Aktualitet

Nga vijmë, do shkojmë




Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 30/12/19 |
Eli Kanina

Mbi romanin “Pyesni pluhurin” i John Fante


Më ka mbetur zakon nga fëmijëria të rrëfehem për gjithçka lexoj. Kaq e fiksuar kam qenë te ky zakon sa ndonjëherë e kapja veten duke llomotitur pa lidhje, derisa ndalesha se lodhesha ose kuptoja se askush nuk ma vinte veshin. E bëja me shoqet dhe kënaqesha kur ndonjëra pohonte se e kish lexuar atë libër. Pale kur gjeja dikë të ndanim detaje për personazh a histori libri, më dukej se kisha gjetur një gurore floriri që duke e gërmuar së bashku, fundin nuk ia gjeja rrëfimit dhe lumturimit tim.


Ndërsa në shtëpi, pas shpinës së mamit që lante enët, me babin kur dëgjonte lajmet, me motrën e madhe kur shtriheshim për të fjetur, monologët e mi përfundonin me një “sa llafazane je, na lodhe, shko bëj ndonjë gjë më të hajrit”. Dhe unë “e bezdisura” tkurresha e betohesha me vete se ishte hera e fundit që e bëja me ta, le të lexonin vetë po të donin e po t’ua mbante me librat.



Kështu më shkonte dëm kur ia thosha edhe gjyshit, sepse unë e nisja si tregimtare librash dhe përfundoja si dëgjuese e thekur pas atyre që më tregonte gjyshi. Ndërsa thithte çibukun dhe përzgjidhte nga fëmijëria jetime, nga koha e luftës, nga jeta në fshat, nga situatat apo sakrificat e panumërta, lloj lloj ngjarjesh të trishta dhe të lumtura, rrëfimet e mia zbeheshin e mekeshin përpara këtij libri të gjallë e të larmishëm. Gjyshi ishte një superpersonazh i fëmijërisë time, që konkuronte çdo libër që merrja në dorë.


Ndonjëherë u lexoja pjesë nga librat, vëllait apo motrave më të vogla, duke marë herë rolin e një mësueseje dhe herë duke improvizuar emisionin e së shtunës “përralla në ekran”. Por mbetesha vetë zot e vetë shkop në ato që thosha sepse të shtrenjtët e mi të vegjël, bindeshin e nuk dinin të diskutonin si mua, e shumta mësonin ndonjë vjershë përmendësh apo të ritregonin ndonjë përrallë.


Edhe ora e bisedës letrare në shkollë ishte nga më të dashurat për mua, por jo gjithmonë më binte rradha të isha protagoniste. Ndërsa duke u rritur, kuptova se duhet të përzgjedh libërrrëfyesit,se jo të gjithë i duan apo përjetojnë njësoj librat, dhe as që duan të reagojnë si unë. Sot nis e flas më pak për librat, vetëm aty ku gjej të fantaksur si veten, edhe pse vazhdoj të lexoj me të njëjtin pasion.Teksa i bëj pjesë të bisedave të mia leximet, përpiqem të ndriçohem e të kuptoj nga bashkëbiseduesi, për atë që nuk e kam kapur nga libri, por edhe për atë që mua më ka ngelur në mendje si të veçantë. Lexuesit me shije të kultivuar e tejkalojnë librin duke të dhënë edhe informacione mbi autorin apo libra të tjerë të ngjashëm. Kam kuptuar se kjo e ndihmon kujtesën ta citojë e riciklojë opinionin për një libër, kur duhet ta nxjerrësh nga arkivi i memories për ta diskutuar në një kohë tjetër.

Para disa kohësh, ndërsa isha duke lexuar Bukoëskin, po diskutoja me mikun tim Mark Simoni për stilin e tij të patëdytë, për mua të pandeshur deri atëherë tek të tjerë. Miku im, një arkivë e gjallë biblioteke të pasur, librash e dijesh, më tha se vetë Bukoëski kishte rrëfyer në një intervistë se stili i tij ishte frymëzuar prej shkrimtarit John Fante. “Fante ishte hyu im dhe unë e dija se hyjnitë duhen lënë të qetë, nuk mund tu shkelje pragun, ashtu si duke lozur”. John Fante pati efekt magjik, si mjeshtër i këtij stili në dukje zhargon e i rëndomtë, që gërshetonte me thjeshtësi humorin me dhimbjen. Por më pas kishte mbetur në hije, pa fituar publicitetin e Bukofskit.

Pasi miku im Mark Simoni më huazoi librin “Pyesni pluhurin” nuk humba kohë ta lexoj me një frymë, dhe kështu jo vetëm njoha një shkrimtar thesar nën pluhur, por mirkuptova e shijova edhe më tepër leximin e Bukoëskit, që më stononte disi, pa këtë sfond plotësues që miku im më mundësoi me John Fante.

Para disa javësh, një mbrëmje, pasi e mbylla me andrrallat e ditës, po ndiqja një film në televizor. Edhe pse filmin nuk e kapa nga fillimi, më tërhoqi me subjektin që rrotullohej rreth një shkrimtari apo një personazhi që rrekej të prezantohej gjithandej si shkrimtar. Vura re se vajza hynte e dilte nga dritarja, po kështu edhe djali që vetëquhej shkrimtar dhe duhet të ish i zoti i dhomës. Nuk e kisha ndjekur nga fillimi këtë film, nuk ia dija titullin, por ky detaj më kujtoi Arturo Bandinin, personazhin e famshëm të John Fante.

Rrufeshëm mu kujtua se në librin e tij, Arturo e kishte zgjedhur që në fillim dhomën në Hotel Alta Loma, pranë një kodre të pjerrët ku dritarja i binte, të përdorej si derë prej tij. “Kapërceva pravazin” , “u vara jashtë dritares”, “shkapërcimi i dritores”, “shiu i guralecave mbi xham që paralajmëronte hyrjen nga dritarja të Camilës”, ishin fraza që përsëriteshin kaq shumë në libër, sa edhe vetë Baldini që e kishte bërë zakon të hynte e dilte nga dritarja, të dukej një i zakonshëm me këtë ritual, anormal për mua si lexuese, por të posaçëm për stilin e tij ektraordiner.

Kureshtja më bëri që të marr pultin e ta verifikoj titullin, dhe intuita ime për Arturin u konfirmua edhe me titrat që e shfaqën “Pyesni pluhuriin”, edhe me klithmën e emrit të plotë të Arturo Baldinit në atë moment në film, nga vajza që duhet të ish Kamila. E ndoqa filmin deri në fund me kënaqësinë e triumfueses që munda ta identifikoj nëpërmjet këtij detaji filmin, por edhe duke ballafaquar kujtesën time për librin, me kuriozitetitn e realizimit të personazheve në film.

Arturo Baldini, është një personazh autobiografik që përcjell pikërisht jetën e lirë prej endacaku, të dhënë pas pijes, me ëndrrën e talentin për të shkruar, është vetë autori John Fante. Kapërcimi i pravazit jo vetëm ishte si lehtësim daljeje nga hoteli, por edhe për t’iu shmangur zonjë Hardgraves që e bezdiste për qiranë e hotelit, por edhe zotit Hellfrick, oficerit ateist në lirim, të cilit i shkojnë jargët për të ngrënë mish, gjithsaherë e përball dhe fërkon duart e lythta me stërbetimet e rreme se nuk do pijë më.

