Ka nisur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, seancat për grupin “Habilaj”. Ndërkohë që pritej zhvillimi normal i gjyqit, seanca e parë ka dështuar, pasi nuk janë njoftuar të pandehurit. I gjithë grupi “Habilaj” ndodhet në Itali, ku janë të arrestuar dhe po gjykohen nga autoritetet italiane. Njëkohësisht në Shqipëri po zhvillohet procesi gjyqësore, por të pandehurit nuk janë njoftuar ende.
Prej dy vitesh, Habilaj dhe një pjesë e grupit të tij, janë në arrest në burg në Itali dhe janë duke u gjykuar për të njëjtat vepra penale, ndërsa Krimet kanë bërë njoftimet në Vlorë, duke angazhuar policinë e rrethit. Më tej, gjykata ka kërkuar edhe ndihmën e Interpol, por ende nuk ka marrë një përgjigje. Në këto kushte, deri në njoftimin zyrtar të të pandehurve, gjykata shtyu seancën për në 30 prill.
Akuzat që rëndojnë ndaj grupit “Habilaj” janë “Trafik Narkotikësh” dhe “Grup i Strukturuar Kriminal”
I vetmi i arrestuar në Shqipëri, si pjesë e grupit “Habilaj”, është Armand Koçerri. Grupi “habilaj” drejtohej nga vëllezërit Moisi Habilaj, Artan Habilaj dhe Florjan Habilaj. Kujtojmë se nga përgjimet për këtë grup, ka dalë edhe emri i ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili është marrë i pandehur për përkrahjen e grupit të Habilajve, i drejtuar nga kushërinjtë e tij Moisi dhe Artan Habilaj.