Pak orë pasi qeveria shqiptare e miratoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave VKM-në, të enjten e 8 shtatorit e nisi nga zona e Farkës operacioni i konfiskimit të kateve e të metrave shtesë, të ndërtuara në shkelje të ligjit.
Zv.kryeministrja, Belinda Balluku, ishte e shoqëruar nga drejtoresha e IKMT-së dhe drejtori i Policisë, pranë një ndërtese që tha se “është shembulli më flagrant, simbolikë e shkeljes së ligjit, nëntë kate ndërtim pa asnjë letër”.
Balluku ishte në zonën e Farkës, së bashku me drejtoreshën e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, inspektuan një pallat 7 katësh me dy kate nën tokë, i ndërtuar pa leje. Balluku u shpreh se ende mbetet mister për institucionet sesi u ndërtua ky pallat pa leje.
“Se si kjo ka ndodhur kjo është një mister për ne, por ky proces nuk ka të bëjë vetëm me konfiskimin, apo me gjithë veprimet e tjera që ne do i mundësojmë investitorëve që kanë shkelur ligjin por dhe me hetimin e secilit veprim që është bërë apo nuk është bërë nga institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë territorin”, tha ministrja Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se ndërtuesit mund t’i parablejnë katet apo metrat pa leje me një çmim të indeksuar mbi çmimin real të tregut dhe paratë e përfituara do të derdhen në fondin e shpronësimeve të Unazës së Re. Investitori mund dhe t’i dhurojë, që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet.
Ndërkohë për të gjitha rastet ka edhe një gjobë për çdo metër katror dhe për rastet kur ndërtuesi nuk pranon opsionet parablerje apo dhuratë që çojnë në ligjërimin e shtesave për arsye sociale, ai ndiqet edhe penalisht sipas ligjit. Ministrja e Infrastrukturës theksoi se aksioni ka nisur nga Tirana por do hapet në çdo qytet e vend, për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimin.