Kreu i shtetit ka dhënë dje pritjen e përvitshme me rastin e festës së shpalljes së Pavarësisë. Me këtë rast ai ka dekoruar një sërë personalitetesh të Pavarësisë dhe të Luftës së Dytë Botërore. Presidenti duke përfituar edhe nga prania e gjithë liderëve politikë në pritjen e mbrëmjes, ka përcjellë mesazhin për një bashkëpunim parlamentar të të gjitha palëve, duke nënkuptuar se opozita duhet të zërë vendet në Kuvend
Ndërsa ka festuar e ndarë gjatë ditës, klasa politike ka darkuar bashkë në pritjen e Presidentit me rastin e festës së shpalljes së Pavarësisë.
Kryetari i Kuvendit, Meta, kryeministri Rama, kreu i opozitës, Basha, ish-kryeministri Berisha, i janë përgjigjur pozitivisht dje ftesës së kreut të shtetit dhe kanë marrë pjesë fillimisht në ceremoninë e përvitshme të mbajtur në Pallatin e Brigadave, ku dhe janë dekoruar shumë nga personalitetet e kohës që kanë kontribuar në çështjen kombëtare, dhe më pas edhe në darkën e shtruar me këtë rast prej Presidentit.
Ndërkohë që në fjalën e tij, Presidenti Nishani duke përfituar edhe nga prania e gjithë liderëve politikë ka përcjellë mesazhin për një bashkëpunim parlamentar të të gjitha palëve.
Duke iu referuar pikërisht listës së personaliteteve që ai kishte përzgjedhur në këtë 102-vjetor për të dekoruar, Nishani ka vlerësuar ata për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare në vite.
“Nderojmë personalitete të shquara të rrugës së gjatë të mundimshme të pavarësisë së Shqipërisë, që ruajtën parimet e lirisë, pavarësisë, personalitete të përkushtuar me mish e me shpirt përmes patriotizmit dhe punës për çështjen kombëtare shqiptare”, – tha Nishani.
Sipas tij, 28 Nëntori është momenti më domethënës që gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh dhe përkatësisht të vlerësojnë përpjekjet shekullore që shqiptarët kanë bërë për të ruajtur identitetin kombëtar.
Presidenti Nishani po ashtu theksoi se shqiptarët sot janë kthyer në faktor paqe dhe stabiliteti në rajon.
“Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara gjatë këtyre 102 viteve, duke u kthyer sot në një faktor bashkëjetese në rajon. Dëshiroj të përcjellim për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen një urim të përzemërt, gëzuar 28 Nëntorin! Tashmë historia jonë po ndriçohet çdo ditë e më tepër, dhe është pjesë e sakrificave të shqiptarëve ndër shekuj, që në faza të ndryshme të kësaj historie ditën të dalin mbi çdo interes për të çuar interesin kombëtar në vend”, – tha kreu i shtetit nga Pallati i Brigadave.
Ai zgjodhi pikërisht ditën e Pavarësisë, për të nderuar figura si Isa Boletini, Mujo Ulqinaku, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Qemal Stafa, kryetarin e Konferencës së Pezës, Abaz Kupin, nacionalistët Hysni Lepenica dhe Sali Butka, shumica e të cilëve u përndoqën më pas nga regjimi komunist.
Bie në sy cilësimi që Nishani i bëri Mujo Ulqinakut, të cilin e cilësoi si dëshmorin e mbretërisë shqiptare, për shkak se ra në rezistencën që iu bë forcave italiane në Durrës më 7 prill 1939.
Gjithashtu dje, Nishani ka dekoruar edhe ish-drejtorin për Europën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, sot ambasador i OSBE-së në Bosnje.
Lista e personaliteteve të dekoruar nga presidenti Nishani
Titulli i “Flamurit Kombëtar”
- Isa Boletini
Titulli “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
- Jonathan Moore
Titulli “Nderi i Kombit”
- Matteo Mandala
- Mark Krasniqi
- Idriz Ajeti
- Ali Aliu
- Ymer Dishnica
- Hysni Lepenica
- Safet Butka
- Medar Shtylla
- Abaz Kupi
- Mustafa Gjinishi
“Dekorata e Artë e Shqiponjës”
- Mujo Ulqinaku
- Qemal Stafa