Tiranë Gjykata e Tiranës nisi dje shqyrtimin gjyqësor të çështjes së njohur si skandali i naftës “virgin”, i denoncuar më shumë se një vit më parë nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Çështja po shqyrtohet nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Kreshnik Omari, i cili për herë të parë çeli procesin ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje, edhe pse në seancën e parë mungonin të akuzuarit kryesorë. Shumica e të pandehurve që ishin dje para gjykatësve ishin shoferët e kamionëve që transportonin naftën kontrabandë, apo edhe punonjësit e tjerë të kompanive që dyshohet se kanë kryer transportin dhe rihedhjen në treg të naftës virxhin. Para gjykatës u paraqitën edhe dy ish-zyrtarët e akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, Edmond Ferraj ish-doganier në Vlorë dhe ish-punonjësi i antikontrabandës, Arjan Daçi si dhe i akuzuari për shpërdorim detyre si dhe inspektori i sektorit të VIP-ave në Drejtorinë e Tatimeve, Dashamir Kasaj. Në seancën e parë për këtë çështje mungonin dy të pandehurit kryesorë, biznesmeni Hajri Elezaj, i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda, i cili është në kërkim pas largimit nga banesa, ku qëndronte nën masën “arrest shtëpie” dhe biznesmeni tjetër Ilias Fisheku, i akuzuar për mashtrim në bashkëpunim.