Gjatë një konference për shtyp, presidenti Ilir Meta analizoi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, nga votat e pavlefshme e deri te shkeljet gjatë procesit.
Numri i lartë i votave të pavlefshme, tha kreu i shtetit, bën që kushdo të dyshojë.
“Të mos harrojmë se në këto zgjedhje kemi shumë fletë të pavlefshme dhe kushdo ka të drejtë që të dyshojë, se ky numër nga 25 mijë ka shkuar në 83 mijë. Duhet që të mos preket asnjë kuti apo fletë votimi. Të numërohet dhe rinumërohet çdo gjë, se pamjet janë aty. Mund të shihet nëse një fletë ka dy kryqe dhe nëse janë bërë nga votuesi apo numëruesi. Numëruesit dhe vëzhguesit të lënë çdo bashkëpunim që kanë pasur për cenimin e votës“, u shpreh Meta.
Presidenti u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të mos e cenojnë procesin zgjedhor dhe theksoi se çdo krim zgjedhor do të rëndojë pozitën e atyre që e kanë bërë.
“U bëj thirrje të gjitha forcave politike që të mos e cenojnë më tej këtë proces dhe të numërojnë dhe rinumërojnë çdo votë që është hedhur nga qytetarët në kutitë e votimit. Çdo krim zgjedhor e rëndon shumë pozitën e tyre që do të përfshiheshin në krime të tilla për të mbuluar ato që kanë ndodhur. U bëj thirrje forcave politike që të mos merrem me analiza të zgjedhjeve, sepse nuk kanë përfunduar, por t’i shërbejnë procesit me integritet”, tha ai.
Meta i kërkoi edhe të gjitha organeve zgjedhore në vend, si dhe Gjykatës Kushtetuese që të jenë në gatishmëri të gjithë këtij procesi.
Zgjedhjet nuk kanë përfunduar
Referuar procesit zgjedhor Meta tha se votimet kanë përfunduar, por jo procesi zgjedhor, pasi ka edhe ankimime.
“Mos u çfokusoni nga zgjedhjet. Zgjedhjet nuk kanë përfunduar, votimi po. Rezultati vazhdon dhe i ka të gjithë mundësitë që të jetë vetëm një rezultat paraprak, sepse numërimi nuk ka përfunduar dhe ankimimet nuk kanë nisur akoma pa u shpallur rezultatet nga KQZ-ja“.
Sipas Metës, në raport me rezidentët në vendin tonë, kanë marrë pjesë 74% e qytetarëve duke iu përgjigjur thirrjes së presidentit.
“Në radhë të parë dua të falenderoj të gjithë shqiptarët që morën pjesë në zgjedhje. Kanë marrë pjesë në zgjedhje të paktën 74% e shqiptarëve që janë rezidentë në vend. Ju e dini se emigrantëve ju mohua kjo e drejtë. Po ashtu, edhe atyre që ishin prekur me Covid. Nga 2.2 milionë votues në vend, kanë marrë pjesë 1.6 milionë“.
Meta shtoi se shumë qytetarëve iu hoq e drejta për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit.
LEXO EDHE:
SMS fyese në emër të Presidentit, Meta: Më hakoi një grup kriminal, do hetohet