Kryesore

Nga shkurti: Gratë nga 40-49 vjeç analiza falas për kancerin e qafës së mitrës





               Publikuar në : 09:38 - 01/02/19 |
mapo.al

Me këtë program kombëtar, shërbimet e organizuara të këshillimit dhe marrjes së mostrave për laborator kryhen pa pagesë për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, pranë qendrave shëndetësore në Shërbimet e Kujdesit Parësor, të cilat sigurojnë edhe informimin e grave mbi programin. 


Qeveria ka miratuar dje Programin Kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri, programi i parë në nivel kombëtar për një prej tumoreve më të përhapura te gratë. Ky program kombëtar ka për qëllim identifikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Testimi me HPV që parashikohet të kryhet, i koordinuar nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik, do të ofrohet falas për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, që është edhe grupmosha më e prekur nga kanceri i qafës së mitrës. Me këtë program kombëtar, shërbimet e organizuara të këshillimit dhe marrjes së mostrave për laborator kryhen pa pagesë për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, pranë qendrave shëndetësore në Shërbimet e Kujdesit Parësor, të cilat sigurojnë edhe informimin e grave mbi programin. Shërbimet e diagnozës së mëtejshme dhe të trajtimit eventual mjekësor kryhen pa pagesë për gratë e përfshira në program, në shërbimin spitalor publik për të gjitha gratë që rezultojnë pozitive në depistim. Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i shpeshtë pas kancerit të gjirit. Mbi 100 gra diagnostikohen me këtë kancer dhe pothuaj 40% e tyre humbin jetën nga ky kancer çdo vit në vendin tonë. Kanceri i qafës së mitrës prek gratë e moshave të mesme. Miratimi i këtij programi nga qeveria shqiptare është shumë i rëndësishëm sepse programi kombëtar i depistimit të kancerit të qafës së mitrës ka një potencial të lartë parandalimi. Është programi më kosto-efektiv i depistimit të kancereve që ekziston sot në botë. Sepse duke e kapur në faza të hershme, parandalohet mbi 80% të vdekjeve të parakohshme. Ky është një program i rekomanduar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.



Sëmundja


Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane- HPV, një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, njihen si lloje me rrezik të lartë kancershkaktues të kancerit të qafës së mitrës te gratë. Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit/kontrollit dhe vaksinimit. Depistimi/kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme dhe gjithashtu kur trajtimi ka një mundësi të lartë për shërim. Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Pap testi, kontrolli pamor me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë, si dhe kolposkopia.

PAP TEST

Pap testi është një test tradicional depistues, i shpejtë, i thjeshtë, jo i dhimbshëm, zgjat vetëm pak minuta, por mund të shpëtojë jetën e një femre. Pap testi mund të kryhet ambulatorisht në një klinikë apo spital. Nëse rezultati i Pap testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Nëse rezultati i Pap testit del jonormal, do të thotë që disa qeliza jonormale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze. Nëse Pap testi tregon një dyshim apo gjendje jonormale, mjeku kërkon të përsëritet testi mbas 6 muajsh apo kërkon të kryhen ekzaminime të tjera shtesë.

HPV

Testimi për HPV është metodë testimi që bazohet në zbulimin e ADN-së së HPV me rrezik të lartë në mostrat vaginale ose të qafës së mitrës. Në testimin për HPV, merret një mostër qelizash duke futur në vaginë një furçë të vogël. Mostra mund të mblidhet dhe nga vetë gruaja duke e udhëzuar paraprakisht. Një test pozitiv HPV nuk konfirmon se gruaja ka parakancer; ai vetëm konfirmon se ka një infeksion me HPV. Testimi për HPV rekomandohet për çdo grua duke filluar nga mosha 30 vjeç. Por, edhe pse kanceri i qafës së mitrës është i rrallë para moshës 30 vjeç, depistimi mund të bëhet dhe te gratë më të reja se 30 vjeç nëse vihet re rrezik i lartë. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon depistimin për çdo grua seksualisht aktive nga mosha 30 deri në 49 vjeç, të paktën një herë në jetë dhe në mënyrë ideale më shpesh.


Etiketa: , , ,

Pas