Dikur

Ngjarje historike mbledhë dhe përshkruar prej Tahir Zajmit






               Publikuar në : 08:33 - 05/06/19 |
mapo.al

Përgatiti: Veli Haklaj


  1. Hyrje

Gjatë vitit 1937, iu kushtua një kujdes i veçantë propagandimit të forcimit të ndjenjave kombëtare. Kremtimet e 25-vjetorit të indipendencës patën për shqiptarët një kuptim të thellë, jo vetëm brenda kufijve, por edhe jashtë. Siç do evidentonte revista e përmuajshme “Diana” (dhjetor 1937), “gjithë shqiptarët të mbledhur rreth Mbretit të tyre, që bëri te realizohet ëndrra e atyre të cilët ranë dëshmorë në fushat e betejave plot gjak, kremtuan një çerek shekulli të jetës së lirë të tyre. Mysafirët e huaj, të drejtuar drejt prijësit tonë gjenial, panë tashmë se populli shqiptar bëri brenda 25 vjetëve atë çka bënë edhe popujt e tjerë, çka është më e pacenueshme: Unitetin Kombëtar.”

Miqtë e shquar të Shqipërisë, duke u larguar pas kremtimeve madhështore, u çuan kombeve të tyre lajmin, se “Shqipëria me tërë pamjen e saj të bukur e të qeshur është një vend i qytetëruar e që shqiptarët përpiqen për mbarëvajtjen e vendit duke u bërë kështu një element i shëndoshë paqeje e përparimi”.

Për programimin, organizimin dhe kryerjen sa më mirë të veprimtarive dhe manifestimeve, me vendim të Këshillit të Ministrave, në janar 1937 u krijua Komisioni për përgatitjen e programit të Kremtimit të 25-Vjetorit të Vetëqeverimit; ndërsa në fazën finale të festimeve, më 4 tetor 1937, Këshilli i Ministrave krijoi Komisionin e Posaçëm për Kremtimin e 25-Vjetorit të Pavarësisë Shqiptare. Ndërkohë, në çdo prefekturë, nënprefekturë dhe bashki apo komunë u krijuan komisionet përkatëse, të cilat, përveç të tjerave, grumbulluan  informacione me mjaft interes për ngjarje dhe personalitete me kontribute të shquara në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Në këtë kuadër, në përgjigje të urdhrit nr. 19, datë 10 qershor 1937, prefekti i Kosovës Abdurrahim Hoxha, më 24 korrik 1937, i dërgoi Komisionit Qendror të Kremtimit të 25 – Vjetorit të Vetëqeverimit, Tiranë, përshkrime historike me disa ngjarje të Kosovës me karakter kombëtar. Ngjarjet historike janë mbledhë dhe përshkruar prej Tahir Zajmit, nga Gjakova, veprimtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ushtrues detyrash në administratën civile të shtetit shqiptar në mesin e viteve ’20, gjatë viteve ’30 dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas kujtimeve të vetë Tahir Zajmit, këto tregime historike i ka marrë në vitin 1925 prej 1) Ali Komonit, nga Gjakova, burrë 80-vjeçar, që kishte njoftë mirë personat dhe ngjarjet e asaj kohe; 2) prej Ram Brahimit nga Botusha, i cili kishte qenë sejmen e pushkatar i Bajram Rrustemit (një nga krerët e fisit të Gashit) dhe ishte ndodhë personalisht në rrethimin e Mehmet Ali Pashës në Gjakovë (shtator 1978), dhe 3) prej Ibrahim Sahitit, vllau i bajraktarit të Hasit, i cili ka pas qenë Prijës i luftëtarëve hasjanë.

Në vijim të këtij dossieri, po japim për lexuesin e gazetës “Mapo” disa nga këto dokumente, që trajtojnë ngjarje historike për Kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare kundërosmane të vitit 1912.

Sqarojmë se çështjet që lidhen me përmbajtjen e tre paragrafëve të fundit të dokumentit të tretë (Kryengritja e Kosovës), që reflektojnë dhe subjektivizëm të Tahir Zajmit, do të trajtohen në një punim tjetër të autorit të këtij punimi.

  1. Lufta në Qafën e Ram Ahmatit

Në qershorin e vitit 1910, në kohën që xhonturqit po zhvillojshin operacionet e mëdha nën komandën e Shefqet Turgut Pashës, një fuqi ushtarake prej katër batalionesh ishte dërguar për të pushtue e nënshtrue Hasin, ku një grusht shqiptarësh trima t’drejtuem nga Isuf Beg Dibra (Isuf Beg Karahasani) dhe nga Rexh Bajraktari i Vllahnës kishin vendosë me provue fatin e armëve të tyne për herën e fundit. Mbas një lufte të rreptë që u zhvillue në Qaf t’Ram Ahmatit, mbi katundin Nikoliç, ku kishin mbërri dhe fuqi të shumta me Turgut Pashën në krye, fuqia shqiptare ngelë pa bukë e pa municion tue mos mujtë me i bâ ballë zjarrmit të furishëm të artilerisë turke dhe mbas një qëndrese heroike prej 20 orësh u shpartallue keqas, tue marrë rrugën e arratisë, Isuf Begu me 700 dibranë për në Dibër dhe Rexh Bajraktari me shokë nëpër male.

Si përfundim i kësaj përpjekjeje të përgjakshme kishin mbetë në lâmë të luftës mâ se 35 shqiptarë të vramë e të plagosur, ndërsa turqit për me u shgjakësue kundër shqiptarëve të mjerë dhe me shfry mënin e tyre t’egër plaçkitën shumë katunde dhe dogjën e rrënuen gati krejt banorët e katundeve të Vllahnës e të Nikoliçit.

  1. Lufta e Qafës Zylfajt

Në pranverën e vitit 1912, populli i Qarkut të Gjakovës (Rekë, Has e Malësi e Gjakovës-Tropoja), për mos me iu bindë autoriteteve qeveritare dhe për me shkundë vedit zgjedhën turke, kishin rrok armët dhe po mësyjshin në drejtim të qytetit, por qeveria e informueme kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për me e mbajtë qetësinë e vendit dhe kështu, nën komandën e Osman Pashës, dërgoi një fuqi ushtarësh në vendin e quajtur Qafa e Zylfajt, ku filloi përpjekja e parë që vazhdoi plot tri ditë e tri netë. Mbetën mâse dyqind të vramë e të plagosun nga shqiptarët, ndërsa pjesa mâ e madhe e ushtrisë turke u shpartallue e u çarmatos.

Lëvizja erdhi tuj u zgjânue e tuj u përgjithësue, për me e marrë mâ vonë emnin Kryengritja e Kosovës.

  1. Kryengritja e Kosovës

Mbasi shërbimet dhe sakrificat e shqiptarëvet për fitimin e lirisë dhe shpalljen e konstitucionit turk nuk po çmoheshin më, por, përkundrazi, kishin fillue me u shpërdorue në dâmin e tyre nga ana e xhonturqve, të cilët kërkonin me çdo mënyrë me i shkombtarizue të gjitha kombet e elementat nën sundimin e Perandorisë Osmane, për me mujtë kështu me i asimilue e me i shkri veçorinat e tyne kombëtare nën emnin osmanlli, mâ fort se në çdo vend tjetër, në Shqipni filloi pakënaqësia dhe reaksioni e, për konseguencë, ndër malet e Kosovës u hodh shkëndija e parë e revolucionit që kishte për qëllim zhdukjen e robnis dhe fitimin e pamvarësisë kombëtare.

Mâ parë u  formuan disa çeta aty-këtu sa me e turbullue gjendjen dhe mandej, për me e organizue kryengritjen dhe me i dhânë kësaj karakterin kombëtar që shfaqej në shpirtin e popullit, u shënua mbledhja e Junikut (qendër e Rekës së Gjakovës), ku bâjshin pjesë kryesore: Riza Beg Kryeziu, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Ahmet Berisha, Parsija e Pejës dhe krênt e bajraktarët e qarqeve të Gjakovës e të Pejës e të viseve të tjera të Kosovës.

Qeveria turke, për me i bâ ballë gjendjes së krijueme nga mbledhja e Junikut, kishte sjellë në Pejë e në Gjakovë disa batalione ushtarë tuj i vendosë në pozicione strategjike.

Por, në qershor 1912, Malsija [e Gjakovës] e Hasi, tuj iu përgjigjë kushtrimit të parisë revolucionare, kishin rrokë armët i madh e i vogël dhe po me synim në drejtim të Gjakovës. Të katër batalionet e ushtarëve turq kishin zânë prita të forta e po bâjshin rojen me kujdes në Qafë të Prushit dhe ndër qafa të tjera që ishin të përshkueshme.

Kështu filloj ndeshja e parë në Qafë të Zylfajt, afër Qafës së Prushit, dhe mbas një luftimi të përgjakshëm, që vazhdoj plot tri ditë e tri netë, fuqija qeveritare u shpartallue keqas tue u shtrëngue me u tërhjekë në Gjakovë. Në lâmë të luftës kishin mbetë mëse dyqind shqiptarë të vrarë e të plagosun (qershor 1912).

Mandej lufta vazhdoj dhe për tetë ditë të tjera, deri sa ra Gjakova në dorë të kryengritësve shqiptarë. Tashmë kryengritja kishte fillue me u përgjithësue e me u përhapë në të tâna viset e Kosovës e numri i kryengritësve po shtohej gjithnjë e mâ tepër.

Në anën tjetër, nga revolucionarët e Junikut ishte organizue edhe një marshim tjetër mbi Pejën, ku prefekti i vendit, major Xhafer Tajari, ishte mundue me marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e qytetit. Por, sado që në katundin Strellcë në fillim u bë një përpjekje e përgjakshme dhe shqiptarët të rrahun prej artilerisë turke u shtrënguen të zmbrapsen, prapë sulmi u përsërit kundra Pejës, e cila ra nën pushtimin e kryengritësvet shqiptarë, siç ranë mandej një e nga një edhe Prizreni, Mitrovica, Vuçiterna, Ferizajt e Prishtina. Kështuqë kryengritja e përbâme prej mâse katërdhjetë mijë shqiptarësh tash mâ po futej në lojën e saj serioze me regjistrue mâ të madhen kryengritje që kishte njoftë deri atëherë historia e Kosovës.

Ndërkohë, qendra e kryengritjes ishte vendosë në Prishtinë, ku paria e revolucionit po zhvillonte aktivitetin e saj të jashtëzakonshëm për me realizue qëllimin e dëshiruem. Atje kishin mbërri edhe shumë krenë e nacionalistë të dërguem nga viset e tjera të Shqipërisë, si me thânë: Abdi Toptani, Marka Gjoni, Mustafa Kruja, Sali Hoxha Elbasani (ky i fundit i dërguemi i Ismail Qemalit) etj., etj. dhe shumica e krahinave të Jugut përfaqësohej nga Hasan Prishtina dhe mbas disa kundërshtimeve midids krenëve shqiptarë u vendos që t’i drejtohet Portës së Naltë të Stambollit një memorandum me 14 pika, ndër të cilat, si mâ kryesoret, ishin këto:

  1. Ndarja administrative e viseve shqiptare bashkë me caktimin dhe njohjen e kufijve të Shqipnis etnike.
  2. Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe i Janinës, që do të qeveriseshin nga nëpunësa shqiptarë, do të përbâjshin Shqipnin autonome.
  3. Mësimi do të ishte i lirë dhe si gjuhë zyrtare ndër shkolla do të përdorej gjuha shqipe.
  4. Shërbimi ushtarak do të kryehej në vend, në kohë paqe, dhe, në kohë lufte, ku të shfaqej nevoja.
  5. Të ardhunat shtetnore dhe taksat që do të vërtetoheshin në të katër vilajetet e Shqipnisë do të shpenzoheshin në vend.
  6. Nëpër qendrat e vilajeteve do të depozitoheshin sasina të mjaftueshme armësh dhe municionesh, që t’u gjindshin këto në dispozicion të shqiptarëvet për rasën e ndonjë sulmi eventual nga ana e shteteve të Ballkanit.

Më një fjalë, kryengritësit shqiptarë kërkojshin krejt ndarjen politike dhe autonominë e Shqipërisë me një farë protektorati provizor të Perandorisë Osmane.

Dhe për me bisedue direkt e me ardhë në marrëveshje me krent’ e revolucionit mbi kërkesat shqiptare Qeveria e Stambollit dërgoi në Prishtinë një komision, i cili përbëhej prej Ibrahim Pashës dhe Ali Danish Beut (ky i fundit nga familja e njohun e Gjinollit të Prishtinës), që ishte dhe ministri i Punëve të Mbrendshme të Qeverisë Turke.

Megjithëse u arrit deri diku në një farë ujdie, mbasi Qeveria Turke kundërshtonte pikat mâ me rândësi të kërkesave shqiptare, si çështja e autonomisë etj., Komisioni Turk kthen prapë për në Stamboll dhe shqiptarët kryengritës që zotnojshin gjendjen, më 12 korrik 1912, zbritën në Shkup, ku kishin mbërritë edhe shumë personalitete nga parsija shqiptare, ndër të cilët Mehmet Pashë Dërralla, Fadil Pashë Toptani etj. Dhe, ndërsa po bâheshin përgatitjet e nevojshme për shpalljen e Indipendencës së Shqipërisë, një mosmarrëveshje midis prijsave të kryengritjes bâni që të dështojë qëllimi i nâltë dhe të përmbyset e tânë ajo ndërtesë madhështore që ândrrojshin nacionalistat.

Kështuqë, në një anë, intrigat e shteteve ballkanike që zhvilloheshin me shumë aktivitet për me i përça e me i ngatërrue shqiptarët ndër veti dhe, në anën tjetër, influenca e Riza Beg Kryeziut që luante rolin mâ me rândësi në këtë lëvizje, shkatërruen që në themel kryengritjen ideale tue i dhânë kësaj një karakter që kurrë nuk e kishte pasë në ved-vedi, d.m.th. kuptimin absurd sikur ajo ishte organizue me qëllim që të rrëzonte xhonturqit nga fuqia dhe të marshonte përmbi Selanik për me e lirue nga burgu Mbretin e ç‘fronsuem, Sulltan Hamitin.

Kjo situatë e marrë, ose me thânë kjo tradhti e Riza Beut i çoj nacionalistat shqiptarë në deziluzionin mâ të mâdh që mund të pësoj shpirti i njeriut, aq sa mendojshin për një atentat kundra jetës së tij. Bile, thuhet se në këtë komplot kishte marrë pjesë edhe djali i madh i Riza Beut, Ali Kryeziu, që, krejt në kundërshtim me mendimet e të atit, ishte një djalë plot me ndjenja patriotike.

Si përfundim i kësaj mosmarrëveshjeje fatale midis krenvet egoista të Kosovës, qëllimi ideal i kryengritjes shembet e dështon në dëmin e madh të Shqipnisë etnike dhe kryengritësit shpërndahen tue marrë me vedi dëshprimin e madh që mbas disa muajsh do të sillte okupacionin e Shqipnisë nga shtete besëlidhuna të Ballkanit.


Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas