Edhe pse vetëm Vladimir Putin është përgjegjës për luftën në Ukrainë, ia vlen të kujtohet se perëndimorët e shquar luajtën një rol kyç në formësimin e trajektores së Rusisë post-sovjetike. Ata këmbëngulën se reformat e tregut duhet të kenë përparësi ndaj reformave politike dhe ne ende po jetojmë me këtë zgjedhje
Ndërsa tanket ruse luftojnë nëpër Ukrainë me urdhër të një presidenti autoritar, vlen të përmendet se ukrainasit nuk janë të vetmit që dëshirojnë demokracinë. Edhe rusët kanë dalë në rrugë – me rrezik të madh personal – për të protestuar kundër aktit të egër të agresionit të Vladimir Putinit. Por ata po bëjnë një betejë të vështirë në një vend që nuk i është dhënë kurrë një shans për t’u bërë demokratik.
Ndikimi i mundshëm i pushtimit rus të Ukrainës nuk duhet nënvlerësuar. Bota tani po kalon një ndryshim të regjimit gjeopolitik që do të ketë pasoja të thella ekonomike dhe financiare, shumica e të cilave do të jetë e vështirë të përmbahen me mjetet ekzistuese të politikave.
Kur një mundësi e tillë ishte e disponueshme, ajo u përmbys jo nga Putini dhe mjedisi i tij kleptokratik, por nga Perëndimi. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik 30 vjet më parë, këshilltarët ekonomikë amerikanë i bindën liderët e Rusisë që të fokusoheshin në reformat ekonomike dhe ta vendosnin demokracinë në prapavijë – ku Putini mund ta shuante lehtësisht, kur të vinte koha.
Kjo nuk është një ngjarje e parëndësishme historike. Nëse Rusia do të bëhej një demokraci, nuk do të kishte pasur nevojë të flitej për NATO-n dhe zgjerimin e saj drejt Lindjes, asnjë pushtim të Ukrainës dhe as debate, nëse Perëndimi i detyrohet më shumë respekt civilizimit rus. (Si gjermane, unë tërhiqem nga propozimi i fundit, i cili ka jehonë të qartë të Hitlerit dhe udhëheqjes së tij të vetëshpallur mbi një “qytetërim”.)
Le të tregojmë sekuencën e ngjarjeve. Në nëntor 1991, Sovjeti Suprem rus (parlamenti) i dha presidentit të atëhershëm rus Boris Jelcin kompetenca të jashtëzakonshme dhe një mandat 13-mujor për të nisur reformat. Më pas, në dhjetor 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërbë zyrtarisht nga Marrëveshja e Belovezhit, e cila krijoi Komonuelthin e Shteteve të Pavarura. Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina deklaruan respekt për pavarësinë e njëra-tjetrës.
I rrethuar nga një grup i vogël reformatorësh rusë dhe këshilltarësh perëndimorë, Jelcin përdori këtë moment historik unik për të nisur një program të paprecedentë të “terapisë së shokut” ekonomik. Çmimet u liberalizuan, kufijtë u hapën dhe privatizimi i shpejtë filloi – të gjitha me dekret presidencial. Askush në rrethin e Jelcinit nuk u mundua të pyeste nëse kjo ishte ajo që dëshironin qytetarët e Rusisë. Dhe askush nuk ndaloi për të menduar se rusët mund të duan fillimisht një shans për të zhvilluar një themel të shëndoshë kushtetues për vendin e tyre, ose për të shprehur përmes zgjedhjeve preferencën e tyre se kush duhet t’i qeverisë ata.
Reformatorët dhe këshilltarët e tyre perëndimorë thjesht vendosën – dhe më pas këmbëngulën – që reformat e tregut duhet t’i paraprijnë reformave kushtetuese. Bukuritë demokratike do të vononin apo edhe do të minonin politikëbërjen ekonomike. Vetëm duke ecur shpejt – duke i prerë bishtin qenit me një goditje të sëpatës – Rusia do të vihej në rrugën drejt prosperitetit ekonomik dhe komunistët do të mbaheshin përgjithmonë jashtë pushtetit. Me reformat radikale të tregut, populli rus do të shihte kthime të prekshme dhe do të dashurohej automatikisht me demokracinë.
Nuk ishte e thënë. Presidenca e Jelcinit doli të ishte fatkeqësi e egër – ekonomikisht, socialisht, juridikisht dhe politikisht. Riparimi i një ekonomie të planifikuar në mënyrë qendrore të stilit sovjetik në hapësirën e vetëm 13 muajve doli të ishte i pamundur. Liberalizimi i çmimeve dhe tregtisë më vete nuk krijoi tregje. Kjo do të kërkonte institucione ligjore, por nuk kishte kohë për t’i krijuar ato. Po, mungesat ekstreme u zhdukën dhe tregjet e rrugëve u ngritën kudo. Por kjo është shumë larg nga ushqyerja e llojit të tregjeve të nevojshme për të lehtësuar shpërndarjen e burimeve, në të cilat mbështeten kompanitë dhe familjet.
Për më tepër, terapia e shokut shkaktoi përçarje aq të rënda dhe të papritura sociale dhe ekonomike, saqë e ktheu publikun kundër reformave dhe reformatorëve. Sovjeti Suprem refuzoi të zgjeronte kompetencat e jashtëzakonshme të Jelcinit dhe ajo që ndodhi më pas do të krijonte terrenin për ngritjen e presidencave autoritare në Rusi.
Jelcin dhe aleatët e tij refuzuan të dorëzoheshin. Ata e shpallën të paligjshme kushtetutën ekzistuese ruse të vitit 1977 dhe Jelcin vazhdoi të merrte pushtetin në mënyrë të njëanshme, ndërsa bëri thirrje për një referendum për të legjitimuar masën. Por gjykata kushtetuese dhe parlamenti refuzuan të lëvizin, dhe kjo solli krizën politike. Në fund, ngërçi u zgjidh me tanke, të cilat Jelcin i thirri për të shpërndarë parlamentin rus në tetor 1993, duke lënë të vdekur 147 njerëz.
Sigurisht, shumë anëtarë të parlamentit ishin kundërshtarë të Jelcinit dhe ekipit të tij dhe ndoshta donin ta kthenin kohën pas. Por ishte Jelcin ai që krijoi një precedent të ri të rrezikshëm për mënyrën sesi do të zgjidheshin mosmarrëveshjet mbi të ardhmen e vendit. Tanket, jo votat, do të vendosin. Jelcin dhe ekipi i tij nuk u ndalën me kaq. Ata u përplasën me një kushtetutë që sanksiononte një president të fuqishëm me dekrete të forta dhe kompetenca vetoje dhe pa kontrolle dhe balanca serioze.
Më kujtohet ende një bisedë ndriçuese që unë, një studente e reformave të Rusisë në atë kohë, pata me Dmitry Vasiliev, një anëtar i lartë i ekipit të privatizimit të Jelcinit. Kur theksova mangësitë e projekt-kushtetutës, ai tha se do ta rregullonin, nëse në pushtet do të vinte personi i gabuar. Ata kurrë nuk e bënë, natyrisht – as nuk mundeshin. Deklarata e Vasiliev përmbledh plotësisht se si reformatorët ekonomikë mendonin për demokracinë kushtetuese.
Në dhjetor 1993, kushtetuta e re u miratua përmes një referendumi, i cili u mbajt së bashku me zgjedhjet për parlamentin e ri. Kandidatët e Jelcinit pësuan një disfatë mahnitëse; por me sigurimin e kompetencave të reja kushtetuese të presidentit, reformat ekonomike vazhduan. Jelcin më pas u “rizgjodh” në vitin 1996 përmes një procesi të manipuluar që ishte planifikuar në Davos dhe i orkestruar nga oligarkët rusë të sapoformuar. Tre vjet më vonë, Jelcin e bëri Putinin kryeministër dhe e emëroi atë si pasardhësin e tij.
Demokratizimi i Rusisë mund të ketë qenë gjithmonë një rrugëdalje, duke pasur parasysh historinë e pushtetit të centralizuar të vendit. Por do ia vlente të provohej. Vendosja e keqe e përparësisë tek qëllimet ekonomike mbi proceset demokratike mbart mësime përtej Rusisë. Duke zgjedhur kapitalizmin mbi demokracinë si themelin për botën e pas Luftës së Ftohtë, Perëndimi rrezikoi stabilitetin, prosperitetin dhe, siç e shohim tani përsëri në Ukrainë, paqen dhe demokracinë – dhe jo vetëm në Europën Lindore. Project Syndicate/ Gazeta MAPO
*Katharina Pistor, Profesore e së Drejtës Krahasuese në Shkollën Juridike të Columbia-s, është autore e Kodit të Kapitalit: Si ligji krijon pasuri dhe pabarazi (Princeton University Press, 2019).