fbpx

Dikur

Nga Rinasi te stadiumet, 40 veprat që u ndërtuan nga intelektualët e dënuar





               Publikuar në : 12:17 - 11/10/19 |
mapo.al

Një listë e tokave të hapura dhe ndërtimeve të realizuara nga puna e detyruar e intelektualëve dhe të burgosurve të pafajshëm të regjimit komunist


Ata nuk ishin të përgatitur për atë lloj pune. Në universitet ku kishin përfunduar studimet, me siguri nuk u kishin mësuar asgjë të ngjashme. Ata nuk ishin as të ngrënë për atë lloj pune. Racioni ditor për të përballuar punën e rëndë, nuk kishte asgjë të ngjashme me atë që u ofrohej të dënuarve të kampeve komuniste të Shqipërisë. Në vapën zhuritëse, u mungonte uji i pijshëm. Në temperaturat nën zero, u mungonin veshjet dhe këpucët. Ndaj mbijetesa e tyre, siç thotë një prej personazheve në librin e Atë Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, nuk mund të shpjegohej ndryshe veçse si një mrekulli.



Sa për pushtetin, ishte e qartë që ai nuk shqetësohej për kohëzgjatjen e kësaj mrekullie. Të dënuarve u ulej norma e ushqimit dhe u rritej norma e punës, deri në pikën e fundit të rezistencës. Në një Shqipëri që burgoste për një fjalë goje, krahu falas i punës nuk do të mungonte asnjëherë.


Kampet e punës, në shumë raste me shumicë të dënuarish politikë, u importuan në Shqipëri nga regjimet totalitare komuniste dhe fashiste, por ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Punës do ta ndalonte punën e detyruar që në vitin 1957, në Shqipërinë e anëtarësuar në OKB në vitin 1955, ajo do të vazhdonte të ishte në fuqi, deri në çastet e fundit të diktaturës. Të dënuarit u shfrytëzuan kryesisht në miniera, në tharjen e kënetave, në ndërtim dhe në bujqësi.

Kujto.al po sjell një listë me veprat kryesore të realizuara nga puna e të burgosurve, mes të cilëve, gjeje plot intelektualë, artistë, ish-ministra, politikanë apo klerikë, siç gjeje edhe të mitur apo të sëmurë mendorë që me urdhër të drejtorive përkatëse nxirreshin në punë, me argumentin që vetëm puna mund t’i korigjonte sjelljet e tyre. Kjo listë është krijuar duke u mbështetur në të dhënat e hollësishme që studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar në librin e tij “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste” dhe megjithëse mund të duket e gjatë, përmban vetëm një pjesë të punës së të burgosurve, pa përfshirë punën e rëndë të nxjerrjes së mineralit në miniera, punën në fabrika apo në bujqësi. Nuk përfshihen në këto vepra, as ato intelektualet, kryesisht në fushën e përkthimeve, të cilat gjithashtu realizoheshin nga të burgosurit, por paraqiteshin si vepra të tjetërkujt.

Sado e vonë të jetë kujtesa e një qytetari shqiptar, është vështirë që të mos ketë parë me sytë e tij, një prej këtyre ndërtimeve, megjithëse shumica prej tyre, si hekurudhat dhe kombinatet tashmë nuk funksionojnë ose janë shkatërruar plotësisht. Dhe kur në Shqipëri ka ende shumë për të bërë për kujtesën, njohja e këtyre vendeve ku është shfrytëzuar puna e të dënuarëve të pafaj, të detajuara në botimin e Kastriot Dervishit, i ndih asaj duke i dhënë një këndvështrim më afër së vërtetës çdo udhëtimi nëpër Shqipëri, apo edhe ca hapave në Tiranë, ku ende gjen banesa të ndërtuara nga të burgosurit.

Të dënuarit, të internuar apo të burgosur, janë shfrytëzuar në punë të rënda që në vitet e para të pushtetit komunist, por në fillim të viteve ’50, shfrytëzimi i tyre u bë objektiv kryesor, ndaj dhe të gjitha burgjet, me përjashtim të një burgu në Tiranë dhe burgut të Burrelit ishin kampe pune. Ato lëviznin nga një vend në tjetrin, në një zinxhir që ndërtonte Shqipërinë socialiste duke shkatërruar elitën e saj intelektuale. Ishin 4-6 mijë të burgosur që nën emërtimin zyrtar “punëtorë të detyruar”, shfrytëzoheshin për ndërtimin e veprave brenda afatit të caktuar për përurim dhe kur pritej shiriti, ata ishin dërguar tashmë në një tjetër kamp, ishin rrethuar me një tel tjetër me gjemba dhe iu ishte dhënë një tjetër detyrë gati e pamundur.

Vepra të ndërtuara me punën e të burgosurve gjatë regjimit komunist

Kanalet kulluese në Jubë

Prill 1946. U ngrit kampi i parë i punës në Jubë, fshat në lindje të Durrësit. Në të u grumbulluan 700-800 të burgosur nga Tirana dhe Durrësi. Të burgosurit politikë hapnin kanale kulluese afër detit. Mes punëtorëve të kanalit 5 km të gjatë dhe 6 m të gjerë ishin ish-qeveritarët Kostaq Kotta, Ibrahim Biçakçiu, Et’hem Cara.

Tharja e kënetës së Maliqit

Qeveritë e Ahmet Zogut kishin dështuar në këtë nismë. Komunistët vunë objektiva të paarritshme për ta tharë liqenin e Maliqit brenda pak muajsh dhe meqë nuk e arritën dot, pushkatuan si sabotatorë disa nga teknikët më të mirë në vend dhe larguan misionin amerikan në Shqipëri. Në këtë çast, detyra u kalon të burgosurve politikë. Në pranverë të 1947-ës, hapet kampi i Orman-Pojanit me qendër në Vloçisht ku qeveria grumbullon mbi 2500 veta nga armiqtë e popullit dhe kriminelët e luftës, të cilët me nga “800 gram bukë të zezë dhe nga një lugë supë” punuan për një nga projektet më madhore të Shqipërisë. Disa nga punëtorët e kënetës së Maliqit ishin Atë Zef Pllumi, përkthyesi i Dante-s, Pashko Gjeçi, nëpunësi i lartë Nedin Kokona etj.. Punimet mbaruan në vitin 1951.

Kanali ujitës Peqin-Kavajë

Në vitin 1951, të burgosurit politikë dhe ordinerë të Kampit nr.1 që punonte për tharjen e kënetës së Maliqit, mori emrin Reparti 301. Pas Maliqit, ata u zhvendosën në Gosë të Kavajës, ku hapën kanalin ujitës pranë këtij qyteti.

Kanali i Bedenit

Në kampin që do të hapte kanalin nga zona kënetore e Bedenit, që quhej dhe këneta e Zhabjakut, deri në lumin Shkumbin për të liruar fushën nga uji, kanë punuar mes të dënuarëve politikë plot 29 priftërinj katolikë.

Kanali ujitës Devoll-Thanë

Në vitin 1948, 1500 të burgosur u sollën në Vlashuk të Beratit për të hapur një kanal që fillonte nga lumi Devoll, i cili u përurua më 21 korrik 1949. Shokët e shkollës së Enver Hoxhës në Francë, Foto Bala dhe Isuf Hysenbegasi ishin ndër të dënuarit që punuan për këtë kanal 8 km të gjatë.

Kanali i Tërbufit

Në vitin 1956 në Tërbuf u krijua një repart me qëllim tharjen e kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Punimet vazhduan deri në vitin 1958.

Kanali ujitës Vjosë-Levan-Fier

Kampi i të burgosurve për ndërtimin e këtij kanali ka qëndruar në Shtyllas nga 3 nëntori 1953 deri më 18 mars 1955, kur mes të burgosurve, 715 ishin politikë dhe 172 ordinerë.

Bonifikimi i fushës së Kamzës dhe Valiasit

Në këtë punë u angazhuan kryesisht të burgosurit e Tiranës dhe Durrësit.

Kanali ujitës “Naum Panxhi”

Të burgosurit e Elbasanit nisën ndërtimin e kanalit që merrte ujë nga lumi Shkumbin dhe e dërgonte në fushën e Cërrikut në vitin 1947, por më pas vepra u përfundua nga aksionistët dhe punëtorët me pagesë. Gjatë kohës që punuan në këtë projekt, të burgosurit, marshonin çdo mëngjes përmes qyteti për 5 kilometra në një kolonë poshtërimi nga burgu në vendin e punës dhe sërish në mbrëmje nga vendi i punës, në qeli.

Punime në lumin e Gjadrit

Gjatë vitit 1954 të burgosurit punuan në kushte që të kujtonin punën e skllevërve për hapjen e një kanali 1500 m në Hajmel që synonte shmangjen e mbytjes së fushës së Zadrimës.

Bonifikimi i Thumanës

Kanale ujitëse dhe kulluese në Sarandë

Sipërfaqet e përftuara nga hapja e kanaleve:

Jubë 1700 ha

Beden 6500 ha

Maliq 10.400 ha

Rrushkull e Hamallaj 5000 ha

Zadrimë 6.200 ha

Hoxharë 2200 ha

Tërbuf 18000 ha

Rruga Gramsh-Lozhan

Rruga nga Gramshi në Lozhan të Korçës u hap me krahë, nga të internuarit e kampit të Kamzës në vitin 1949.

Hekurudha Peqin-Elbasan

Për këtë hekurudhë, që nisi të ndërtohej në janar 1950, u ngritën dy kampe pune me të burgosur: kampi i Urës së Bonës dhe kampi i Bishqemit. Hekurudha kishte 4 tunele dhe 100 ura. Në kampin e Urës së Bonës punuan rreth 500 të burgosur, të cilët realizuan 70.350 ditë pune, duke u ushqyer me një supë bollguri në mëngjes, fasule dhe ndonjëherë pak mish në drekë dhe çaj e marmalatë në darkë, ndërsa racioni i bukës vijonte të ishte 700-800 gramë për person. Në kampin e Bishqemit, punuan rreth 800 të burgosur të cilët përballuan punën më të rëndë dhe realizuan mbi 100 mijë ditë pune. Hekurudha u përurua nga Mehmet Shehu më 21 dhjetor 1950, në nder të Stalinit, të cilit qeveria shqiptare i detyrohej për metodat e shfrytëzimit të të burgosurve, edhe pse puna e tyre nuk u përmend në fjalimet inauguruese.

Hekurudha Vorë-Laç

U përurua më 1 maj 1963. 30 km e gjatë. Në kampin që punoi për ndërtimin e saj, në vitin 1961, kishte 600 të dënuar.

Kriporja e Vlorës

Në vitin 1970 në këtë zonë punonin 340 të burgosur.Të burgosurit hapnin kanale të thella. Ndërtuan një argjinaturë 8 km që ndante kriporen nga këneta. Kanë punuar edhe për një projekt të shkripëzimit të tokave, por ai dështoi.

Në fushën e ndërtimeve

Uzina e naftës në Cërrik

Fusha e aviacionit Kuçovë

Në vitin 1952, të burgosurit u përqendruan në Urën Vajgurore për të nisur ndërtimin e fushës së aviacionit të Kuçovës. Fillimisht punonin 2000 të burgosur, ndërsa në vitin 1953, punonin 1150 të burgosur dhe ishin realizuar 204.605 ditë pune. Sipas një raporti zyrtar të vitit 1952, jeta e të dënuarve nuk paraqitet e mirë për faktin “se kur kemi ardhur këtu e deri sot, nuk kanë ngrën as edhe një herë gjellë me mish, pse kjo mungon”.

Aeroporti i Rinasit

Muajin e dytë pas fillimit të punimeve, më 30 tetor 1953, natyra e veprës që po ndërtohej u duk se frymëzoi katër të burgosur, të arratiseshin, edhe pse jo përmes ajrit, por përmes një tuneli të nëndheshëm 11 metra të gjatë. Punimet për aeroportin e Tiranës nisën në shtator 1953 dhe të burgosurit që vinin nga kampi i Urës Vajgurore kanë qëndruar deri vitin pasardhës, ndërsa një grup tjetër të burgosurish, që do të formonin Repartin nr.303, punuan për aeroportin e Rinasit nga 14-15 korriku 1955 deri më 8 shkurt 1959, kur përfunduan punimet e aeroportit që të ishte gati për pritjen e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në Tiranë. Dinamika e të burgosurve ndryshonte nga viti në vit, por kryesisht dominohej nga të burgosurit politikë, të cilët në vitin 1957 përbënin 100 për qind të kampit. Raportet zyrtare vinin në dukje që inxhinier Pandeli Zografi, i dënuar në procesin e Maliqit, u shënonte më tepër normë të burgosurve, duke e akuzuar kështu, edhe një herë të dytë, për të njëjtin “krim”.

Stadiumi Qemal Stafa

U përfundua nga puna e robërve italianë dhe gjermanë.

Kombinati i tekstileve në Yzberisht

Të burgosurit kanë ndërtuar kanalin e kullimit të bojërave me të cila do të ngjyroseshin pëlhurat në këtë kombinat, gjatë vitit 1950. Sigurisht, edhe puna për kanalin e bojërave u bë në terr. Ditën e përurimit, 8 nëntor 1951, askush nuk i përmendi të burgosurit, të cilët tashmë ishin larguar drejt një kampi tjetër pune.

Pallatet Agimi

Ndër godinat e para që u ndërtuan nga kampi nr.4 i krijuar me qëllim që të dënuarit të ndëshkoheshin me anë të punës. Ky kamp u krijua në vitin 1953 dhe në muajt e parë më shumë se gjysma e të dënuarëve ishin të dënuar politikë, raport që u përmbys në vitet në vijim, megjithatë të dënuarit politikë nuk munguan asnjëherë në këtë kamp pune që u vendos pranë Lanës.

Stadiumi Dinamo, sot “Selman Stërmasi”

Stadiumi i projektuar nga Koço Miho u përurua më 8 korrik 1959. Në atë vit, kampi i të dënuarëve të angazhuar në ndërtimin e tij kishte 491 të burgosur.

Sanatoriumi

130 të burgosur u vunë në dispozicion të ndërmarrjes së ndërtimit nga viti 1959 në vitin 1960 për të ndihmuar në ndërtimin e Sanatoriumit.

Kombinati ushqimor “Ali Kelmendi”

Sipas marrëveshjes së ndërmarrjes së ndërtimit dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërtimin e këtij kombinati, i cili do të niste dhe do të përfundonte brenda vitit 1960, do të angazhoheshin 330 të dënuar.

Pallatet Puna

Pallatet e rrugës “Myslym Shyri”

Hyrja kryesore në rrugën e Durrësit

Zona e Zogut të Zi

Fabrika e bukës

Blloku “50 vjetori i Pavarësisë”

Kombinati i mishit

Peliçeria e Tiranës

Ndërtesa të fermës “Gjergj Dimitrov”

Uzina e autotraktorëve-një pjesë të punimeve

Kompleksi Dinamo

100 të dënuar politikë dhe 50 ordinerë u angazhuan nga viti 1987 për ndërtimin dhe përfundimin në kohë të kompleksit sportiv “Dinamo”.

Uzina e sodës kaustike në Vlorë

Fabrika e çimentos në Elbasan

Fabrika e Çimentos e Fushë-Krujës

200 banesa në qytetin e Bulqizës

Në vitin 1985 hapet një repart të burgosurish në Bulqizë enkas për ndërtimin e pallateve të banimit. Në vitin 1987, në të kishte 105 të dënuar politikë.

Uzina e përpunimit të bakrit në Rubik

Uzina e superfostatit në Laç

U ndërtua në vitet 1963-1967

Banesa në Laç

Uzina e përpunimit të naftës në Ballsh

Nga viti 1972 deri në vitin 1979 të burgosurit kanë punuar për ndërtimin e uzinës së përpunimit të naftës. Pas vënies në punë të saj, janë detyruar të punojnë për ndërtimin e pallateve dhe riparimin e shtratit të lumit Gjanica.

Lista është nxjerrë nga botimi “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste” i studiuesit Kastriot Dervishi, botim i ISKK-së

A. Çano/kujto.al


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas