Avokat Spartak Ngjela vijoi sot me postimet në rrjetet sociale, duke u marrë edhe me akuzat e ditës së djeshme se ambasadori amerikan, Donald Lu ka kërkuar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, arrestimin e Ilir Metës.
“Meta detyron Llallën të gënjejë për ambasadorin amerikan, me qëllim që të provokojë politikën amerikane: menjëherë dolën bishtat injorantë të flisnin sikur ka pasur komplot kundër Metës. Domethënë, Amerika do të bëjë komplot kundër një gurthyesi shqiptar.
Tani që të tre, Berishën, Ramën dhe Metën, i kap Reforma në Drejtësi, në funksion të ligjit antikorrupsion. Eliminimi i gjyqtarëve të korruptuar po vijon si proces me emra konkretë, dhe njëherësh dallohet se po spikat edhe dorëheqja e mëtejme e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë.
Kryesore në këtë proces për pastrimin e gjyqësorit, është fakti se gjithçka po drejtohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Prandaj, paanësina dhe rreptësia në luftën anti korrupsion sigurisht që do jetë një vepër historikë për shqiptarët që, më në fund, po i hyjnë ngritjes së institucioneve të dhënies së drejtësisë dhe të vendosjes së moralitetit në qeverisjen shqiptare, sipas reformës së nisur,” shkruan Ngjela.
Por një nga këshilltarët e Ilir Metës, Emiljano Aleksi i është përgjigjur në rrjetet sociale.
“Zëdhënësi i vetshpallur i FBI-së sot u konvertua në avokat mbrojtës të ish-kryeprokurorit Llalla!
Por, nuk është kjo rruga për t’u bërë drejtor i SPAK-ut për të shlyer borxhet e jetës luksoze!” shkruan Aleksi.