Ka nisur pasditen e sotme vaksinimi anti-Covid i stafeve të Aviacionit Civil.
Në qendrën e vaksinimit “Air Albania”, ishte e pranishme ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Manastirliu bëri të ditur se pas vaksinimit të punonjësve të Aviacionit Civil, do të imunizohen punonjësit e transportit publik.
“Ne jemi të angazhuar që të vijojmë vaksinimin jo vetëm të punonjësve të aviacionit civil por gjithashtu ta shtrimë dhe tek punonjësit e transportit, duke bashkëpunuar me Ministrinë e Infrastrukturës, për të gjithë këto subjekte të cilat ofrojnë këtë shërbim. Transporti publik është shumë i rëndësishëm, pasi ata janë direkt në kontakt dhe ofrojnë shërbime të rëndësishme për qytetarët ndaj dhe ne i kemi në prioritetet tona, për të filluar vaksinimin në një moment të shpejtë”, – tha Manastirliu.
Ministrja Balluku e vlerësoi vaksinimin e punonjësve të Aviacionit Civil, duke e konsideruar një grup në risk të lartë.
“Sot kemi nisur vaksinimin me të gjitha grupeve të Aviacionit Civil, nisur nga Air Albania, si një grup i riskuar duke qenë se janë gjithë kohën në fluturim. Këta kanë qenë edhe heronjtë tanë gjatë gjithë kohës së riatdhesimit, por që e kanë bërë në mbrotjet totale të kushteve nga pandemia”, – u shpreh Balluku.
Risjellim në vëmendje se prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 345,944 doza të vaksinës ndaj Covid-19, prej të cilave 264,175 vaksinime për persona mbi 60 vjeç.