Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që mbështet një sondazh kombëtar nëpër universitete. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë do të monitorojë sondazhin për vlerësimin e procesit dhe performancës në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë.
Protesta e studentëve që zgjati gjithë muajin dhjetor dhe në fillim të janarit përveç problemeve me tarifat ngriti dhe shqetësimin e tyre për nivelin e pedagogëve dhe korrupsionin në provime. Studentët guxuan t’i “demaskonin” madje dhe me emra pedagogët e tyre në universitete të ndryshme duke pretenduar se kanë kërkuar para për provimet ose i kanë detyruar të blejnë librat e tyre etj.
Pasi kanalizoi çështjen e tarifave duke premtuar ulje të tarifave të studimeve në përpjesëtim me mesataret e notave, dhënie bursash etj., me anë të paktit për universitetin, qeveria po tenton të përmbushë edhe kërkesën e studentëve që ka të bëjë me “vettingun” e pedagogëve.
Për të realizuar këtë vetting, pra për të parë se cilët janë pedagogët që do të ngelin në klasë nga votat e studentëve. Vetëm se kjo “votë” do të mblidhet në formën e një sondazhi kombëtar në të gjitha universitetet publike në vend.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka bërë të ditur se agjencitë e arsimit do të realizojnë një sondazh kombëtar të studentëve që do të masë pulsin e Arsimit dhe do të sjellë dhe vlerësimin e pedagogëve për çdo fakultet. Po ajo nuk tha se çfarë masash do të merren pas përfundimit të sondazhit dhe pse la të kuptohej se ky sondazh do të jetë një pikënisje për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe të stafeve akademike.
Gjatë një takimi në fund të javës me studentë të universitetit “Eqrem Çabej”, ajo tha se procesi i vlerësimit të mësimdhënies në universitete do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme edhe përmes sondazhit kombëtar të studentëve.
“Është marrë një vendim që do të kryhet sondazh kombëtar që mat pulsin e Arsimit të Lartë Publik në Shqipëri, përmes kësaj do të përcaktohen edhe rregullat. Një pjesë do të mbulohet nga ASKAL (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë) dhe pjesa tjetër nga universiteti. Kjo do të jetë në kontratën sociale që e përmbyllim në mars.
Më herët, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që mbështet këtë sondazh ku thuhet se “Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë vlerëson procesin dhe performancën në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, me qëllim sigurimin, promovimin dhe përmirësimin e cilësisë së procesit të mësimdhënies në këto institucione”.
Sipas ministres, procesi i vlerësimit të mësimdhënies do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme edhe përmes sondazhit kombëtar të studentëve, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ndërsa Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë do të hartojë metodologjinë dhe instrumentet e sondazhit kombëtar të studentëve për cilësinë e mësimdhënies.
Në procesin dhe grupet e vlerësimit, të ngritur nga kjo agjenci do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e studentëve të propozuar nga institucionet e arsimit të lartë.
Pakti për universitetin, afati deri në Mars
“Pakti për Universitetin”, një draft-propozim i qeverisë që lindi si nevojë për të mbyllur protestën e gjatë të studentëve do të marrë formën e një kontrate sociale dhe pritet të realizohet deri në muajin Mars.
Shahini tha se protesta e dhjetorit solli nevojën e trajtimit të të gjitha problematikave me të cilat hasen studentët. Ministrja garantoi studentët se do të sigurohet infrastruktura e nevojshme mësimore si dhe do të rritet cilësia në mësimdhënie.
“Pakti për Universitetin do të plotësohet në të gjitha takimet derisa të arrijmë më një draft më të mirë, ku marrim përsipër të garantojmë infrastrukturën e nevojshme mësimore si dhe cilësinë në mësimdhënie ku garant do të bëheni edhe ju si studentë. Një nga kërkesat e artikuluara në dhjetor ishte ajo për ndihmë financiare. Përgjysmimi i tarifave dhe bursave të ofruara. 2 miliardë lekë të rinj do të reflektohet në buxhetin e 2019 dhe prek 90 mijë studentë në të gjithë Shqipërinë. Janë përgjysmuar të gjitha tarifat për studentët, janë ndarë bursa për ekslentët si dhe janë përfshirë të gjithë studentët që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, duke u dhënë shans për një jetesë më të mirë”, -tha Shahini.
Më tej, ministrja vlerësoi se pjesa më e vështirë nuk ka lidhje me financimin, por me cilësinë në arsim.
“Pjesa më e vështirë nuk është financimi, por pjesa e vështirë fillon tani. Bashkërisht duket të sigurojmë cilësi më të madhe në mësimdhënie. Grupi i punës që është themeluar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave ka zhvilluar diskutim me studentë dhe pedagogë për të nxjerrë në pah problematikat infrastrukturore, po kështu për të plotësuar mbi problematikat që keni trajtuar edhe në shkresat që universiteti juaj na ka dërguar”, -sqaroi ndër të tjera ministrja.