Dikur

Nga veprimtaria e komitetit ‘Mbrojtja kombëtare e Kosovës’




               Publikuar në : 09:43 - 13/04/19 |
mapo.al

Pjesë nga libri ‘Dëshmi të barbarizmave sllave ndaj shqiptarëve’


Nga Veli Haklaj

VIJON NGA NUMRI I DJESHËM

Në kuadër të sensibilizimit të qarqeve politike dhe opinionit evropian dhe amerikan për çështjen shqiptare, një punë të lavdërueshme ka kryer dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, e konsideruar si organizata politike më e fuqishme e kohës.

Banac, duke cituar burime shqiptare, shkruan se më 1918 “ushtria serbe shkatërroi zonën e Podgor Metohisë (afër Pejës), duke masakruar gra dhe fëmijë dhe duke shkatërruar 138 shtëpi. Ushtria masakroi 700 shqiptarë në Roxhajë (Sanxhak) dhe 800 në zonën e Gjakovës, ndërsa në mesin e shkurtit të vitit 1919, përdori zjarr artilerie për të shkatërruar 15 fshatra në grykën e Rugovës”.

Sipas Dr. Nevila Nika, “grumbullimi e përpunimi i gjithçkaje që ishte shkruar e ishte botuar për problemin shqiptar përbënte përparësi për Hoxha Kadriun e bashkëpunëtorin e tij të afërt, Bedri Pejanin. E gjithë kjo punë voluminoze, e shoqëruar me përpunimin e informacionit, që vinte nga degët e Komitetit në qytete të ndryshme të Kosovës, kishte si rezultat hartimin e statistikave shkencore tepër të përpikta për strukturën e popullsisë në krahinat e mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë, si edhe përpilimin e listave rrëqethëse mbi barbaritë, ose, thënë ndryshe, gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve prej ushtrisë serbo-malazeze”.

Sipas burimeve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, Serbët, në vitin 1918, gjatë ripushtimit të Kosovës, kanë mbytë e kanë vrarë 30 000 vetë, kanë djegë 168 katunde me 4 869 shtëpi dhe shumë shqiptarë janë detyruar të lenë shtëpitë e trojet e tyre… Në Dibër e në rrethet e Shkodrës serbët kanë djegë 7 800 shtëpi, kanë mbytë mijëra vetë dhe më se 45 000 refugjatë janë detyruar të largohen drejt Tiranës e Shkodrës.
Po kështu, nga përllogaritjet e përafërta të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” del se rreth 250 000 shqiptarë u vranë e u dëbuan për pak vite nga trojet amtare. Qeveritë e Evropës dhe SHBA, falë punës titanike të Komitetit, kishin në tryezat e tyre një pasqyrë realiste të tragjedisë që po zhvillohej jo larg zemrës së Evropës…

3.1 Letrat e Beqir Vokshit për Hoxhë Kadri Prishtinën

Beqir Vokshi, nipi i Sulejman Vokshit, nga Gjakova, ka mbajtur një korrespondencë të vazhdueshme me kryetarin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, Hoxhë Kadri Prishtinën, duke e informuar për situatën konkrete në territoret e Kosovës të pushtuara nga forcat serbe. Në këto letra gjejmë fakte dhe prova për dimensionet e masakrave serbe ndaj shqiptarëve.

3.2 Të dalunit në mal të Beqir Rexhës e lufta në Podgur

Në një nga këto letra, përveç të tjerave, Beqir Vokshi informon Hoxha Kadri Prishtinën për daljen në mal të Beqir Rexhës dhe luftën në Podgur. Ja çfarë shkruhet në letër:

… Beqir Rexha i Podgurit, bajrak i Gashit, prej katundit të Kerninës, si kryetar i Perlimtarës në Rakosh, tuj kenë se deri tashti ka shërbye tuj i krye të gjitha detyrat qi i kan takue, për kah zyrtarizmi, mbas padies qi i kan bá disa spiuna e sidomos serbiant kundra tij, tuj thanë se po i bán konak Azem Galicës e komitës shqiptare, ásht thirrë në gjygj në Mitrovicë e ka mujt me e fitue gjygjin. Më 29 shkurt 1920 ásht kthye me ardhë në Istok t’u Nënprefekti i vendit, të cilit i ka diftue për çáshtje të gjygjit.

Nënprefekti i vendit i ka dhënë urdhën Beqir Rexhës qi sa má shpejt me shkue atje, ashtu si ásht kenë má përpara, edhe i ka bá me dijtë se me të shpejtë ásht i detyruem me i mbledhë armët edhe me i bashkue djelmoçat shqiptarë për me i çue asqer.

Beqir Rexha, më 1 mars 1920, në nadje herët, ásht shkue në katundin e vet Kernina, prej ku do të shkojke në Perlimtare, por kur ásht afrue afër katundit të vet ásht ndeshë me ushtarë serbë, të cilët e kishin pasë rrethue katundin tinzisht. Ushtarët serbë, kur panë Beqir Rexhën e filluen luftën. Atëherë Beqir Rexhës me doemos iu ka dashtë me i kundërshtue e në këtë mënyrë ásht fillue lufta, ku me një rreptësi të madhe ka vazhdue gjithë ditën.

Kjo luftë ásht kenë tepër e rreptë e shqiptarët me nji qëndrim të lumnueshëm kan zmbrapë rob’ e thmi prej katundit tuj e shtye armikun. Në këtë ditë serbët kanë gjuejtë má shumë se 600 topa kundra shqiptarëve e n’aksham shqiptarët e këtij Bajraku, mbasi qi kanë mbetë pa fishekë, janë shtrëngue me u zmbrapë tuj shkue në male të nalta afër familjeve të veta. Në këtë mënyrë serbët mujtën me e djegë katundin Kernina, 20 shtëpi, edhe me i palçkitë edhe i dogjën shpijat e vllaznisë Ali Demaj, në katundin Ballapoja, edhe dogjën shumë shpia në katundin Padalishta.

Beqir Rexha me shqiptarë të Bajrakut të Gashit, kur panë se katundet shqiptare u mbuluen tym e flakë, mësynë katundin Tyçep ku dogjën 50 shpi të serbianëve të vendit edhe dogjën 16 shpi serbjan në katundin Belica.

Serbët me një ushtri të fortë kan zánë vendet strategjike e shqiptarët gjinden në male të larta me rob’ e thmië dhe, prej më 1 shkurt 1920 deri më 8 shkurt 1920, lufta po vazhdon e topi e pushka s’po pran asnji orë. Për këtë shkak kanë lanë shpijat e veta tuj ikë nëpër malet e nalta në k’to katunde: Kernina e Ballapoja, Istok, Veriç, Shelmenica, Padalishta e Suhagërlla, Rudniku, Shushica, Ufça edhe shumë katunde tjera qi s’po u dijmë emnat.
Zjarmi e flaka ásht tuj i shkrumue ato krahina të mjera tash 10 ditë, ku asnjë ora s’pran ky zjarrë, i cili po duket prej vendeve tona. Mbas fjalëve që folëm merret vesh se ásht djegë edhe Shushica, Ufça e shum katunde të tjera.

Në këtë ditë qi ka fillue lufta jan mbetë vdekun dy burra, dy gra e nji vajzë prej katundit Kernina. Tuj kenë se rrethimi i k’tyne krahinave ásht i fort e s’ka me mujtë kush m’u afrue aty, ásht shkue Musë Feka nëpër anë të maleve të nalta në vend të luftës, i cili në këtë javë ka m’u kthye e do të Ju dërgojmë spjegime të plota përmbi k’to lufta.

Shka po duket, në këtë pranverë kan m’u njallë luftime të panjohme në Kosovë edhe me sjellje qi kan shqiptarët me këto mosmarrëveshje ndër vedi do të digjet e mjera Kosovë mbarë. Ju lutemi me dhánë spiegime përmbi çáshtje të përgjithshme. Kërkoj me më diftue a me i lanë u shqiptarët me i dhanë armët e me shkue asqer? Ju lutemi me m’iu përgjigjë të pvetunave qi kam me Ju bá tash e mbas tashi e jo mos me m’u përgjegj si deri tash.
Parija e Rekës e sidomos të parët e Vokshit z.z. Elez Dema, Hasan Bajrami, Sadik Haziri e Hamëz Sefa e të gjith Populli i këtij vendi Ju dërgojmë të fala nga zemra.

Me nder
B. Vokshi

4. DËSHMI TË BARBARIZMAVE SLLAVE NDAJ SHQIPTARËVE NË PERIODIKUN SHQIPTAR

4.1 Memorandum i Kosovës

Kosovasit u mblodhnë këto ditë dhe u bënë një memorandum të gjatë në gjuhën frëngjishte të gjitha ministrive të jashtme të gjashtë Fuqive të Mëdha.
Memorandumi, si tregon padrejtësinë që báni Evropa tuj lanë viset krejt shqyptare të Kosovës Serbisë dhe Malit të Zi, mbaron tuj diftue mizorinat, vrasjet, premjet, të vjedhunat, të djegunat dhe të tjera dhunime që ushtritë serbo-malazeze janë ka bájnë mbi shqiptarët e Kosovës, me qëllim që me shndrrue e shkombtarue përgjithësisht popullin e këtushëm shqyptarë t’atyre anëve, tuj diftue të ndodhunat për katund e për emër që kanë ndodhë.
Ky memorandum është i nënshkruem prej krenëve të Gjakovës, Pejës, Plavës, Gucisë e i të gjithë vilajetit të Kosovës.

4.2 Dy dokumenta përmbi barbarizmat serbe dhe greke

Simotra jonë frëngjisht “L’independance albanaise”, boton në nr. 3 një dokument që u është dhënë vjet Fuqive të Mëdha prej krenëve të Kosovës, përmbi barbarizmat serbo-malazeze. Dokumenti numëron 1 827 njerëz të therur dhe 359 shtëpija të djegura. Këto barbarizma janë vetem në Kalkandelen (Tetova-V.H.), Gostivar, Jakovë, Ipek, Prizren, Dibër dhe Ohri. Ato që janë punuarë në Prishtinë, Vuçiternë, Shkup, Manastir – që janë më të shumta dhe më të tmerrshme – nuk janë numuruar. Kujtoni se këto barbarizma janë punuar në kohë paqeje, me ftohëse gjaku, dhe jo në flakë të luftës.

4.3 Luftime afër Gjakovës

N’Podrime, afër Gjakovës, n’Bajrak t’Asterzubit (nji ndër má t’n’zashmit bajrak për burrni), n’javë që shkoi kje bá nji luftë e rreptë qi zgjati katër dit e net.

Podrimasit, tuj mos mujtë me durue má gjatë mizorinat e serbve, të cilët, përpos t’kqyrunit me serbizue me forcë, dhunuen gra e varza, u ngritnë bash me burrni që vjen prej dishprimit e, tuj mos pasë armë, kapnë spata, sakica e shkopi. T’pa pushkve ju bashkuen nja gjashtëdhjetë vetë me pushkë qi ishin nëpër male.

Serbt, ndonse kishin pes’ topa dhe ishin katër taborre, nuk mujten me e shue at’ kryengritje, e cila kje shue n’gjak me t’ardhun pes’ taborre malazeze me katër topa, të cilat msynë tonët mas shpine.

Populli i pshtuem prej kerdisë s’anmikut ka hi n’kufij të Shqypnis, por prej t’ikunish kanë pshtue sall 860 vetë. Nji shumicë u mbyt n’Dri duke ikur.

Serbt nuk u kondetuen me djegë vetëm shpijat e kryengritësve, por dhe ato të bajrakut marë. S’paku shpijat e djeguna janë 1 800. Rastet e pashpirt kerdijet e mizorijet nuk i difton as goja, as penda! Ngallnim diplomacis e Gjyqës Ndërkombëtare!

4.4 Diftime n’Pejë

N’Malci t’Pejës, e bash në Gjorgjevikë, malazezt tuej pas pa nji kryengritës tuj dalë prej shpijet, mas qi nuk mujten me xanë atë, t’shtyem prej ndijimeve t’veta t’mnershme ndezne shpin brenda së cilës dogjën gjallë gjashtëmbëdhjetë rob, má e shumta gra e fëmi.
Kjo rasë e mnershme ndodhi nja dhet dit para. Shpija ishte e nji farë Ahmet Brahimit qi la jetën me gjith gjinin e miqt.

4.5 Keqbámjet sllave, 180 burra të coptuem në Ponashec

Pa as një farë shkaku 180 trima, disa dit ma parë, u shkuenë në thikë e u prenë pa mëshirë prej Qeverisë malazeze në Ponashec, Malësi e Gjakovës. Katërdhet shpia të mëdhaja të këtij katundi i dogjnë masi ju grabit malli e gjája. Treqind e pesdhet gra e fmi të vegjël, masi u s’deshnë, u qitnë jashtë kufiës në Malësi të Gjakovës, që ka met n’Shqypni, ku desin prej ujet e prej të ftoftit.

Këto ndodhin tash në këto dit kur Mali i Zi me konsujt e trimarrveshjes lypin një miqësi me Shqypninë për me shkue malli lirisht në Cernagore, ku populli vuen për shkak të luftës. Asht një turp i madh qi në kët shekull, në mes të Europës, të theren e të priten njerës në ket mnyrë qenrishte. Ç’kanë me thánë pra liberalët Inglizë, të qytetnuetit Francezë për miqtë e tyre sllavë?

4.6 Mizorinat malazeze

Tash disa ditë, antarët e hyqmit të Cetinës paditën Sadik Ramën e Ponashecit për mausere qi kishte mshefë. Masi pa veten ngushtë e rrezikun e konakut Sadik Rama i dha armët e mlueme. Për këtë sebep Sadik Rama me ropt e vet iku e hini n’tok t’Shqypnies. Malazezt e zaptuen shpin e mallin e tij tuj hi mrend. Kur muer vesh se shpija ja ba kaush, u nis Sadik Rama me do shokë tuj marrë me vedi daltën me t’cilën shpërthen murin e ships e hini mrend tuj qitë n’roje që kishin ra e fjetë. Për kët t’ndodhun, hyqmi barbar e i paarsyeshëm báni me dit Veshoviqin në Gjakovë, i cili çoi ushtarë me emër me rrethue Ponashecin e gjysën e Morinës natën, e me ditë tanë mashkujt mbi 10 vjet e përpjet me i bá batare. Tjer’t gra e fmi me i qit me forcë prej shpijave të veta, tuj lanë gjá e mallë me hi n’Shqypni.

4.7 Mizorinat serbe

Nga njerëz t’ardhun k’to dit kah vendet shqyptare qi janë nán serbë mësojm t’kqijat qi hjek populli shqyptar për të cilat shumë herë kena shkrue. Shqyptarët jo vetun grabiten, burgosen, çnderohen prej zyrtarevet serb, vriten pa ndonjë faj, por Qeveria serbe don me kallxue botës së jashtme se, në k’to ngjarje qi ajo i quen kryengritje shqyptare, kan gisht disa krenar (pari-V. H.) t’Shqypnis së lirë.

N’katundin Ponashec të Rekës s’Gjakovës, malazezt kanë mbytë e gri 116 vetë, n’mes të cilëve u gjindshin edhe gra e fëmijë. Ma t’shumtit e këtyne t’pafajmve janë coptue bishënisht. Malazezt, mbasi e kanë mbarue ket vandalizëm, familjet që kanë mbet i kanë përzanë jashtë kufinit. Ky katund përmban 36 shpië. Këto mizorina le t’i digjojn ata qi janë tuj thanë se luftojnë për lirinë e kombevet, tuj përkrahë ata qi pamëshirë mbytin gjind t’pafajshëm.

Me 11 t’keti mueji, qeveria serbe ka urdhnue që t’i merret t’tanve gjaja e gjallë. Në nji katund afër Gjilanit mblodhën 1 400 lopë, dhi e dele pa u dhanë kurrë farë dëshmijet t’zotvet. T’shkretët shqyptarë t’Kosovës, janë ka hjekin zi prej grabitjeve t’qeverisë serbe.

4.8 Shqyptarët nën burgje t’Serbisë

Lajmohemi se qeveria serbe, sikurse pat mytë aty ma parë tetë bajraktarë, të cilët u paditën qi kanë pasë marrëveshje me nji beg t’Kosovës, ashtu edhe tash kanë fillue me shti në burg do shqiptarë të pafajshëm për shkak se kanë pasë marëdhënie me Hasan beg Vuçiternin. Me këtë mënyrë kanë burgosë edhe Muharrem efendinë, t’kushërinin e Hasan Begut. Këto t’ndodhuna nuk janë për t’u habitur se serbët i kanë zakon veprat barbare. Njenin e burgosen pse áshtë shqyptar, tjetrin për me e rrjepë ma zi se n’kohë të Hamitit (sulltan Hamitit-V. H.). E dim se sundimi serb nuk don me ditë prej shkrimeve tona, po ani. I bajm këto shënime qi t’meten si kujtime për nesër e t’shofin shqyptarët e Shqypnies s’lirë se çdon me thanë robnie e veturdhenim.

4.9 Shkurtim prej nji letret qi i vjen Komitetit Kosovas më 5 shkurt

“Mbas lajmeve të sigurta qi po marrim prej Peje, populli i atjeshëm po mëkon ndën nji sundim mizuer e grabitës. Siguri jete nuk ka. Njeriu shkon kot pa u pyetë e pa u kja. Ata që ia kan vaktin në Pejë e në rrethe po gjobiten e po grabiten me 5 000 e deri 500 000 korona. Parësia shqiptare është e ndryeme nëpër shtëpia pse serbt u kanë ngjitë ka nji roje te dera e nuk i lan më folë me kërkënd.
Në krahinë të Rugovës, qi ndodhet midis Pejës e Plavës, serbt kanë sjell tri mufreze ushtarë e gjithë ça i duhet kësaj ushtrie për me jetue ia kan ngarkue njerëzies së Rugovës. E kështu populli atje janë tue dekë për bukë. Dihet që populli i Rugovës ásht kaq i vorfën sa ushqehet me ka nji barrë dru që i shet në pazarin e Pejës…”

4.10 Në Plavë e Gusinjë

Mbas lajmeve të sakta qi arritën dje në Shkodër, komitat serbe e malazeze, mbas nji lufte të përgjakshme qi kan bá pesë ditë rresht me popullin shqiptar të atjeshëm, kan zaptue me perdhuni Plavën e Gusinjën tue shkaktue të djeguna e dáme të mëdha me top, pos gjindes qi kan mbetë dekun në kët të ndeshun.
Katundi Vuthaj prej 200 shtëpish, gadi ásht rrënue krejt nën zierm të topave. Po priten tufa muhaxhirash me ardhë në Shkodër.

4.11 Populli i Plavës, Gusinjës e i Rugovës muhaxhirë në Shkodër

Pardje, të hënën, filloi tufa e parë e muhaxhirëve të duket në Shkodër, e këtij populli fatkeq të Plavës e Gusinjës, n’at hall të përvajtueshëm e vargu nuk ásht mbarue ende. Midis këtyre muhaxhirëve në vend të vet fytyronin edhe njerëzia e Rugovës, pse edhe këtë krahinë e paskan djegë e shkretue jugosllavët… Ky popull shqiptar i bámë me dalë muhaxhir, kapet deri më pesëmbëdhjetë mijë frymë, por një pjesë ka marrë anën e Malësisë së Gjakovës. Numri i atyne që kanë mbetë të dekun nuk mund të dihet pse nuk po e njeh qeni të zotin, siç thonë.

4.12 Edhe në Hot e Grudë

Marrim vesh se serbo-malazezt, mbas ndodhnjimit të tyne qi bán mbi popull të Plavës, Gusinjës e të Rugovës, tash von kan hi edhe në Hot e në Grudë. Me hovin e këtynë zotënieve na gjen si Nastradin Hoxhën kur i thanë se ka ra zierm.

4.13 Ndihma për muhaxhirët

Shkëlqesia e tij general B. de Fourton, kumandari i ushtrive aleate në Shkodër ka pasë bujarin me dhanë për këta muhaxhirë 1 000 korona e 500 kg miell. Z. Musa Juka dha 1 500 korona, z. Sulçe Bej 500 korona etj. Gjithsej u dhanë ndihmë 23 150 korona.

4.14 Shekulli i qytetërimit

Lista që përmban barbarit e mizorit serbe të kryeme në kohën e dy vjetëve në Kosovë:

Kjo është lista e përgjithshme emnore e shqiptarëve të mbytun në Kosovë prej xhandarmërisë serbe edhe fuqive disiplinare serbe, që na dërgoj Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës.

Në të gjitha krahinat e Kosovës prej të burgosunve merren ryshfete qyshë në 5 000 deri 30 000 dinarë për lirim të tyne. Por prapë zihen e burgosen për me i gjobitë rishtazi. Ndërrohen shpesh prefektat e nënprefektat vetëm për me burgosë e me gjobitë popullin mbarë. Të burgosunit nuk dënohen deri sa t’u merret e gjithë pasunija e tyne si ryshfet.
Ka ndodhë shpesh që janë burgosë e lirue 7-8 herë tue u gjobit fort randë. Nëpër burgje shumë vetë janë mbytë tue u rrahë me dru.

4.15 Shfryrje shtazore

Gazetari Bendo Shapërdani do shkruante në shtypin e kohës: “Do të kemi rastin gjatë shkrimeve që do të vazhdojnë, të shohim se çkanë qenë për Kosovën e kosovarët 23 vitet e sundimit serb. Një shfryrje shtazore për masakra, kusarira, grabitje”.

* * *

Këto fakte që u paraqitën më sipër janë vetëm një pjesë nga barbarizmat e kryera ndaj shqiptarëve nga sllavët, por qoftë edhe kaq mjafton për të definuar qëndrimin e prerë: KOSOVA SHTET I LIRË DHE I PAVARUR, NË KUFIJTË AKTUALË, ËSHTË DHE MBETET E VETMJA ALTERNATIVË. Ky realitet gjeopolitik duhet të pranohet nga të gjitha shtetet e Rajonit dhe Botës. Liria e Kosovës është liri edhe e serbëve, është liri dhe prosperitet për Kosovën dhe Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë, Malin e Zi dhe tërë rajonin e Ballkanit Kjo është zgjidhja për të tashmen dhe për të ardhmen. Askush nuk duhet ta pengojë. Të gjithë duhet ta mbështesin. Me Kosovën e Pavarur, shtet me institucione të konsoliduara të ngritura sipas parimeve te demokracive perëndimore, Ballkani do të jetë pjesë e shëndoshë dhe vitale e Bashkimit Europian dhe e NATO-s. Kjo është fitore për të gjithë.


Etiketa: ,

loading...
KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas