Nuk është vetëm Skënderbeu klubi që sipas vendimit të UEFA-s s’duhet të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Qeveria e futbollit europian, në bashkëpunim me federatat e shtatë shteteve në Europë, ka marrë vendime drastike për skuadra me probleme financiare dhe të përfshira në manipulime ndeshjesh. “Panorama Sport” zbardh precedentët në Europë, pikërisht të skuadrave që nuk lejohen të marrin pjesë.
Në mars të vitit 2018, Skënderbeut të Korçës iu dha një pezullim 10- vjeçar nga garat e UEFA-s për fiksimin e ndeshjeve. Ata e mbaruan sezonin si kampionë të Superiores dhe fitues të Kupës, por Kukësi, si i dytë në renditje, do të hyjnë në Ligën e Kampioneve 2018-19 UEFA, në vend të pjesëmarrjes në Ligën e Europës. Si rezultat i kësaj, pjesëmarrja në raundin e parë të Ligës së Europës i është dhënë Partizanit, skuadrës së pestë në renditjen e Superiores.
ARMENI – Shirak, skuadra e renditur e katërta në Premier Ligën armene në sezonin 2017-18, u penalizua nga Federata e Futbollit të Armenisë për fiksim ndeshje. Nëse ata nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat europiane, në pritje të ndonjë procedure disiplinore nga UEFA, ata do të zëvendësohen nga Pyunik, ekipi i renditur i pesti.
ESTONI – FCI Tallin duhej të kualifikohej për raundin e parë kualifikues të Europa Ligë, si ekipi i katërt në kampionat për sezonin 2017, por ai klub u shpërbë dhe u bashkua me Levadia Talin. Si rezultat, pjesëmarrja i është dhënë ekipit të pestë në renditje, Narva Trans.
KAZAKISTAN – Ordabasi u kualifikua për raundin e parë kualifikues të Europa Ligë, si ekipi i tretë i Premier Ligës së Kazakistanit për vitin 2017, por nuk arriti të marrë licencën nga UEFA. Si rezultat i kësaj, pjesëmarrja i ka kaluar ekipit të vendit pestë, Tobol.
MOLDAVI – Dacia Kishinau siguroi pjesëmarrjen për raundin e parë kualifikues të Europa Ligë, si ekipi i katërt i kampionatit moldav për vitin 2017, por u shpërbë pas sezonit. Si rezultat i kësaj, pjesë- marrja i kalon ekipit të pestë, Zaria Balti.
PORTUGALI – Desportivo Aves siguroi pjesëmarrjen për fazën e grupeve të Ligës së Europës, por nuk arriti të licencohet nga UEFA. Si rezultat, Sporting CP, ekipi i tretë në klasifikim për sezonin 2017-18 në Primeira Liga, hyri në fazën e grupit në vend të Desportivo Aves. Ndërsa Braga, ekipi i katërt i ligës, zë vendin e Sportingut në raundin e tretë kualifikues, në vend të raundit të dytë. Rio Ave, që u rendit i pesti në fund të sezonit, zë vendin e Bragës në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Europës .
RUSI – Tosno siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Europës, si fituese e Kupës së Rusisë, 2017-18, por nuk arriti të licencohet nga UEFA. Si rezultat, Krasnodar, ekipi i katërt i Ligës së Rusisë, hyri në fazën e grupeve në vend të raundit të tretë kualifikues. Zeniti, skuadra e pestë në renditje, hyri në raundin e tretë kualifikues në vend të Karsnodarit. Ndërsa Ufa, ekipi i gjashtë në renditje, zë vendin e Zenitit në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Europës.
UELLS – Bangor Siti siguroi pjesëmarrjen në raundin paraeliminator të Europa Ligë, si e dyta e Premier Ligës së Uellsit, 2017-2018, por nuk arriti të licencohet nga UEFA. Për shkak se ekipi i tretë në renditje, Konah Nomads, ishte fituese e Kupës së Uellsit, pjesëmarrjen në Ligën e Europës e siguron, Bala Taun, si e katërta në renditje.