Nipi i lordit famëkeq të drogës, Pablo Escobar pohon se ka gjetur një qese plastike me plot 18 milionë dollarë (14 milionë paund) të fshehur në murin e një prej shtëpive të xhaxhit.
Nicolas Escobar tha për mediat kolumbiane se vendosi të kërkonte për paratë në apartamentin ku ai jeton në Medelin, duke i besuar një vizioni.Ai pohoi se edhe herë të tjera ka gjetur para në vendet ku Pablo Escobar shmangte kapjen nga policia.
Nicolas i tha kanalit televiziv “Red+Noticias” se ka gjetur gjithashtu një makinë shkrimi, telefona satelitorë, stilolaps prej ari, si dhe një aparat fotografik.
“Aroma e tyre ishte turfulluese, 100 herë më e keqe se diçka që kishte vdekur”, u shpreh ai duke shtuar se disa prej kartëmonedhave ishin të prishura dhe s’ishin më të përdorshme.
Nicolas rrëfeu se nuk ishin të paktat rastet që e shoqëronte xhaxhin e tij, dhe se ishte rrëmbyer një herë nga individë që kërkonin vendndodhjen e Escobar. “Unë u torturova për shtatë orë. Dy nga punëtorët e mi u sulmuan me një sharrë elektrike me zinxhir”, tregoi Nicolas.
Lordi i drogës vdiq në një shkëmbim zjarri me policinë në 1993. Escobar mendohet se në kulmin e karrierës së tij, u bë personi i shtatë më i pasur në planet.
Kush ishte Pablo Escobar?
Escobar lindi në Rionegro, Kolumbi në 1949 dhe themeloi një kartel droge në Medelin në vitet 1970. Në veprimtarinë e saj më aktive, banda siguroi rreth 80% të kokainës së kontrabanduar në Shtetet e Bashkuara. Pasuria e tij e katapultoi atë në listën e Forbes të miliarderëve globalë për shtatë vjet.
Pasi SHBA lëshoi një urdhër ekstradimi, Escobar i rezistoi kapjes dhe banda e tij shënjestroi politikanë, polici dhe gazetarë. Pasi u arrestua në 1991, Escobar u strehua në një burg të modelit të tij, me nofkën Katedralja, ku ai vazhdoi të mbikëqyrë Kartelin Medelín.
Në tërësi, Escobar mendohet të jetë përgjegjës për rreth 4,000 vdekje. Por rrënjët e tij modeste e bënë atë të popullarizuar në mesin e disa kolumbianëve, mbështetjen e të cilëve ai e kultivoi duke dhënë shuma të mëdha parash dhe duke investuar në lagje të varfra në Medelín.