin e ekuilibrit, pra pacienti nuk ka zhurmë në vesh apo rënie dëgjimi por vetëm marrje mendsh të fuqishme, të vjella, humbje ekuilibri. Me mjekim neuroniti vestibular, shërohet për një periudhë 3 javore deri në një muaj dhe nuk ka ripërsëritje. Ndryshe nga sëmundja e Menierit e cila prek ekuilibrin dhe dëgjimin dhe kronicizohet. Pra, në të gjithë sëmundjet e veshit të brendshëm, ajo që na shqetëson më shumë është sëmundja Menier, sepse na komprometon dëgjimin dhe dëmtimet mund të jenë të parikthyeshme. Për vendosjen e diagnozës mjeku ORL bën otoskopinë dhe këqyrjen e membranës timpanike dhe veshit të jashtëm, audiometrinë, timpanometrinë, vestibulometrinë dhe provat kalorike që është një ekzaminim bazë për sindromin vertiginoz dhe në fund nëse shenjat nuk janë tipike ekzaminimi i fundit është rezonanca magnetike e kokës me lëndë kontrasti gadolinium. Megjithatë informacioni që mund të na japë videonistagmografia dhe provat vestibulare në këtë rast është edhe më i vlefshëm se rezonanca magnetike, që shërben më tepër për një diagnozë diferenciale sesa për të vendosur një diagnozë.
Si trajtohet, cilat janë pasojat e mos mjekimit?
Mjekimi i sindromit vertiginoz varet nga lloji i tij dhe ndahet në mjekim të urgjencës dhe në mjekim mbajtës. Në mjekimin e urgjencës aplikojmë solucionin e manitolit me doza zbritëse deri në një javë në varësi të gravitetit të krizës, injeksione kundër të vjellave dhe qetësues të sistemit nervor qendror. Gjatë fazës së krizës mund të jepet edhe kortizonoterapi me doza zbritësi. Në mjekimin mbajtës që mund të shkojë 6 deri në 9 muaj jepen diuretikë, vazodilatatorë, vitaminoterapi, preparate nootropike, gingo biloba etj. Në rastin e krizave të forta të marramendjes, që shoqërohen edhe me rënie apo jo të dëgjimit mund të bëhen edhe injeksione retrotimpanike, pra pas hapësirës timpanike me gentamicinë apo edhe me kortizon. Në pothuaj të gjitha rastet mjekimi merret në vazhdimësi aq sa e përshkruan mjeku sepse marramendja përveç ndjesisë rrotulluese, humbjes së ekuilibrit, zhurmës në vesh, uljes së dëgjimit shoqërohet edhe me ndjesinë e frikës së një krize tjetër dhe kjo është një fobi për pacientin, sidomos në brezninë e tretë ku kemi edhe sëmundje të tjera shoqëruese. Por ka edhe raste kur pacienti bëhet mirë dhe e ndërpret terapinë, pastaj ai paraqitet te mjeku pas një periudhe më të shkurtër sepse kriza është përsëritur, pra pasojë e një keqmjekimi është rikthimi i sëmundjes.
Rrezikon të përsëritet, sa i pranishëm është?
Pasoje e një keq mjekimi apo edhe gravitetit të vetë patologjisë sindromi mund të kronicizohet. Në 10% të rasteve mund të preken të dy veshët. Incidenca në popullatë e vertigos dhe çrregullimeve te ekuilibrit është 5-10% dhe arrin 405 në pacientët mbi 40 vjeç. Në USA nga viti 1995 deri në 2004, 2.5% e vizitave te mjeku ishin për shkaqe të çrregullimeve të ekuilibrit. Sigurisht që faktori gjenetik është shumë i pranishëm në ripërsëritjen e krizave.
Këshilla për kujdes ndaj kësaj patologjie
Rekomandohet, që këshillat e mjekut të zbatohen deri në fund, sidomos në terapinë e parë në një sindrom vertigionoz të diagnostikuar me origjinë nga veshi i brendshëm. Në një sëmundje të Menier, mjekimi mund të shkojë deri në 6-9 muaj etj. Të bëhet vizita me mjekun ORL, që ka bërë një minispecializim për problemet vertiginoze dhe të bëhen provat vestibulare dhe videonistagmografia për një diagnozë përfundimtare, që ndan patologjitë periferike si problemet e marramendjes nga veshi me ato centale si tumoret e trurit, krizat e migrenës, sëmundjet degjenerative si myeloma multiple, Parkinsoni, epilepsitë etj., që mund të shoqërohen me marrje mendsh apo edhe me rënie të menjëhershme në tokë. Nëse diagnoza vendoset e saktë pacientët me sëmundje shoqëruese të mbajnë nën kontroll të gjitha patologjitë e tjera dhe sidomos një dietë të rregullt pa konsumim alkooli, duhani, dhe një reduktim të kripës dhe kafesë si dhe substancave të tjera stimuluese të SNQ. Të mënjanohen gjatë krizës udhëtimet e gjata ku pacienti është vetë shofer në drejtimin e mjetit, apo edhe ngjitja në lartësi shumë të mëdha, deri sa mjeku ta këshillojë. Të mënjanohen frekuentimet e ambienteve me një zhurmë të madhe mbi nivelin e lejuar të tingullit dhe përdorimi jo adekuat i antibiotikëve sidomos të grupit të gentamicinës, amikacinës, sidomos për periudha mbi 10 ditore pasi njihen si ototoksike apo dëmtues të nervit të dëgjimit, por mund të japin edhe probleme në ekuilibër.