fbpx

Bota

Ngahet nga jeta “babai” i Champions League, Lennart Johansson





               Publikuar në : 18:02 - 05/06/19 |
mapo.alm

Bota e futbollit i jep lamtumirën Lennart Johansson. Ish-presidenti i UEFA-s u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare pas një sëmundjeje. Drejtuesi suedez është promovuesi i formatit modern të Champions League, që u krijua në vitin 1990, pikërisht në vitin e parë të presidencës së tij në Konfederatën Europiane të Futbollit, pozicion të cilin ai e mbajti deri në vitin 2007.


I lindur në vitin 1929 në Stockholm, Johansson e nisi karrierën si drejtues në klubin e tij të zemrës AIK Solna, përpara se të zgjidhej president i Federatës suedeze të Futbollit në vitin 1984, detyrë që e ushtroi deri në vitin 1991. Pas kësaj, karriera e tij mori një ngjitje të menjëhershme, pikërisht në UEFA, institucion të cilin e shndërroi edhe në superfuqinë aktuale të futbollit. Ai u zgjodh edhe si president nderi i saj.



Falë punës së tij, kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube, që dikur quhej Kupa e Kampioneve, u zgjerua dhe u shndërrua në Champions League që njohim të gjithë, e ku marrin pjesë pothuajse të gjithë futbollistët më të mirë në botë, ndërkohë që ka bërë për vete me miliona e miliona tifozë në mbarë botën.


Në nder të Lennart Johansson u mbajt edhe një minutë heshtjeje në momentin e hapjes së Kongresit të FIFA-s në Paris. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në fillimin e çdo ndeshjeje të kualifikueseve të “Euro 2020”, “Nations League” dhe ndeshjeve të skuadrave U21.


Etiketa: , ,

Pas