Reforma e re e drejtësisë në labirintin e vettingut, akuzave politike dhe frikës së kapjes ende pa u hapur dosja e parë. Si u kthye çështja e Reformës në Drejtësi në “histerizëm politik”, ku 140 deputetë votuan në një rast të paprecedent për të rrëzuar sistemin e vjetër, që ishte ushqyer prej tyre. Vettingu në shifra domethënëse, ku rrjetën po e kalojnë të përfolurit për lidhje me pushtetin. Institucionet e reja që nuk po përligjin pavarësinë. Kolapsi me Gjykatën Kushtetuese, të Lartë dhe në pritje rënia e Apelit.
Nga Sebi Alla, REVISTA MAPO
Mesnatën e 22 korrikut 2016, në lozhën e Parlamentit, ish-ambasadorët Doland Lu dhe Romana Vlahutin përqafuan njëri-tjetrin me shumë pasion. Zgjati përqafimi, tabela elektronike ishte “çmendur” në një rast të paprecedent, ku tregonte se 140 deputetë, përfshi edhe disa syresh që më vonë dolën me rekorde të rënda kriminale, votuan Reformën në Drejtësi dhe ndryshimet Kushtetuese në funksion të saj. Të gjithë deputetët me dhe pa dëshirë, iu nënshtruan kësaj nisme, që më shumë se lokale, ishte ndërkombëtare. Pikëpyetjet vijonin të përhapeshin në Parlament, ndërsa edhe Shqipëria atë natë fjeti vonë, me sytë nga seanca plenare dhe me gjykimin e gatshëm: “Këtu ka dorë Amerika”… Vërtet klasa politike kishte votuar që ajo e para t’i “dorëzohej” drejtësisë së re, të pavarur, e me profesionistë? Tre vjet më vonë… Mungojnë dy personazhet Lu dhe Vlahutin, ishin të përkohshëm në Shqipëri, por tentuan të linin një reformë të përhershme të drejtësisë së re. Lu iku me “brengë”, sepse nuk pa me sytë e tij asnjë “peshk të madh” në tavën e drejtësisë, edhe pse shpresoi shumë në lidershipin e kryeprokurores, jo aq të përkohshme, Arta Marku.
Droja e madhe se institucionet e drejtësisë së re do të kapeshin nga pushteti, sot nuk është tërësisht pa bazë, edhe pse denoncimet dhe “faktet” janë artikuluar më së shumti nga opozita dhe mediat, që ende nuk janë nën presionin e pushtetit.
VETTING…! Aq me suficit është përmendur kjo fjalë nga politika, juristët dhe gazetarët, sa termi vetë ka humbur rolin për të cilin u krijua. Gijotinës së rivlerësimit të subjekteve të drejtësisë nuk i kanë shpëtuar shumë prokurorë dhe gjyqtarë, por disa të tjerë çuditërisht kanë mundur të mbesin në sistem, edhe pse akuzat dhe provat komprometuese bindnin. Pasoja sot është mungesa totale e Gjykatës Kushtetuese dhe gjymtimi deri në kufijtë e ekzistencës të Gjykatës së Lartë. Me kalimin e ditëve, mund të bjerë po aq lehtë “kalaja” e Gjykatës së Apelit në vend.
Thuajse jemi në kolaps të pushtetit të tretë (gjyqësorit), që gjithnjë ka qenë si zgjatues i dy pushteteve të tjera, legjislativ dhe ekzekutiv. Vendi ndodhet në paralizë të drejtësisë, ku e vjetra “po shembet” por askush nuk garanton se e reja do jetë vërtet e pavarur!
Vettingu, KPK me dy standarde?
Më 21 mars të vitit 2018, u mor vendimi i parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Me shkarkim e nisën. Që nga ajo periudhë, deri në fund të muajit prill të këtij viti, ethet e seancave dëgjimore të vettingut i kanë provuar 107 gjyqtarë e prokurorë. Nga kjo pjesë e verifikuar, 54 kanë mundur të mbesin në sistem, ndërsa 53 të tjerë janë shkarkuar nga detyra. Ata që mbetën në filtrat e procesit pastrues, më së shumti nuk ishin në gjendje të justifikonin pasurinë e vendosur. Përtej shifrave, që lidhen me debat sasior, ka vend për diskutim të fortë, mbi vendimet cilësore. Rreth 90 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar janë vlerësuar vetëm në një kriter, atë të pasurisë, ndërsa pjesa tjetër ka pasur edhe problem me integritetin moral dhe më pak aftësitë profesionale. Kjo ka bërë që shumë gjyqtarë dhe prokurorë vërtet i janë larguar sistemit të drejtësisë, por kanë ikur me një “njollë të vogël”, siç është kriteri i justifikimit të pasurisë, ndërsa KPK dukshëm, nuk është thelluar në çështjen e aftësive profesionale dhe të pastërtisë së figurës.
Por ndërsa KPK ka dhënë vendimin për konfirmimin apo shkarkimin nga detyra për 53 gjyqtarë dhe prokurorë, shumë prej tyre po përballen me instancën tjetër të procesit të vettingut, KPA-në (Kolegjin e Posaçëm të Apelimit). Sipas të dhënave, në këtë institucion janë regjistruar ankime kundër 59 vendimeve të dhëna nga KPK. 39 prej ankimeve janë bërë nga vetë gjyqtarët apo prokurorët e rivlerësuar. Pjesa tjetër janë firmosur nga ana e Komisionerit Publik, institucioni që përfaqëson publikun në procesin e vettingut dhe ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit). Deri më tani, Kolegji Apelimit ka rrëzuar vendimet që konfirmuan në detyrë në Shkallën e Parë, për ish-kreun e Kushtetueses, Bashkim Dedja, ish-anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari dhe ish-gjyqtarin e Tiranës, Astrit Faqolli. Nëse mbahet ky standard në vijimësi nga KPA, fare të pakët do të jenë gjyqtarët dhe prokurorët që do “hanë” në dy epoka, të drejtësisë së “vjetër” dhe asaj të “re”. Fakti që KPA ka rrëzuar tre nga konfirmimet e mëparshme, tregon edhe standardin me të cilin Kolegji i Pavarur i Kualifikimit mbajti për disa gjyqtarë dhe prokurorë, duke mbyllur në disa raste sy e veshë para fakteve dhe dëshmive.
Nga 12 anëtarë të KPK-së, për më shumë se 50 për qind prej tyre ka pasur akuza, që janë nën ndikimin politik dhe dukshëm anues ndaj pushtetit. Katër prej tyre vijnë pas “stazhit” të punës në kryeministri, kryesisht në sektorët juridikë, një tjetër nga bota e madhe politike, ku kryesonte listën e të dikurshmes G 99-ës, sot e shkrirë me Partinë Socialiste. Përtej këtij “paragjykimi pozitiv”, faktet kanë treguar që shumë gjyqtarë dhe prokurorë mbetën në hendekun e ngushtë të KPK-së. Dyshimet janë se rrjeta nuk është aq e “çeliktë”, pasi vrimat e saj hapen, në disa raste të dyshimta për personazhe “big” të sistemit aktual të drejtësisë, apo për gjyqtarë dhe prokurorë të cilët edhe pse nuk justifikojnë pasurinë, dolën të “pastër” nga vettingu. Për disa personazhe në elitën e gjyqësorit, PD e kishte paralajmëruar se do kalonin vettingun, dhe fatkeqësisht u “doli fjala”, ndonëse gjetjet për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale nuk ishin në favor të subjekteve rivlerësuese. Gjithashtu, edhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mundi të marrë në dorë “fermanin” e konfirmimit, me një tufë të madhe dyshimesh, ku për të njëjtat gjetje, shumë të tjerë kishin mbetur në proces. “Vettingu i kontrolluar politikisht prej Ramës, ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, pavarësisht rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për shkarkimin e tyre. Ndaj atij i ka rënë maska dhe tregohet botërisht me gisht, si njeriu që mbron korrupsionin në drejtësi, për të mbrojtur interesat e vetë dhe të krimit të organizuar me të cilin ‘bashkëqeveris’”, – deklaronte kryedemokrati Lulzim Basha. Me disa personazhe të konfirmuar mes problemeve, a mund të njolloset i gjithë sistemi? Në situatën aktuale, çështja thelbësore ngrihet jo kush kalon e mbetet, por kush do e bëjë drejtësinë e re.
Kur e reja mbetet po aq e vjetër
Sistemi i drejtësisë në çdo sondazh rezultonte si më i korruptuari dhe i pabesueshmi. Ky nuk ishte vetëm perceptim publik, por çdo ditë dilnin fakte tronditëse, sesi njerëz me të shkuar të rëndë kriminale fitonin lirinë, si qytetarët nuk merrnin drejtësinë për vite, apo mënyra që protagonistët e sistemit sfidonin haptas, aq sa edhe mes gjyqtarësh e prokurorësh të majmur në mitmarrje bëhej humori i zi: “drejtësi ka, por ajo kushton…”. Përveç korrupsionit, shtohej edhe mungesa e profesionalizmit. Për disa vite u quajtën si “gjyqtarët e Plepave”. Bëhet fjalë për një kategori e cila u gjend nën mantelin e zi pas një kursi 6-mujor për sistemin e drejtësisë, që u zhvillua në fillim të viteve ‘90. Kjo ishte një nismë e qeverisë së kohës, për të spastruar gjyqtarët e kohës së diktaturës, por gepat profesionale që lanë pas, ndikuan në vijim një sistem drejtësie me dy njolla të mëdha: “paaftësi dhe akuza për korrupsion”. Askush nuk mund të dilte për të mbrojtur sistemin e mëparshëm. Do ishte vetë politika (përfituesja më e madhe) e “drejtësisë së kalbur”- sikurse e quanin, që do kërkonte pastrimin e saj.
“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”- ky është titulli i hartimit të Qemal Stafës, i frymëzuar nga “ndërkombëtari” Schiller, që më shumë nxitej nga një bindje e brendshme e një komunisti utopik. Kjo merr aktualitet në ditët e sotme të drejtësisë sonë, pasi e vjetra po shembet, por lulëzimi i së resë, mund të jetë po aq i vjetër sa e vjetra. Statistikat janë domethënëse për numrin relativisht të lartë të shkarkimeve, por konfirmimet e disa prej gjyqtarëve dhe prokurorëve mbeten të dyshimta, duke zbehur entuziazmin publik. Për më shumë, në institucionet kyçe që kanë në duar fatin e thuajse gjithë sistemit, janë persona të afërt me pushtetin, që të kamufluar në rolin e ekspertëve, mundën të zinin postet e “arkitektëve” të pallatit të ri të drejtësisë. “Vota e PD-së është realitet bazuar mbi një draft të aprovuar nga Venecia, me ndihmën e mbështetjen e ambasadorëve Lu e Vlahutin, me të cilët debatet kanë qenë jo të pakta e të nxehta, por gjithmonë të përqendruara në rolin e opozitës. Duhet të ishte një ditë për bashkim, por retorika e helmuar në parlament vërteton se, dita e parë e Reformës në Drejtësi është dhe fillimi i ditëve të fundit të kësaj qeverie”, – tha Basha jashtë Kuvendit, aty nga mëngjesi i datës 23 korrik 2016, pas votimit unanim.
Partia Demokratike i kishte paraprirë dyshimit se personat që kishin hartuar reformën, mund të aplikonin për t’u bërë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë dhe kjo sipas opozitës do deformonte tërësisht sistemin dhe njëkohësisht e kapte politikisht atë. Një prej institucioneve më të rëndësishme KLP, e përbërë nga 11 anëtarë, nga ku më pas buron edhe përzgjedhja e SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion), BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) dhe përzgjedhja e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm është përfshirë në dyshime serioze, si nga përbërja e drejtuesve, ashtu edhe nga nismat që po ndërmarrin. Në krye të saj është Genti Brahimi, mjaft aktiv në hartimin e Reformës në Drejtësi, por edhe i atakuar nga opozita si pjesë e pushtetit politik të mazhorancës. Nga gjashtë prokurorë anëtarë, për katër prej tyre ka ankimim në KPA, për kalimin e vettingut. Ndërsa dy personazhe të tjerë, prokurori Bujar Sheshi, sipas Autoritetit të Hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor, i një prej sektorëve më famëkeqë të periudhës komuniste. Anëtarja tjetër Nurihan Seitaj, gjithashtu, figuron si gjyqtare e kohës së diktaturës, e cila ka dhënë vendime për dënime politike.
Ra Kushtetuesja dhe Gjykata e Lartë…
Gjykata Kushtetuese sot nuk ekziston. Nga nëntë anëtarë të saj, aktualisht nuk ka mbetur asnjë. Procesin e vettingut e kaloi vetëm gjyqtarja Vitore Tusha, por është me mandat të përfunduar. Mes polemikash filtrit të parë, i iku kryetari Bashkim Dedja. Në KPK, ai u konfirmua në detyrë dhe nën entuziazmin e këtij vendimi, u shpreh: “Të kaloje vettingun ishte si të kaloje varrin për së gjalli”. Ndërsa konfirmimi i tij u ankimua, Dedja nuk mundi ta kapërcejë gropën e thellë në KPA, e cila vendosi ta shkarkonte nga detyra. Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese ekziston vetëm si godinë dhe i ngjan një shtëpie të braktisur, pa frymë njeriu brenda e aq më pak të marrë vlerën e një institucioni, që është garant i Kushtetutës së Republikës.
Nga rënia e saj, kanë humbur qytetarët, por edhe zëri opozitar, ndërsa si “fitore” mund ta shohë mazhoranca, e cila mund të jetë në paligjshmëri në shumë nisma, por askush nuk i vë një fije fre. Gjykata Kushtetuese nuk është më. Për të gjithë ata “skeptikë patologjikë”, që mendonin se Gjykata Kushtetuese ishte institucion i kontrolluar nga çdo qeveri, u bie kjo profeci. Përgjatë tetë vitesh qeverisje të ish-kryeministrit Sali Berisha, Gjykata Kushtetuese është shprehur kundër 37 ligjeve të mazhorancës së kohës, përfshi këtu edhe çështjen e marrëveshjes me detin me Greqinë. Nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese të gjithë shqiptarët u bënë pak “konstitucionalistë”, në përplasjen president-kryeministër, në lidhje me pyetjen: A ka apo jo të drejtë kreu i shtetit t’i kthejë kryeministrit një kandidaturë për ministër?
Juristët u ndanë, politika gjithashtu, opinioni publik diskutonte edhe në kafenetë e lira të vendit, disa thoshin ka ta drejtë e disa jo! Vetëm institucioni që duhet të fliste nuk kishte më gojë. Gjykata Kushtetuese nuk figuron kurrkund, për shkak të vettingut, por edhe të nxitjes politike.
Krahas saj edhe Gjykata e Lartë është në “vdekje klinike”, pasi funksionon me vetëm 3 gjyqtarë, që shqyrtojnë çështje me afat si masat e sigurisë, apo dosje për rivendosjen në afate. Janë mbi 31 mijë çështje të tjera që presin të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë. Institucioni elitë i drejtësisë është kthyer në një magazinë të madhe dosjesh, brenda të cilës janë fate njerëzore të shumë qytetarëve shqiptarë, të plakur para kohe nga mungesa e drejtësisë.
Sot nuk ka vend për entuziazëm, pasi edhe drejtësia e re nuk premton shumë, kandari i saj po peshon në një anë…!