Dy takimet e fundit të Berishës, kanë qënë në qytete të vogla si Librazhdi dhe Burreli. Dhe mendja ta do se aty do të kishte shumë duartrokitës dhe pak ide. Befasia është se po të vëresh me imtësi, në këto dy foltore kishte jo pak mendim. Qendrim kritik. Arsyetim. Madje dhe njerëz goxha të lexuar që janë gati të citojnë dhe autorë të mëdhenj.
Foltoret që janë live në disa ekrane, po zbulojnë potencialin e demokratëve. Ata janë mbajtur “mute”, gjithë këto vite. Nuk i janë paraqitur publikut as kur Berisha e drejtonte partinë, dhe as në 8 vitet e fundit.
Kujdesi për ta kuruar mesazhin dhe për të përcjellë vetëm fjalët e të parit, i ka lënë ata vazhdimisht në errësirë.
Surprizat që po sjell mikrofoni i shpërndarë në sallë, ndeshen në secilin takim.
Dhe gjen jo pak demokratë, pa asnjë post, dhe ndoshta që s’kanë përfituar ndonjëherë nga pushteti, që me urtësinë dhe argumentimin e tyre duhet të vënë në siklet të dy palët, që në thelb kanë luftën për pushtet në Tiranë.
Përulësia, dinjiteti, po dhe mprehtësia e artikulimi politik i shumë demokratëve të thjeshtë rezulton se është ku e ku më interesant se sa i gjysmës së atyre që janë në vijën e parë të Bashës dhe Berishës.
Ata duket se nuk kanë kohë për fjalë të tepërta, për të grirë sallatë pa fund. Lakonik e me fjalë të zgjedhura, shkojnë drejt e në temë.
Pikërisht këta demokratë, kjo bazë, do të duhej t’i bënte të reflektonin udhëheqësit e Tiranës. Mëtuesit e dy palëve, e dy kuvendeve. Shumë shaka janë bërë në kurriz të tyre, e plot në vijim me siguri. Po asnjëri s’mund t’i marrë për të mirëqënë, t’i shfrytëzojë për hallet apo interesat e tij, me llogjikën se truri është këtu, e ata s’ja kanë haberin dhe shërbejnë mirë vetëm si sfond.
Një standard është vendosur. Demokratët kanë çfarë të thonë, dinë si ta thonë, dhe ata duhet të dëgjohen. Dhe të dëgjohen mirë, tani e në vijim.