fbpx

Kryesore

Nga martirët te komunistët, trajektorja tronditëse e “Kryerilindasit”





               Publikuar në : 14:31 - 04/11/19 |
Agron Gjekmarkaj

Nga Agron Gjekmarkaj


Një prej atyre mëngjeseve të shtatorit të vitit 2014 në vigjilje të vizites së Papa Françeskut në Tiranë, Bulevardi “Dëshmoret e Kombit “ u zgjua i mbushur me portretet e martirëve të Kishës Katolike Shqiptare! Nuk ishin të gjithë! Mungonte, At Anton Harapi e të tjerë, por ishin mjaftueshëm për ti dhënë asaj lugine pamjen e një honi të kujtesës sonë të pergjakur! Ajo ishte një gjetje e Edi Rames, ndër më të suksesshmet e tij, vetë shkelqimi !



Befasisë dhe emocioneve nuk u shpëtoi as Ati i Shënjtë ! Shumëkush mendoi që Kryeministri prej një viti në detyre po vendoste një marrdhënie të re me të ardhmen duke lexuar në menyrë krejt origjinale të shkuaren! Katolikët të cilët në këtë vend perpjekjet për mbijetesë identitare e kulturore i kanë patur së paku dyfish më të shumta se bashkëatdhetaret e tjerë për arsye rrethanash, historike e ideologjike u përkëdhelen disi në seder! Ndonjërit syresh, Edi Rama i dukej si “Injacio la Jola” pas ngritjes nga lengata e krevati drejt themelimit të urdherit të ri! Por nuk patëm vonesë shumë, s’na la gjatë të presim, rruga nga fjalet të faktet që teposhte dhe e shkurter!


Elaborimi i historisë së katoliçizmit herë pas here është në modë për politikanet shqiptarë që asgjë të krishterë nuk kanë në formim për tu dukur simpatik e të veçantë perballe botës perendimore ! Një kompleks u rri në kokë si nyje gordiane!

(Foto: Martiret 2014)

Ndonjëherë ja kanë dalë të bëjnë përshtypje! Rasti i Ramës është më paradoksali! Nëse përballë Papes i duhesh martiret e besimit dhe të lirisë, historia e Pal Engjellit, Skenderbeut, Buzukut, Barletit, Beçikemit, Budit, Bogdanit, Bardhit, Fishtes, Mjedes, At Zef Pllumit apo e Mikel Koliqit, Ernest Troshanit dhe mbi të gjitha e Nënë Terezes atje ku është humusi historik i këtyre vendosi si perfaqesues personazhe të hurit e të litarit, me lidhje organike me botën e krimit me justifikim se ai milet atë terbiet do, duke e thënë troç në një studio televizive! Askush nuk e ka perzhitur imazhin e popullsisë katolike sa Edi Rama! Ky është dualizmi tipik hipokrit i Kryeministrit tonë! Të tjerët janë tallur pak më me delikatesë, po janë tallur ama, duke gjetur idiotë të padëmshem, pa shtyllë korrizore me mbiemra prelatesh!

Përseri në ajrinë e Bulevardit “Deshmoret e Kombit” u shfaqen portrete dëshmoresh të Luftës së Dytë Botërore ! Një gjë duhet thënë në krye të herës! Dikujt që ka dhënë jetën për këtë vend nuk mund ti kerkosh asnjë llogari! Më shumë se jeten askush nuk i ka borxh as vendit e as idesë që ndjek për të cilen edhe bie! Ne jemi rritur me abuzimin dhe hiperbolen me mitin e tyre tejet te keqperdorur për të justifikuar diktaturën e dhunën e saj, diktatorin pizeveng dhe gelbazat e tij në çdo nivel, pushtet, arsim, kulturë, e kudo! Po ata nuk kanë asnjë faj! Luftuan, besuan dhe u vranë ! çdo anatemim ndaj tyre është gabim dhe mosmirënjohje! Një komb që nuk nderon deshmoret e tij është i destinuar të ketë një të ardhme të zymtë , deklaronte At Gjon Shllaku pak para se të flijohej nga një toge plutoni në vitin 1946 !

Në këtë kontekst, Kryeministri ka bërë prapë mirë ! Por sërish lind një problem etik! Kur Kryeministrit i duhej ose shpresonte e besonte se do të çapitej drej Europes përdori martiret proeuropian të antikomunizmit! Tani teksa Europa e ka zbuar për mospërputhje të plotë ushtrimi të pushtetit ai kërkon të strehohet tek baza ideologjike e cila simbol ka Gramoz Ruçin! Kjo i duhet për mbijetesë!

Trajektoria e “Kryerilindasit” është përsëri tronditëse për nga etika historike! Në vitet e para të pluralizmit duke lënë shënjen kryesore tek libri “refleksionet” ai dukej mjaft i ndershem në analizen që i bënte Luftës së Dytë Boterore në Shqiperi, rolit të jugosllaveve në formimin e PKSH, genjeshtrave në shkrimin e historisë, përmasave të luftës civile e vllavrasëse! Madje ai tallej deri në tepri!

Por ato i ka harruar , përgenjeshtruar, lidhja me Bllokun është aksi i sigurtë për të bërë karriere në Partinë e tij socialiste! Fëmijet e kesaj lagjeje të ndyrë i ka në të gjitha nivelet pa harruar lidhjen e tij me ketë zonë të ndaluar të lirisë! Ata nuk kërkuan kurrë falje për asgjë, pastaj të bënin karrierë! Ata janë krenarë për krimet! Kulti i “krimit të dobishëm” mbijeton mes tyre! Ai të veteve së paku do duhej tu kërkonte ndjesë për ato që ka thënë në vitin 1991 megjithse, s’ka nevojë se ja falin të gjitha për hir të pushtetit!

Shqipëria po përgatitet të festojë 75-vjetorin e Çlirimit në mesin e një krize të rëndë politike !

Në qiellin e “Deshmoreve të Kombit” do të duhej të ishin edhe nacionalistët që dhanë jetën, e mbi të gjitha ata qindra e mijëra që pësuan gijotinën e pas luftës, të gjithë ata që në emer të lirisë luftuan tiraninë!

Paradoks i madh, të rënet që sot i kanë portretet lart të varura në re, luftuan për lirinë e na erdhi tirania!!

Foto: Deshmorët 2019
(Foto: Deshmorët 2019)

 

Ndërsa vendosja në qiell e atyre që kane lyer duart me gjak , të njohur e të vertetuar si kriminele është një atentat ndaj humanizmit dhe ndaj viktimave të regjimit! Një provokim i flligtë! Nuk nxirren dot nga ferri ku i ka futur mizoria që bënë vetë, duke i varur me konop në “parajsen” e Edi Ramës, pemëve të Tiranës! Sa më lart ti ngrenë po kaq trishtueshem na bie mbi kokë hanraku i Diktaturës! Kjo është sy shkelje! Ju mos më lëshoni se nuk ju leshoj pa për krimet hallall!

Kryeministri kërkon ndihmë nga idealistet e vdekur, për të mbajtur pas froten e komunizmit , e bën pa skrupuj, e bën shpesh, e bën sa herë ti nevojitet! Por nuk është i vetëm në këtë hipokrizi ! Shoqëria në vetvete s’ka bërë asnjë akt emancipimi ndaj së kaluares! Koka dhe shpina e saj janë përkulur me shpresë se dekadat e zbusin peshën e krimeve dhe të fajeve! Ende ajo nuk ështe e gatshme të pranojë një Kryeministër apo President nga radhet e të persekutuarve politikë !

Në dy raste kur Kryetari i Parlamentit vinte nga kjo shtresë një gjest për tu konsideruar, sot ngjan më shumë si një kalkulim elektoral perfaqësimi sesa emancipim i përgjithshëm social! Mentaliteti është ky; ja ne u japim të persekutuarve kaq vende apo një vend po ama në thelb përemri mbetet “NE” !

Shkrimtari italian Antonio Pennacchi autor i librit bestseller “Kanali Musolini” pat thënë në Tiranë “diktaturat fillojnë si vullnet i pakicës mbi shumicën dhe me kalimin e kohës shndërrohen në sundim i shumicës mbi pakicën! Në këtë ekuacion shtrihet edhe drama e shoqërisë shqiptare! Ajo luan me të vdekurit e vet, e pa zonja që të ballafaqohet me zuzaret e gjallë!

Duhet harruar dështimi me hapjen e negociatave, duhet një spektakel i ri, duhen këto portrete e të tjera, le të hahemi me njëri-tjetrin për datën 28 e 29, zhurmë sa më shumë zhurmë për qetesinë Kryeministrore! Na e di vesin ndaj na e hedh kockën..!

*Burimi: Gazeta Panorama


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas