Ekonomi

NIK, një shekull në shërbim të shtetit polak





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:28 - 23/03/19 |
Nga Bujar Leskaj

Nga Bujar Leskaj


Sot NIK-u transmeton dije jo vetëm mbi gjetjet dhe korrigjimin e parregullsive në administrimin e fondeve publike, por edhe promovon praktikat e mira e ndihmon në ndërtimin e shtetit të së drejtës, duke e ndarë këtë përvojë me partnerët e tij në Europë dhe më gjerë.



100-vjetori i Dhomës së Auditimit Kombëtar të Polonisë, Institucionit Suprem te Auditimit-SAI (në polonisht: “Najwyższa Izba Kontroli”, në gjithë botën i njohur shkurt si “NIK”) është një ngjarje e shënuar jo vetëm për NIK dhe Poloninë, por edhe për të gjithë komunitetin e SAI-ve EUROSAI e më gjerë. NIK përfaqëson një nga institucionet më të vjetra shtetërore në Poloni. Më 7 shkurt 2019, institucioni mbushi shekullin e ekzistencës së tij. SAI i Polonisë ka luajtur rolin e një gardiani të qëndrueshëm dhe të besueshëm të funksionimit të shtetit polak, si dhe të miradministrimit të fondeve publike. NIK është një simbol i shtetit ligjor, garant i lirive qytetare. Një vit pas vitit jubilar të 100-vjetorit të rifitimit të pavarësisë së Polonisë (viti 1918), mund të konstatohet se sikundër Polonia vlerësohet si vend lider i transformimeve demokratike në Europë, të nisura në vitet ’80 të shekullit XX me revolucionin paqësor të “Solidarnostit”, ashtu edhe NIK, me trashëgiminë e vet njëqindvjeçare, vlerësohet nga partnerët si lider i institucioneve supreme të auditimit në Bashkësinë Europiane dhe më gjerë, me kontribut veçanërisht të spikatur në transformimin e shpejtë në institucion të pavarur në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar. Kjo është vlera e parë dhe më kryesore e NIK-ut në komunitetin EUROSAI. SAI i Polonisë u themelua nën Republikën e Dytë Polake, më 7 shkurt 1919, vetëm 3 muaj pas rivendosjes së pavarësisë së Polonisë. Institucioni u krijua me iniciativën e Kryetarit të Shtetit, një nga personalitetet më të ndritura në historinë e Polonisë, Marshallit Jozef Piłsudski. Sikurse e ka theksuar z. Krzysztof Kwiatkowski, President i NIK, “Historia e institucionit suprem të auditimit të vendit tonë është e lidhur pazgjidhshmërisht me peripecitë e pavarësisë së Polonisë. Nuk është rastësi që ky institucion ishte ndër të parët që u themelua, së bashku me rilindjen e Shtetit polak, menjëherë pasi vendi fitoi pavarësinë” (botimi jubilar në anglisht “Zyra Supreme e Auditimit 1919-2019: Një shekull shërbimi të NIK ndaj shtetit polak”, f. 6). Organizimi dhe funksionimi i NIK përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Polonisë dhe në Ligjin organik të NIK të datës 23 dhjetor 1994. NIK është në varësi të Sejm-it (Dhoma e Ulët e Parlamentit) dhe vepron në përputhje me parimin e përgjegjësisë kolegjiale. Gjatë Luftës së Dytë Botërore 1939-1945, NIK ishte ndër institucionet e pakta të auditimit të Europës Lindore të pushtuar nga nazizmi, në mos i vetmi, që funksionoi në mërgim, duke audituar aktivitetin e qeverisë polake në mërgim në Londër. Po ashtu, një seksion auditimi i Delegacionit Qeveritar për Poloninë veproi në mënyrë ilegale në Poloni, duke audituar shpenzimet e Delegacionit, nga fondet që vinin nga Perëndimi, për financimin e administratë ilegale të delegacionit në Poloni dhe të Ushtrisë Çlirimtarë polake në ilegalitet. Kjo është vlera e dytë historike dhe unikale e NIK në komunitetin EUROSAI. Puna e drejtuesve të shquar në 30 vitet e Polonisë së rilindur, pas vitit 1989, si Valerian Panjko, Leh Kaçinjski, Janush Vojçehovski, Mirosllav Sekulla, Jacek Jezierski dhe sot Krzysztof Kwiatkowski, i ka sjellë NIK-ut pavarësinë dhe profesionalizmin e duhur, duke e vendosur në binarët e vërtetë të misionit të vet kushtetues në shërbim të qytetarëve dhe Shtetit. Figura drejtuese qendrore në gjithë shekullin e ekzistencës së NIK është pa dyshim Leh Kaçinjski. Kaçinjski përfaqëson personalitetin më të shquar polak në gjithë komunitetin EUROSAI, si dhe ndër personalitetet më të spikatura në këto 30 vitet e fundit në komunitetin INTOSAI (organizata botërore e institucioneve supreme të auditimit). Presidenti Lech Kaczyński(në shqip Leh Kaçinjski) u zgjodh në vitin 1992 nga Parlamenti polak në postin e Presidentit të NIK. Ai e mbajti këtë funksion deri në vitin 1995, duke realizuar shumë reforma, duke e ndryshuar thellësisht mënyrën e kryerjes së auditimeve të institucionit dhe duke e rritur imazhin e tij në komunitetin e SAI-ve. Për institucionin që drejtonte, Kaçinjski theksonte se “duke qenë institucioni kryesor i auditimit të Shtetit, NIK duhet të ristrukturohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe tërësisht, që të kthehet në një vëzhgues të plotë dhe në një korrigjues të besueshëm të transformimeve në fusha të ndryshme të veprimtarisë shtetërore” (botimi i sipërcituar i NIK, f. 235). Vizioni i tij ishte “Zyra Supreme e Auditimit, sikurse unë e imagjinoj, duhet t’i shërbejë para së gjithash Parlamentit, por gjithashtu edhe qeverisë dhe Presidentit. Ne do të përqendrohemi në vlerësime sintetike, sidomos ato që kanë të bëjnë me procese ekonomike të rëndësishme, duke përfshirë patologjitë ekonomike” (botimi i sipërcituar i NIK, f. 238). Kaczyński modernizoi SAI-n polak dhe i dha institucionit drejtimin dhe profilin e institucioneve të auditimit të vendeve të Europës Perëndimore. Ai zhvilloi bashkëpunim të frytshëm ndërkombëtar me SAI-t partnere dhe e pozicionoi shumë lart NIK në bashkësinë europiane dhe botërore të SAI-ve. Duke përgatitur ligjin e ri për auditimin e lartë publik në Poloni, i cili u miratua më 23 dhjetor 1994 dhe është ende në fuq, Kaczyński ishte i vetëdijshëm se duke vendosur afatin e Presidentit të institucionit, ai do të humbiste postin e tij. Për të ishte më i rëndësishëm garantimi i pavarësisë reale të institucionit. Ligji u bë simboli dhe kulmi i presidencës së Leh Kaçinjskit. Gjatë presidencës së tij, NIK realizoi disa nga auditimet më të rëndësishme dhe profesionale lidhur me privatizimet në Poloni, që ndihmuan fort ekonominë polake dhe kanë hyrë në historikun e institucionit, duke i rritur atij imazhin dhe besimin te njerëzit. Institucioni e vijon këtë traditë edhe sot, veçanërisht pas vitit 2007, nën drejtimin e ish-Presidentit Jacek Jezierski dhe të Presidentit të sotëm Krzysztof Kwiatkowski. Zv.presidenti i sotëm i NIK, Wojciech Kutila, në detyrë nga viti 2012, kujton se “Deri në fund të vitit 2012, ishin aktive 33 kompani të shfrytëzimit të gazit argjilor, bazuar në 113 licenca të dhëna. Ne gjetëm së puna gjeologjike ishte bërë vetëm në një pjesë të zonave të dhëna me koncesion dhe kjo kishte vonuar përgatitjet për amendimin e ligjit për shfrytëzimin e hidrokarbureve, ku futet edhe gazi argjilor, si dhe rregullat për taksimin e aktiviteteve të audituara. NIK evidentoi shumë parregullsi në dhënien e licencave dhe trajtimin jo të barabartë të aplikantëve për to, gjë e cila tregoi një risk të lartë korrupsioni” (botimi i sipërcituar i NIK, f. 396). E veçanta e institucionit polak të auditimit është se përpara se sa të vendosë për një program auditimi, thërret një panel me ekspertë të jashtëm, duke realizuar një tryezë pune dhe debati me ta. NIK-u polak përfaqëson një nga institucionet më të mëdha të auditimit në Europë, me 1100 audituesit e tij, 300 punonjësit ndihmës, 14 departamente dhe 16 degë rajonale (sipas Andrzej Styczen, Drejtor i Përgjithshëm i NIK). Ky institucion modern, me gjithë traditën e vet imponuese, nuk do të gëzonte besimin e veçantë të shoqërisë, pa audituesit dhe punonjësit ndihmës të angazhuar, të cilët me punën e tyre sistematike kanë garantuar mbrojtjen e parimeve të ligjshmërisë, ekonomicitetit, efektivitetit dhe eficiencës.


NIK në arenën ndërkombëtare

Institucioni suprem i auditimit i Polonisë është një nga më aktivët në arenën ndërkombëtare. Ai kontribuon, duke zgjeruar njohuritë e standardeve ndërkombëtare të auditimit ISSAI, duke ndarë me SAI-t partnere praktikat e mira të auditimit dhe duke fituar përvoja të reja. NIK bashkëpunon me sukses me SAI të shumta partnere në Europë dhe më tej. Me vendim të Kongresit INCOSAI XXI të INTOSAI-t në Pekin, në vitin 2013, në të cilin morën pjesë përfaqësues të SAI-ve nga 150 vende, NIK u zgjodh anëtar i kryesisë së kësaj organizate, me mandat gjashtëvjeçar deri në vitin 2019. Në Kongresin X të EUROSAI-t në Stamboll në vitin 2017, NIK-u u zgjodh anëtar i Kryesisë së EUROSAI-t. Njëkohësisht, për shkak të angazhimit të deritanishëm dhe cilësisë së demonstruar në forumin e organizatës, NIK u ftua të përmbushte funksionin e nënkryetarit të dytë të EUROSAI-t. Prej vitit 2013, NIK është auditues i jashtëm i CERN-it, Organizatës prestigjioze Europiane të Kërkimit Shkencor Bërthamor. Ekipi i audituesve polakë kontrollon rregullshmërinë e raporteve financiare si dhe Fondin e Pensioneve të CERN. Fakti që kjo detyrë u shty në afat dëshmon për besimin e madh të kësaj organizate për aftësitë e audituesve të NIK-ut. Detyrë mjaft e rëndësishme në planin ndërkombëtar për NIK është auditimi i raporteve financiare të Këshillit të Europës për vitet 2014-2018, sipas standardeve INTOSAI të auditimit suprem publik, ISSAI-ve. Kjo është një eksperiencë e vyer e NIK në arenën ndërkombëtare. Zyra Supreme e Auditimit e Polonisë është gjithashtu auditues i Korpusit Shumëkombësh të Krahut Verilindor të NATO-s, që ka një rendësi kyçe për sigurinë e Polonisë, si dhe të gjithë rajonit të kësaj pjese të Europës. Sot NIK-u transmeton dije jo vetëm mbi gjetjet dhe korrigjimin e parregullsive në administrimin e fondeve publike, por edhe promovon praktikat e mira dhe ndihmon në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Për më tepër, sot NIK-u e ndan këtë përvojë veçanërisht me partnerët e tij në Europë dhe më gjerë. Audituesit e tij ndihmojnë demokracitë e reja të përgatiten për përmbushjen e rolit të organit të pavarur suprem të auditimit publik.

 

NIK dhe KLSH, historia e një marrëdhënieje institucionale

Projekti i Binjakëzimit IPA 2013, i realizuar ne periudhën mars 2016-korrik 2018 pati një rëndësi të madhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit, pasi institucionit dhe audituesve të tij iu krijua mundësia të njihen me eksperiencën dhe praktikat më të mira audituese të audituesve të NIK.

Afro shtatë vite më parë, më 23 maj 2012, në Varshavë, si drejtues i KLSH nënshkrova me Presidentin Jacek Jezierski një marrëveshje bashkëpunimi me NIK-un polak. Kjo marrëveshje nuk ishte një nënshkrim i thjeshtë letrash. Ajo u përgatit në bazë të parimeve të përbashkëta të respektit, besimit dhe bashkëpunimit dypalësh të Organizatave ndërkombëtare INTOSAI dhe EUROSAI, si dhe të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus Prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”. Me Presidentin aktual të NIK, z. Krzysztof Kwiatovski, në mars të vitit 2016 në Varshavë, në cilësinë e Kryetarit të KLSH nënshkrova një Memorandum Mirëkuptimi, ku të dyja institucionet angazhoheshin për arritjen e objektivave të projektit të binjakëzimit IPA 2013, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së dhe standardet e aplikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI).

Gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, bashkëpunimi mes dy institucioneve supreme të auditimit, KLSH dhe NIK ka arritur në nivele të larta dhe është forcuar së tepërmi, në funksion të procesit të modernizimit, rritjes së standardeve dhe ngritjes së nivelit profesional të audituesve shqiptarë. NIK ka ofruar ekspertet dhe audituesit e tij më të mirë dhe më me përvojë për të ndihmuar audituesit shqiptarë në ngritjen e kapaciteteve të tyre për auditime të performancës, auditime financiare, të përputhshmërisë dhe rregullshmërisë, auditime të teknologjisë së informacionit, auditime të prokurimeve publike etj.

SAI polak është më i votuari nga qytetarët ndër institucionet publike të Polonisë. Arsyet e këtij imazhi tejet pozitiv qëndrojnë në një strategji dhe plan veprimi të shkëlqyer për komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm. Eksperienca e vyer polake në këtë fushë i ka shërbyer edhe KLSH drejt fitimit nga ky i fundit të besimit të plotë të publikut dhe vlerësimit.

Projekti i Binjakëzimit IPA 2013, i realizuar në periudhën mars 2016-korrik 2018 pati një rëndësi të madhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit, pasi institucionit dhe audituesve të tij iu krijua mundësia të njihen me eksperiencën dhe praktikat më të mira audituese të audituesve të NIK. Përvoja e fituar nga ky projekt binjakëzimi është shumë e rëndësishme dhe përbën një bazë të mirë për përparimin e mëtejshëm të KLSH, në rrugën e integrimit të tij si një SAI modern europian.

Në respekt te kontributit të NIK gjatë këtyre viteve për KLSH-në, me një grup audituesish përkthyem në shqip dhe përgatitëm librin “100 simbole polake” në vitin 2013. Në vitin 2018 përgatitëm në gjuhën shqipe dhe publikuam librin “Zyra e Kontrollit Suprem të Polonisë: tradita dhe moderniteti” nga studiuesit e NIK Danuta Bolikowska dhe Wojciech Robaczyński, përkthyer mjeshtërisht nga përkthyesi i njohur, që ka sjellë në shqip nobelistët e letërsisë polake, z. Astrit Beqiraj. Më 3 maj 2018, me rastin e Ditës Kombëtare të Çlirimit të Polonisë, emëruam sallën kryesore të Konferencave të KLSH me emrin e Presidentit Lech Kaczyński, themeluesit të NIK modern, në respekt të thellë dhe mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të ish-Presidentit të NIK, sot Këshilltar i Lartë i Presidentit të NIK, z. Jacek Jezierski, të Presidentit aktual të NIK-ut, z. Krzysztof Kwiatkowski dhe Zv.presidentit z. Wojciech Kutila, për ndihmesën e tyre në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të KLSH, sipas motos së INTOSAI-t “Experientia Mutua Omnibus Prodest” dhe sipas Nenit 15 të Deklaratës së Limës. Në shkurt të këtij viti, me rastin e aktiviteteve të kremtimit të 100-Vjetorit të NIK, të zhvilluara në degët rajonale të tij, i ftuar nga drejtuesit e këtij institucioni prestigjioz, tanimë si ish-Kryetar i KLSH-së në vitet 2012-2018, pata nderin të isha i pranishëm në ceremoninë e 100-Vjetorit në degën rajonale të NIK në Bydgoszcz. Rajoni Bydgoszcz është i veçantë në Poloni, pse ka kryeqendër qytetin Torun, në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, vendlindjen e Nikolla Kopernikut, ku ndodhet edhe një monument madhështor i Papës Gjon Pali i Dytë. Ndodhesha aty, i shoqëruar nga miku im i respektuar Wojciech Kutila, në një aktivitet që u zhvillua nën frymën e një atmosfere gëzimi të veçantë dhe krenarie që audituesit polakë kishin për institucionin e tyre. Dua ta mbyll këtë shkrim kushtuar NIK-ut polak, me thënie të dy Presidentëve të NIK. Presidenti aktual Krzysztof Kwiatovski, në parathënien e botimit jubilar të 100 Vjetorit të NIK dhe në atë të 100-Vjetorit të themelimit të shtetit Polak thekson se: “Sot, Zyra Supreme e Auditimit jo vetëm jep njohuri lidhur me parregullsitë në funksionimin e Shtetit, por edhe promovon praktikat e mira dhe ndihmon në formatimin e sundimit të ligjit, duke bashkëpunuar në mënyrë konstante me opinionistë, ekspertë, shkencëtarë, qeveritarë vendorë dhe institucione partnere…Aktiviteti i NIK në arenën ndërkombëtare kohët e fundit është fokusuar në disa fusha: auditimi i jashtëm i organizatave ndërkombëtare-CERN. Këshilli i Evropës dhe OECD, si dhe ndihma për SAI-t e shteteve të tjera, veçanërisht atyre te asociuara me Bashkimin Europian, të tilla si Ukraina, Shqipëria, Gjeorgjia, Azerbajxhani, dhe Kosova”. Më 2 qershor 2008, 13 vite më vonë nga lënia e detyrës në NIK, me rastin e Kongresit VII të EUROSAI-t, të organizuar në Krakov, Poloni, nga NIK nën udhëheqjen e ish-Presidentit Jaçek Jezierski, ku për tri vite 2008-2011 NIK kishte drejtimin e EUROSAI-t, Lech Kaczyński rikthehet në institucionin që drejtoi. Kësaj here, ai vjen si President i Polonisë. Në përshëndetjen e tij, ai cilësoi: “Në vendin tonë, NIK është një shkollë e shkëlqyer ku mund të marrësh njohuri dhe eksperiencë për funksionimin e shtetit…Asnjë autoritet tjetër shtetëror nuk të jep një panoramë të tillë të gjerë dhe të thellë të gjendjes së shtetit, sa Zyra Supreme e Auditimit” (botimi i sipërcituar i NIK, f. 348).

Kuriozitet historik

Varshava, kryeqyteti polak ka njohur dy kryengritje: atë në vitin 1920 dhe kryengritjen e njohur botërisht në vitin 1944. Gjatë punimeve për ristrukturimin e godinës së NIK në Varshavë, u zbuluan në muret e saj shenjat karakteristike të rezistencës polake gjatë pushtimit nazist, sidomos gjatë Kryengritjes së Varshavës “Warsaw Uprising” në periudhën 1 gusht 1944-2 tetor 1944, një nga aktet më sublime të luftës së popullit polak për liri, që pa shkatërrimin e një qyteti të tërë. Sot ky mur i ruajtur ashtu si 75 vjet më parë, është vend reflektimi dhe meditimi për punonjësit e NIK dhe jo vetëm për ta.

 

 


Etiketa: , , , , , ,

Pas