Ekonomi

Nisma e Ramës/ Dyshimet e një amnistie fiskale








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:16 - 21/04/20 |
mapo.al

Edi Rama tha se po punohet për një amnisti fiskale, që do të kalojë në Maj në Parlament. Një manovër kjo që ngjall shumë dyshime. Që nga përpjekja për mbushjen e arkës së rrënuar, tek efektet e saj elektorale, e deri te legalizimi i parave të pista. Emigrantët nuk kanë aq para dhe s’kanë ndërmend të paguajnë 10 për qind për t’i legalizuar. A janë në lojë milionat e drogës, korrupsionit dhe evazionit fiskal? Gazeta MAPO bën një analizë të plotë, me njohësit e ekonomisë, Ornela Liperi, Dritan Shano dhe Artan Hoxha


Shqipëria është në prag të një amnistie fiskale cila ka si qëllim të formalizojë “paranë e fshehur”. Kryeministri Edi Rama e lajmëroi nismën dje në dalje live në ERTV, dhe sipas tij ky ligj i ri do u vijë në ndihmë emigrantëve që kanë punuar në të zezë, apo dhe të gjithëve atyre individëve që kanë para të padepozituara në banka dhe që duan t’i formalizojnë ato. Kryeministri paralajmëroi tre fasha katërmujore për një periudhë 1-vjeçare. Për ata që nxitojnë të parët taksa në katër muajt e parë do të jetë 5%, në katërmujorin e dytë 7% dhe në katërmujorin e tretë, taksa do të shkojë në 10%. “Si rezultat i transforimit ekonomik dhe i raportit mes individit dhe sistemit, shumë vetë kanë kursime që duan t’i depozitojnë në banka dhe po ashtu ka edhe kompani që kanë të ardhura të padeklaruara, që ka ardhur koha të kenë mundësi për t’i depozituar në banka”, tha Rama. Sipas tij nga ligji i cili pritet të kalojë brenda majit, nuk do të përfitojnë politikanët, zyrtarët e lartë, gjyqtarë dhe prokurorë, familjarët e tyre, apo edhe personat që janë subjekte të OFL. E megjithatë ideja e Ramës nuk është aspak e re.


Amnistia e vitit 2012



Një amnisti e përgjithshme fiskale u tentua dhe nga qeveria Berisha në vitin 2012, por që për analistin e ekonomisë Artan Hoxha, nuk pati efektin e pritshëm. Sipas tij, tarifa 5-7 dhe 10% për të amnistuar paratë jashtë bankave është relativisht e lartë, qoftë për bizneset që mund të kenë kryer evazion fiskal por edhe për individët që paratë i kanë përfituar nëpërmjet emigracionit. “Në vitin 2012 taksa e depozitimit të parave në banka ishte vetëm 3% për çfarëdolloj shume dhe nuk pati ndonjë rezultat kush e di se çfarë. Shumë pak persona iu përgjigjën asaj. Lëre pastaj po të mendojmë që kjo taksë vjen në 5-7 apo edhe dhjetë për qind”, thotë Hoxha në një prononcim për MAPO.



Sipas tij, edhe në rast se paratë vijnë fjala vjen nga burime të paligjshme sërish ata që merren me aktivite të tilla kanë riskun për t’u reklamuar, dhe ata nuk presin amnistitë shtetërore që të pastrojnë paratë e tyre. “Emigrantët nuk kanë se çfarë parash të deklarojnë, se përgjithësisht ato para që sillen këtu shpenzohen ose për ushqime ndaj të afërme ose për blerje apartamentesh. Por paratë e apartamenteve u legalizuan në kohën që u bë rivlerësimi, me 1 për qind të vlerës. Për paratë nga burime të tjera s’di ç’të them por mendoj se ata që merren me këtë lloj aktiviteti, s’kanë nevojë të presin amnistinë për të depozituar paratë e tyre. E kanë bërë tashmë me aktivitete të tjera”, thotë Hoxha.

Paratë e trafikut

Por nuk është i këtij mendimi njohësi i ekonomisë Dritan Shano. Sipas këtij të fundit, i gjithë problemi i Ramës janë oligarkët apo grupet e bandave të drogës që sipas tij e sollën në pushtet në vitin 2013. Për Shanon, amnistia tenton të shpëtojë ato para të drogës që kanë mbetur pa u pastruar nga ndërtimi apo PPP-të. “Kësaj i thonë Stambollli digjet dhe…. krihet ! Në këto kohë të errëta sërish Rama ka hallin e atyre personave që e sollën në pushtet në vitin 2013, ka hallin e oligarkëve që kanë fshehur të ardhurat dhe kështu me radhë. Në opinionin tim, e gjithë kjo po bëhet për të shpëtuar paratë e bandave të drogës, të cilët pasi i përdorën në ndërtim, apo nëpër PPP-ra, me sa duket ka mbetur dhe një pjesë të cilën s’kanë mundur ta pastrojnë dot dhe tashmë kjo po bëhet hapur dhe në dritë të diellit”, pohon Shano.

Lexo edhe :  "Rama do tentojë të manipulojë zgjedhjet" - Marku: Kur ka shtypje nga qeveria, populli “shpërthen”

Sipas tij, nuk mund të mendohet se një emigrant që punon në mënyrë të ligjshme ose jo, të mendojë të paguajë 5% të atyre pak parave që ka, për t’i futur në bankat e Shqipërisë. “Nga ana tjetër, po bëhet një propagandë me të ardhurat e emigrantëve, me anë të së cilës po mundohen të mbulohen pisllëqet e tjera. Mendoni ju se një punëtor bujqësie apo restoranti në Greqi që punon në të zezë apo në të bardhë fiton aq shumë sa për të depozituar në banka dhe të jetë subjekt i deklarimit. Ato pak euro ai i fut nëpër çorape dhe s’ka ndërmend të paguajë, 5-7 apo 10 për qind për t’i pastruar se fundja s’ka ç’të pastrojë. Por edhe ata që kanë prej 20 apo 25 vjetësh në emigracion në pjesën dërrmuese i kanë paratë e deklaruara atje, dhe ato pak para që çojnë këtej janë vetëm sa për të mbajtur frymën gjallë prindërit e tyre. Për ta përmbledhur e gjithë kjo po bëhet për të pastruar paratë e atyre që kanabizuan vendin, që luajnë pazaret e drogës dhe prostitucionit të cilët Rama i ka pasur në fokus të qeverisjes së tij që kur erdhi në pushtet. Ai nuk ngurroi t’i fusë në parlament, si mendoni ju se do ngurrojë që të pastrojë paratë e tyre”, përfundon ai.

Demoralizimi i bizneseve

Kryredaktorja e revistës Monitor, Ornela Liperi ka një qasje tjetër për sa i përket kësaj amnistie. Sipas saj, ky veprim i qeverisë rrezikon të shkaktojë dëm moral ndaj bizneseve që kanë paguar rregullisht taksa, por dhe të nxisë bizneset evazore që të vazhdojnë të qëndrojnë në hije, pasi i janë falur në mënyrë të përsëritur gabimet. “Së pari, rreziku i çdo amnistie është dëmi moral kundrejt të gjithë bizneseve që kanë paguar rregullisht taksat, apo individëve që kanë deklaruar të gjithë të ardhurat. Këto biznese mund të dekurajohen, pasi amnistitë janë bërë të zakonshme pothuajse çdo katër vjet, duke zhbërë vullnetin e qeverisë, që deklaron se pas çdo amnistie nuk do të ketë më tolerancë ndaj evazionit. Së dyti, e lidhur me të parën, mungesa e seriozitetit të amnistive të mëparshme nxit bizneset evazore që të vazhdojnë të qëndrojnë në hije, edhe pasi u janë falur një herë apo më shumë gabimet, në pritje të amnistisë së radhës, që përgjithësisht kryhet përpara zgjedhjeve të qeverisë qendrore”, thotë Liperi.

Por jo vetëm kaq, sipas saj rrezikon që kjo amnisti më së shumti të formalizojë paratë që vijnë nga korrupsioni. “Evazioni fiskal është i lidhur ngushtë dhe me korrupsionin, i cili fatkeqësisht ka qenë në rritje vitet e fundit, siç tregoi raporti i Transparency International, ku u përkeqësuam me 7 vende, duke u renditur të fundit në Europë (vendi i 106). Sipas Indeksit të Ndërmarrjeve të Bankës Botërore, 36% e firmave shqiptare raportuan në 2019-n se kishin përjetuar të paktën një herë një pagesë ryshfeti, shumë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe Europës dhe ndër më të lartat në botë”, thotë Liperi. “Ka një debat të madh nëse do të arrijnë të ndahen paratë e krimit, nga ato të evazionit fiskal. Shumica e ekspertëve, por dhe e vetë bizneseve mendojnë se pretendimet se mund të identifikohen burimet e sakta janë thjesht një utopi”.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas