Komisioni i Pavarur i Apelimit ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Apelit Administrativ, Artur Malaj. Malaj e kishte kaluar me sukses vetingun në KPK, por ngeci në hallkën e dytë që është KPA-ja.
Malaj ishte paditur nga Komisioneri Publik i cili deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të paplotë, të pasaktë, të pamjaftueshëm të pasurisë dhe nuk arrin të justifikojë me burime të ligjshme pasurinë e tij.
Komisioneri Publik i qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit duke kërkuar ndryshimin e vendimit nr. 62, datë 03.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti kundërshtimet e tij mbi secilin prej shkaqeve të ankimit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 62, datë 03.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues doli sot me vendimin për ta shkarkuar gjyqtarin Malaj.