Nga kistet te fibroadenomat; si hetohen patologjitë beninje te gjiri

Në këto lloj patologjish, dhimbja është stimuli që e çon gruan te mjeku por është e rëndësishme të thuhet që këto patologji përveç dhimbjes kanë një gamë të gjerë simptomash

Tetori është përzgjedhur si muaj sensibilizues për patologjitë e gjirit, sidomos kancerin e gjirit. Gjatë këtyre ditëve vajzat dhe gratë kanë lexuar apo dëgjuar mbi problemet dhe sëmundjet e gjirit. Por ato duhet të dinë se ky muaj është përzgjedhur për t’i bërë të dëgjojnë dhe kuptojnë mbi të gjitha se nuk duhet të kenë frikë, fillimisht të kryejnë një kontroll vetjak të gjirit dhe mbi të gjitha të kryejnë vizitë mjekësore te mjeku specialist. Sepse jo të gjitha problemet dhe sëmundjet e gjirit janë malinje; vajzat dhe gratë duhet të dinë se ka disa patologji beninje të gjirit të cilat gjithashtu duhen trajtuar. Edlira Rehovica, doktoreshë kirurge-senologe, në një intervistë për gazetën “Mapo” shpjegon se një përqindje e lartë e problemeve kuptohet dhe zbulohet nga vetë gratë. “Çdo femër duhet të kuptojë që vetëkontrolli i gjirit dhe ekzaminimi tek mjeku janë të nevojshme. Kontrollo veten dhe beso tek mjekët, nuk duhet të prisni tetorin”- apelon doktoresha Rehovica. Duke u ndalur veçanërisht te patologjitë beninje të gjirit, kirurgia-senologe thotë se këto probleme shfaqen kryesisht te femrat në moshën fertile, ndërmjet moshës 20-50 vjeç. Dhimbja dhe rritja e dendësisë së gjinjve janë shenjat e parë që çojnë gruan te mjekët, por Rehovica shpjegon se falë teknikave diagnostikuese senologjike, si mamografia digitale, ekotomografia, rezonanca magnetike përcaktohen shkaktarët, vendoset diagnoza, ecuria dhe terapia për çdo patologji të gjirit; duke filluar nga kistet, fibroadenomat e deri tek inflamacioni i gjirit.



Çfarë kuptojmë me patologji beninje të gjirit?

Patologjitë beninje të gjirit përbëjnë një grup të madh dhe heterogjen patologjish, që përfshijnë anomalitë e zhvillimit, proliferimet (shtimin në numër të qelizave) të epitelit dhe parenkimës dhe inflamacionet. Në këto lloj patologjish, dhimbja është stimuli që e çon gruan tek mjeku. Është e rëndësishme të thuhet që këto patologji përveç dhimbjes kanë një gamë të gjerë simptomash. Duke qenë se kemi një sofistikim të teknikave diagnostikuese senologjike, (mamografia digitale, ekotomografia, rezonanca magnetike) diagnostikimi dhe trajtimi i këtyre patologjive rrallëherë kërkon kirurgjinë.

Ndryshimet fibrokistike

Bëhet fjalë për një patologji shumë të hasur (1 në 10 gra), që prek kryesisht femrat në moshën fertile ndërmjet moshës 20-50 vjeç. Termi “ndryshime fibrokistike” përshkruan ndryshimet në gjëndrën e gjirit duke filluar nga mosha fertile deri në periudhën e menopauzës si nga pikëpamja klinike ashtu edhe nga jo histopatologjike.

Shkaku: nuk është i qartë. Fajësohen çekuilibri hormonal me predominim të estrogjeneve kundrejt progresteronit dhe nivelet e larta të prolaktinës.

Diagnoza, ecuria klinike dhe terapia: simptomatologjia përfshin dhimbjen në gji, prezencën e ndjesisë së gjoksit të rëndë me gjëndra. Duhet theksuar që këto shenja nuk kanë lidhje me ciklin menstrual. Mund të shfaqet në një ose në të dy gjinjtë. Gjatë vlerësimit klinik kistet mund të jenë të palpueshme kur kisti arrin përmasa mbi 5mm. Vërehet dhe një densitet i shtuar i indit glandular. Në format më të avancuara mund të palpohen nodularitete të lëvizshme madje edhe linfonode në sqetull. Diagnoza vendoset me ekografi dhe mund të lindi edhe nevoja e kryerjes së boshatisjes me age të kisteve nën ekografi. Evolucioni i sëmundjes është i tipit kronik dhe i ngadaltë. Shërimi mund të jetë spontan në periudhën e menopauzës. Terapia konsiston në aspirimin e makrokisteve, marrjen e suplementeve të vitaminës A dhe E, inhibitorëve estrogjenik dhe androgjenëve ndonjëherë edhe inhibitorëve të prolaktinës. Kur këto mjekime nuk janë efikase rekomandohet kirurgjia e cila konsiston në heqjen e zonave të prekura.

Kistet

E marrin origjinën nga epiteli (shtresa që vesh) gjëndrën e gjirit. Janë struktura me përmbajtje të lëngshme dhe formë të rrumbullakët ndonjëherë edhe ovale. Hasen shpesh te femrat e moshës 30-50 vjeç. Megjithëse në shumicën e rasteve janë mikrokiste subklinike, mund të variojnë në përmasa të konsiderueshme.

Shkaku: stimujt hormonalë me origjinë nga vezoret mund të krijojnë, rrisin në volum dhe të shtojnë dhimbjet në kiste sidomos përpara ciklit menstrual. Në shumicën e rasteve kanë epitelin shumë të hollë dhe quhen kiste të thjeshtë dhe kur ky epitel është vizualisht i dukshëm në ekografi quhen kiste kompleks.

Diagnoza, ecuria klinike dhe terapia: ndonjëherë formacionet kistike kur arrin përmasa të mëdha dhe krijojnë dhimbje duhen aspiruar. Dieta e varfër në kripëra dhe përdorimi i antidiuretikeve (shkarkuesve) mund të ndihmojë në tharjen e plotë të kisteve. Edhe në këto raste gjen vend përdorimi i antiestrogjenikeve dhe androgjenëve për të parandaluar riformimin. Duhet theksuar që kistet e thjeshtë nuk e rrisin riskun për kancer të gjirit, e kundërta ndodh me kistet komplekse që shfaqin një rritje të riskut për kancer të gjirit me 0,3%.!!!

Në qoftë se formacioneve kistike u shtohen në brendësi komponentët solid (të ngurtë) diagnostikimi dhe trajtimi është si për patologjitë malinje, d.m.th. biopsi dhe kirurgji.

Fibroadenomat

Përbën një nga patologjitë më të hasura të gjirit. Në 25% të rasteve të diagnostikuara, gruaja nuk shfaq asnjë shqetësim në gji. Me një pikë moshe 15-35 vjeç. Është lezion hormono vartës dhe ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë me përdorimin e kontraceptivëve oral përpara moshës 20 vjeç dhe shfaqjes së fibroadenomave. Tek pacientët imunodepresiv është fajësuar edhe virusi Eibstein –Barr.

Shkaku: e marrin origjinën nga stroma (komponenti i ngurtë) i gjirit. Edhe në këtë rast fajësohen estrogjenët e rritur dhe përdorimi i hormoneve.

Në një studim të fundit multidisiplinar është vërtetuar komponenti gjenetik (geni MED1) në më shumë se 60% të fibroadenomave.

Diagnoza, ecuria klinike dhe terapia: fibroadenomat ndjehen kryesisht nga vet pacientët në autopalpacion, si një masë e rrumbullakët dhe e lëvizshme me tendencën për të “shpëtuar nga gishtat”.

Në shumicën e rasteve është një e vetme por në 20% të rasteve mund të jetë edhe e shumtë në numër në një ose në të dy gjinjtë. (fibroadenoza multiple)

Diagnoza vendoset me ekografi dhe rrallëherë kur dyshohet për malinjitet nevojitet edhe biopsia. Duhet theksuar që “vulën” në diagnozë e vendos raporti histopatologjik pas heqjes. Trajtimi ideal i fibroadenomave është absolutisht kirurgjia. Kirurgjia mund të propozohet kur përmasat e fibroadenomave janë mbi 2,5cm (por nuk është rregull fiks), kur pacientja bezdiset nga fibroadenoma (indikacioni psikologjik) dhe kur kemi rritje të shpejtë të përmasave të saj për të bërë diagnozën diferenciale me tumorin filloid. Duhet theksuar që sa më e vogël fibroadenoma rezultati estetik kirurgjikal është më i madh.

Sekrecionet nga koka e gjirit

Përbën një shqetësim të femrave kryesisht ndërmjet moshës 30-50 vjeç. Sekrecionet seroze (pa ngjyrë), sero-hematike (me nuanca gjaku), të vazhdueshme dhe monoorificiale (nga një kanal i vetëm) mund të jenë shenjë e një papilome intraduktale (lezjon beninj) dhe në 5% të rasteve shenjë e një malinjiteti.

Shkaku; mund të jenë të ndryshëm shkaktarët në përputhje me natyrën e sekrecioneve.

Diagnoza, ecuria klinike dhe terapia: ankesa kryesore është “njollosja “e sutjenave në mënyrë kronike ose të herëpashershme. Trajtimi varion nga kontrollet periodike, citologjia e sekrecioneve, dozimi i prolaktinës në gjak, analizat mikrobiologjike dhe deri te trajtimi kirurgjikal. Trajtimi kirurgjikal mund të realizohet duke bërë prerjen e kanaleve kryesore të qumështit mbrapa kokës së gjirit ose në heqjen e kanaleve të qumështit së bashku me një pjesë të gjirit për qëllim diagnostikues ose trajtues.

Dhimbja e gjirit

Quhet ndryshe mastalgji ose mastodini e hasur në 1 nga çdo 2 gra. Dallojmë tre forma kryesore; 1- dhimbja ciklike, në 40% të rasteve dhe është e lidhur ngushtë me fazën përpara ciklit. Shfaqet si dhimbje në të dy gjinjtë dhe ndjeshmëri në lëkurë, ndjesia e fryrjes dhe “bezdia” nga reçipetat. Haset në femrat që kanë cikël menstrual. 2-dhimbja jociklike përbën rreth 30% të dhimbjeve dhe nuk ka lidhje me fazat e ciklit menstrual. Shfaqet te gratë fertile por edhe tek ato në menopauzë. Nuk ka shkaktar që e fillojnë, është në një anë të gjirit dhe e mirëlokalizuar. Përshkruhet si dhimbje therëse ose shpuese. 3-dhimbjet gjatë shtatzënisë. Ndryshimet hormonale dhe fiziologjike përbëjnë shkaktarin kryesor në këtë lloj dhimbjesh.

Shkaktarë të tjerë të dhimbjeve në gjoks mund të përmendim: traumat, sindroma Trietze (sëmundje reumatologjike që prek indin kërcor të dërrasës së kraharorit), protezat e silikonit, patologjitë e vertebrave, alkooli dhe dieta e pasur me kafeinë.

Diagnoza, ecuria klinike dhe terapia: varet nga lloji i dhimbjes dhe faktorët që e nxisin.

Mastitis ( inflamacioni i gjirit )

Klinika përfshin të gjitha shenjat që haste edhe në inflamacionet në organe të tjera, dhimbje, ënjtje, skuqje, temperaturë dhe lëkurë edematoze.

Ndahet në;

1-Mastit puerperal (që lidhet me gjidhënien); shkaktohet kryesisht nga hyrja e baktereve (Stafilococcus Aureus dhe Streptococcus) nga koka e gjirit si pasojë e kontaktit me gojën e fëmijës. Pasja e plasaritjeve në kokën e gjirit, mos boshatisja e plotë e gjirit dhe kanalet e qumështit të zgjeruara janë faktor risku.

2- Mastiti non puerperal quhet çdo lloj inflamacioni i gjirit që shfaqet në periudha të jetës që nuk kane lidhje me laktacionin. Hyrja e baktereve nga koka e gjirit, kanalet e qumështit të zgjeruar, plagët e ndryshme kirurgjikale, radioterapia dhe ndonjëherë edhe vet kanceri i gjirit mund të jenë shkaktare të kësaj tabloje.

Diagnoza, ecuria klinike dhe terapia: kultura e sekrecioneve nga koka e gjirit për të përcaktuar antibiogramën për një trajtim me specifik me antibiotik. Pasja e shenjave klinike dhe ekografike ndihmon në vendosjen e diagnozës. Në rast dyshimi klinik për malinjitet rekomandohet biopsia.

Trajtimi në mastitin puerperal;

  • ndërprerja e gjidhënies
  • marrja e ilaçeve për ndërprerjen e qumështit
  • përdorimi i antibiotikëve
  • aspirimi nën eko
  • drenimi kirurgjikal

Trajtimi në mastitin non puerperal;

1-përdorimi i antibiotikëve

2-aspirimi nën eko

3-drenimi kirurgjikal.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252