Përshkrimet që autori nëpërmjet Arturo Bandinit i bën raportit me femrat, na prezantojnë tipologji të ndryshme si kamarjerja meksikane Camilla Lopez, Vera Rinken, gruaja hebreje e vetparagjykuar për të metat e trupit të saj të masakruar, vajzat e bareve, Jean, bjondja e rëgjuar nga hallet tek King Edëard Cellar, Evelyn nga Minnesota me motrën e saj Vivian tek Fifth Street, me jetë të trishta e pa asnjë shans…

Nga të gjitha, kuptojmë qëndrimin që ai ka ndaj femrës, duke mos i parë si objekt seksi por si pasqyra apo produkte të rrethanave e realitetit nga vijnë, me të cilat nuk dëshiron të ndajë shtratin por shpirtin, duke bashkëbiseduar për fatet që u ka rënë për pjesë të jetojnë. I sjellshëm, i butë e romantik ndaj të gjithave, por duke mbetur stoik para syve të tyre unshorë, po i njëjti “as mish, as peshk, as skrrajë”. I mjerë, por kurrë i poshtër, i poshtëruar por edhe fisnik. Pa përfituar prej tyre, ai lejon të përfitojnë prej tij, me vetëdijen e një fisniku.

Lëndimi është një veçori e jetës së Arturos, që atë e ka ndjekur nga fëmijëria në Kolorado ku përbuzej si emigrant me origjinë italiane. Bashkë me mjerimin nga jeta e çrregullt prej endacaku, e kthejnë në lëndues të Camilës, kur i kujton se është e lindur veç për huarachas( lloj këpuce e sheshtë) si një meksikane lëkurëtrashë. Një reagim shpagues për të thyer krenarinë me të cilën ajo e sfidonte, kur i spërdridhej tek Columbia Buffet. Herë herë, i penduar për arrogancën prej amerikani, Arturi bëhej i ndjeshëm aq sa bashkë me fjalën i gurgullonte një vrushkull vuajtje dhe shndërrohej në mëkues plagësh si tek Vera Rinken, kur i kthen vizitën në Los Axhelos, gjithmonë si një human fisnik.

Tërmeti gjatë vizitës në Los Anxhelos, ishte një përvojë e veçantë për Arturon. Kur ndërtesat shkërmoqeshin si biskota, pluhurnaja mbështillte gjithkafin, njerëzit vërtiteshin si turtullesha, deti me tokën u përsheshën, teksa zhabllima vazhdonte dhe ai deri atëherë rebeli i paepur e kundra rrymës, tani turret me të tjerët, si të tjerët, të shpëtonte veten, të mbetej në jetë. Kur pluhuri u bë mbret, ia ktheu kuptimin e jetës prej vdekatari, dhe i kujtoi Arturos, ta jetonte pasionin e çastit, pa sedra e pretendime, jeta duhet marrë si të vijë.

Jeta është tragjedi e ëmbël dhe e hidhur, kurvë e shkëlqyer që të çon drejt shkatërrimit. Ajo nis si një syth që del nga pluhuri për tu bërë, bar, lule, pemë, e pas ciklit biologjik përfundon e mbuluar me pluhur, sikur të mos kish qenë kurrë. Pluhuri i vendit që përshkruhet nga Est dhe Middle Ëest, zhdukja e Verës nën pluhurin e tërmetit, ikja e Kamilës prapa kodrinave, tej pluhurit të shkretëtirës, madje edhe flakja e librit me dedikim për Kamilën, në pluhur, andej nga ajo ishte zhdukur, duket se e përligjin pyetjen e titullit. Lexuesit i mbetet ta kuptojë vetë se ku rreh autori të gjejë përgjigjet, çfarë ka nën atë pluhur, përse duhet pyetur ai..

Pavarsisht pluhurit të rrugës, pluhurit të kohës, pluhurit të fantazisë të mendjeve krijuese , që e bëjnë botën të duket një hambar pluhuri, por edhe një zbulim magjik, libri të shkund pluhurin, sa herë lexohet. Më mrekullon mesazhi që përcillet nga bindja që ripërtërihet tek njerëzimi pas çdo sfide. Mbajeni vëth në vesh:
Bota është pluhur dhe në pluhur do të kthehet!


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas