Pas 30 qershorit shumë pak gjëra duket se kanë ndryshuar në mënyrën se si funksionon shteti dhe demokracia në vend. Koncesionet e rënda, liria e rrezikuar e medias, votimet e dyshimta dhe shtypja e frymës së protestës mbeten shqetësimi i ditës
Në mbyllje të sesionit të katërt të legjislaturës së nëntë të Kuvendit, deputetët ngritën dorën lart për disa vendime kontroverse. Mes tyre ishte miratimi edhe i dy koncesioneve për dy projekte rrugore të majme. Madje njëra prej tyre, ajo Milot-Balldren është cilësuar edhe si ‘rruga e florinjtë’. Për ironi, në të njëjtën ditë që u lanë peshqesh shqiptarëve një barrë jo pak të rëndë financiare për rrugët, qeveria vendosi të mbyllë me një vendim dhënien e të tjerave koncesione për rrugët.
Ditët që pasuan u shoqëruan me akuza të forta se në fund të sesioneve, qeveria miraton vendime kontroverse qëllimisht, pasi tani që është sezon pushimesh, njerëzit nuk do merren shumë me skandalet.
Por për disa vëzhgues të situatës, miratimi i këtyre koncesioneve pikërisht në kohën kur vendi është zhytur në një krizë të thellë politike, e nxitur edhe nga akuza të forta për korrupsion, tregon se qeveria nuk po ndalet në kursin e saj. Jo vetëm kaq, por miratimi i këtyre koncesioneve përkundër kritikave të forta nga organizmat ndërkombëtarë financiarë, tregon se qeveria nuk po reflekton për një prej plagëve të mëdha që ka hapur në buxhetin e vendit me të ashtuquajturat PPP, ose koncesione të pakërkuara.
Megjithatë dhënia e koncesioneve është vetëm një aspekt i kësaj situate në këto ditë të nxehta vere. Atëherë kur ishte menduar se një pjesë e mirë e artistëve dhe aktivistëve që janë rreshtuar çdo natë prej muajsh të tërë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, mund të shkonin për pushime, Bashkia e Tiranës ka nisur të lëvizë duke miratuar nisjen e punimeve për shembjen e kësaj godine dhe zbatimin e një ligji jo më pak kontrovers, që do shohë ndërtimin e disa kullave në një zonë të lakmuar të kryeqytetit. Thirrjet e aktivistëve për të mbrojtur Teatrin edhe me trupa njerëzorë janë shtuar ndjeshëm orët e fundit, kurse opozita ka premtuar se do ketë dënime me burg për të gjithë ata që do të bëhen pjesë e kësaj afere.
A do e ndalojë kjo Bashkinë që të vendosë ruspën ndaj godinës historike? Ditët në vazhdim do e tregojnë, por fakt është se këto orë ka pasur lëvizje edhe në një tjetër vatër të nxehtë të qëndresës opozitare, në zonën e Astirit. Pas prishjes së disa godinave me konsensus për zgjatimin e bulevardit të Kasharit, banorët thonë se kanë dëgjuar se shumë shpejt do të nisë edhe prishja e godinave të banorëve të rezistencës. Në këtë mënyrë, në ditët e fundit të korrikut dhe në ditët e para të gushtit, atëherë kur vigjilenca bie, dy prej pikave të qëndresës opozitare mund të bien.
Edhe këto zhvillime janë tregues se qeveria nuk ka në plan të ndalet në nismat e saj, të cilat u kundërshtuan fort nga opozitarizmi në vend. Madje edhe në kushtet kur Tiranën e vizituan të alarmuara disa prej organizatave më të njohura për mbrojtjen e lirisë së medias, qeveria vazhdoi me agjendën e saj për të miratuar disa ligje kundër shpifjes, të kundërshtuara gjerësisht brenda dhe jashtë vendit.
Atëherë kur prozhektorët e medias së huaj u drejtuan totalisht mbi qeverinë shqiptare, pasi ajo përfundoi në gazetën më të madhe europiane e akuzuar për manipulim zgjedhor në shkallë të gjerë, ajo vazhdoi të mbajë një palë votime të kritikuara fort nga ODIHR në daljen e parë publike.
Këto zhvillime shqetësuese që pasojnë 30 qershorin janë një sinjal alarmi dhe tregues se ditët e nxehta të pushimeve mund të mos jenë ditë pa zhvillime. Por tashmë nuk është më vetëm fjala për lajme dite. Kriza e nisur vetëm sa do të trashet në pritje të vjeshtës kur janë premtuar zhvillime të bujshme në planin e reformës në drejtësi. Deri atëherë, kur BE do të vendosë nëse do i hapë dritën jeshile Shqipërisë për nisjen e negociatave, Tirana do ketë ofruar material të bollshëm për kancelaritë e huaja për të kuptuar se si funksionon shteti dhe demokracia shqiptare./Gazeta Mapo