Kryesore

Nis hetimi i krimit të Teatrit, sot kallëzim për vrasje në tentativë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:52 - 29/05/20 |
mapo.al

Tre specialistët e akt-ekspertizës së 14 majit ku u mbështet shembja e teatrit janë thirrur për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës. Sot Aktivistët për mbrojtjen e Teatrit dorëzojnë kallëzim penal në SPAK, ku kërkojnë arrestimin e ministrit Sandër Lleshaj, drejtorit Ardi Veliu dhe kreut të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, me akuzën “Vrasje e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim detyre” për ngjarjen e 17 majit.


Prokuroria e Tiranës, do të marrë në pyetje tre specialistët e Institutit të Ndërtimit, në lidhje me akt-ekspertizën e bërë më datë 14 maj, mbi të cilën u mbështet këshilli bashkiak për të vendosur për shembjen e godinës.


Ditën e djeshme prokuroria ka dërguar fletëthirrjet për dy inxhinierët Artur Hasantare dhe Olsi Nunaj, si dhe për arkitekten Elbarina Kola, të cilët duhet të paraqiten para këtij institucioni ditën e hënë për të dhënë dëshminë e tyre. Kujtojmë se godina e Teatrit u shemb më datë 17 maj dhe tre specialistët në fjalë dolën në përfundimin se godina duhej të shembej sa më shpejt.


Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë dhe Arbi Mazniku nënkryetar u justifikuan me faktin se ndërtesa kishte rrezik shembje dhe mund të zinte brenda njerëzit që rrinin në mbrojtje të saj. Kallëzimi për tre specialistët është bërë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që në datë 15 maj, pra një ditë pasi akt-ekspertizës, por prokurorisë i janë dashur më shumë se dy javë për t’i marrë në pyetje. Akuza që rëndon mbi ta është shpërdorim detyre, pasi sipas kallëzuesve ekspertimi është bërë fiktiv dhe i pabazuar në gjendjen reale të ndërtesës.


“Nga ana subjektive vepra është kryer me dashje, pasi të tre këta shtetas kanë qenë të vetëdijshëm që ekspertimi i tyre është bërë fiktiv, i pabazuar në verifikime konkrete të gjendjes së Teatrit Kombëtar dhe me vetëdije ata shprehen në ekspertim se “Kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve, ato janë jashtë normave të projektimit dhe shfrytëzimit të një objekti të kësaj kategorie”, duke i nisur këshilltarëve të Bashkisë Tiranë një ekspertizë të pavërtetë dhe të pabazuar në verifikimet në terren”, thuhet në kallëzimin e bërë më datë 15, mbi të cilat ka nisur hetimet Prokuroria e Tiranës.

Kallëzimi i AMT
Ndërkohë siç kishte paralajmëruar sot Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, do paraqesë një tjetër kallëzim penal me akuzën “Vrasje e Mbetur në Tentativë” dhe “Shpërdorim Detyre” për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, drejtorin e policisë Ardi Veliu dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për dhunën që pasoi shembjen e teatrit më datë 17 maj në orën 4.20 të mëngjesit. Aktivistët për mbrojtjen e Teatrit pretendojnë se prishja e objektit ka filluar në një kohë kur brenda ndodheshin aktivistët që mbronin atë.

Por jo vetëm kaq “Pamjet filmike tregojnë qartazi dhunën e ushtruar gjatë shoqërimit por, edhe se si një numër i madh i forcave të policisë ishin prezentë aty me armë dhe pa numër identifikimi i cili, në bazë të Ligjit Nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe akteve të tjera të dala në zbatim të tij është DETYRIM dhe jo dëshirë e punonjësve të policisë apo e eprorëve të tyre”, thuhet në kallëzim.

Prokurorisë nga ana tjetër i kërkohet të dokumentojë dhe identifikojë dhe policët pa numra identifikimi që ishin prezent atë ditë. Sipas AMT i lind detyrë prokurorisë të vërtetojë akuzat se një pjesë e tyre nuk ishin policë të vërtetë, por pjesëtarë të bandave kriminale të rekrutuar me një qëllim të mirëpërcaktuar më parë.

Për këto shkaqe dhe të tjera të renditura në kallëzimin penal të aktivistëve ata kërkojnë, vendosjen e sekuestros preventive në truallin e Teatrit Kombëtar, si dhe arrestimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe drejtorit të Policisë Ardi Veliu me akuzën “Vrasje e Mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim Detyre”.

Bashkia
Por duket se shembja e teatrit ka qenë e pajustifikuar dhe për një fakt tjetër. Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku, publikoi dje një dokument, ku flitej se Erion Veliaj do marrë borxh për të paguar teatrin e ri që do të ngrihet.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se godina u shemb në një moment kur me mijëra shqiptarë nuk kanë marrë asgjë nga mbyllja për shkak të pandemisë, ndërsa qeveria ka luksin të marrë borxh për të plotësuar një tekë të Edi Ramës siç ishte shembja e Teatrit Kombëtar.

“Ky është modeli i tyre i zhvillimit, kjo është ajo që dinë të bëjnë: Prishin çdo memorie historike, pastaj rrisin taksat dhe ato taksa i vjedhin, varfërojnë shqiptarët dhe i zhysin në borxhe që do t’i paguajnë po ato. Nuk është për t’u habitur se hajnitë kështu veprojnë. Duan të marrin 30 mln euro borxh ndërsa shqiptarët nuk kanë marrë asnjë mbështetje dhe akoma më keq po zhyten në varfëri. Rrisin borxhin publik ndërsa rritet papunësia dhe kjo vetëm që Rama të kënaqë egon e tij dhe Fusha të ndërtojë kullat e radhës”, shprehet Tabaku.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës prej dy vjetësh pretendojnë se s’kanë para për të ndërtuar një Teatër të Ri dhe prandaj tentuan ta japin me PPP.

Por pas tërheqjes së tij, kostot për ndërtimin i mori Bashkia e Tiranës, e cila duhet të shpjegojë të gjithë atë nxitim për shembjen e godinës, kur ende s’ka siguruar paratë, për më shumë që Europa Nostra kish dalë garant për gjetjen e fondeve për rikonstruksionin e saj.


Etiketa: ,

Pas