Kryesore

Nis kursi i parë i arkitekturës në UET, Maks Velo merr Çmimin e Presidentit





               Publikuar në : 19:05 - 25/10/18 |
mapo.al

Universiteti Europian i Tiranës prezanton Departamentin e Arkitekturës dhe Inxhinierisë: 10 profesionistë të njohur bëhen pjesë e ekipit akademik


Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e UET është prezantuar ekipi i ri i Departamentit të Arkitekturës, i përbërë nga pedagogë dhe profesionistë në profilet përkatëse. Pjesë e ekipit akademik do të jenë edhe dhjetë profesionistë të njohur të Arkitekturës dhe Inxhinierisë. Këta dhjetë personalitete do të jenë pjesë përbërëse e mentorshipit dhe e formimit të studentëve të arkitekturës dhe inxhinierisë në UET.



Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, është një nga dy fakultetet e reja në UET. Arkitektura është një diplomë e integruar pesë vjeçare, me profilet përkatëse. Krahas saj ky fakultet ofron një sërë degësh inxhinierike. Ka qenë një punë intensive dy veçare ajo përgatitjes së programeve, e mbështetur nga një numër i madh personalitetesh të fushës. Hapja e programit të integruar të ciklit të dytë në “Arkitekturë” kontribon në nevojat e tregut dhe plotëson kërkesat e standardeve shtetërore të cilësisë për formimin e ekspertëve të nivelit të lartë në fushën e projektimit.
Përgjegjësja e Departamentit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë, Dr. Otjela Lubonja, u shpreh se mundësitë e zgjedhjes janë disa, si në ciklin Bachelor ashtu edhe Master.


“Degët që ofron Departamenti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë, në ciklin Bachelor janë, Inxhinieri Ndërtimi dhe Inxhinieri Industriale. Ndërkohë që për studentët ofrohet Master Shkencor në Inxhinieri Ndërtimi dhe Master i Shkencave në Inxhinierinë Industriale. Arkitektura është diplomë e integruar 5-vjeçare”, ka thënë Dr. Lubonja.

Ajo ka shpjeguar se në veçanti dega e Arkitekturës sjell mundësinë që studenti të profilizohet në vitin e fundit të studimeve të tij.

“Kryesorja e kësaj dege është shumëllojshmëria e profileve që ofron të cilat janë mjaft të kërkuara sot në treg si: Arkitekturë Interieri, Urbanistikë, Restaurim Monumentesh, Administrim Territori dhe Menaxhim dhe Vlerësim Projektesh.”

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të Departamentit të Arkitekturës ishin një numër i madh figurash të shquara të fushës. Universiteti Europian i Tiranës, krahas prezantimit të ekipit, ka nderuar me çcmimin e Presidentit, arkitektin e njohur Maks Velo.

“Kam kënaqësinë për të dhënë çmimin e Presidentit, për profesor Maks Velon që e njohim të gjithë, edhe si arkitekt, edhe si piktor, edhe si publicist, me motivacionin për kontributin që i ka dhënë të gjithë shoqërisë shqiptare në studimet dhe botimet në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës”, tha Presidenti i UET, prof. Dr. Adrian Civici.

Maks Velo vlerësoi çmimin e marrë dhe u shpreh se hapja e degës së Arkitekturës në UET është një iniciativë shumë e vlefshme për shoqërinë.

“Unë mendoj që fakulteti ka mundësi të zhvillohet mirë po të zhvillohet ndryshe nga fakultetet e tjera. Arkitektura ka një veçanti. Është si puna e shkollës së priftërinjve. Është frymë. Është frymë, krahas anës teknike. Dhe këtë gjë ju mund ta bëni. Besoj që shkolla duhet të shkojë mirë, të futet në kanale të mira dhe të jetë ndryshe nga fakultetet e tjera dhe kjo mund të japë një përparësi për të nxjerrë arkitektë të mire”, tha Velo.

Ekipi i Departamentit të Arkitekturës, do të ketë pjesë të tij dhjetë profesionistë të njohur të fushës: Arben Biçoku, Arkitekt, Faruk Kaba, Inxhinier, Gjergj Thomaim, Arkitekt, Ihsan Prushi, Arkitekt, Ilir Loli, Arkitekt, Luljeta Bozo, Inxhiniere, Pirro Bedo Inxhinier, Sotiraq Pandazi, Inxhinier
Spartak Bakllamaja, Arkitekt, Vladimir Pengu, Arkitekt. Janë këta emrat të cilët do të kontribuojnë në formimin sa më cilësor të studentëve që kanë zgjedhur të studiojnë në degën e Arkitekturës ose Inxhinierive.

Arkitekti i njohur Prof. Dr. Arben Biçoku u shpreh: “Së pari i uroj UET suksese në degën e re të arkitekturës. Nuk do të jetë e thjeshtë por një sfidë. Unë uroj së pari atë që quhet lëndë e parë që janë studentë, është kjo baza që krijon një premisë dhe së dyti mbështes idenë e Maksit që për ta bërë më mirë se të tjerët duhet ta bënin ndryshe”.

Ndërsa inxhinierja Luljeta Bozo tha se: “Po e hapni këtë degë të re. Arkitektura paraprin dhe ka një gjë të mirë se ka në shumë universitete dhe kur ka konkurencë ka zhvilim. Ju uroj shumë suksese. Arkitekti nuk e ka vëndin që i takon në zhvillimin e gjithanshëm në Shqipëri. Përpiqemi që ata kudo që janë të bëjmë diccka për ta cuan në vendin ku duhet. Arkitekti e krijon veprën dhe të tjerët i shkojnë mbrapa”.


Etiketa: , , , ,

Pas