Familjarë të banorëve të Kukësit të arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit janë stacionuar edhe sot para Drejtorisë së Policisë në Tiranë duke kërkuar lirimin e tyre.
Protestuesit kanë bllokuar edhe aksin rrugor para Policisë së Tiranës. Në mbështetje janë edhe deputetë të Partisë Demokratike.
Deputeti Edmond Spaho akuzoi qeverinë se shkelli në mirëbesim marrëveshjen me organizatorët e protestës.
“Qytetarët vazhdojnë dhe insistojnë që ata të lirohen, këtu nuk bëhet fjalë për rregulla dhe ligje. Ka pasur një akord mes qeverisë dhe protestuesve që të pezullohej protesta në Rrugën e Kombit dhe të mos arrestoheshin njerëz, të hyhej në dialog me autoritetet vendore për të gjetur një zgjidhje. Qeveria e theu këtë marrëveshje në mirëbesim mes palëve dhe gjatë natës arrestoi 23 persona përmes veprimeve të dhunshme, me forcat speciale dhe maska a thua se po kapte kriminelë, të mëdhenj. Derisa të lirohen, qytetarët do të jenë ose këtu në Tiranë ose në Kukës. Do thirret edhe solidaritet nga rrethe të tjera. Nuk është në natyrën tonë të përdorim akte të dhunshme. Protesta është e qetë. I kërkoj policisë të trajtojë me dinjitet qytetarët”.
Spaho ftoi edhe kolegët e mazhorancës të mbështesin protestën e banorëve të Kukësit për lirimin e të arrestuarve.