Atentati i djeshëm në Elbasan është pjesë e një serie ngjarjesh me hasmëri e larje hesapi, që ndoshta do të vijojë të jetë pjesë e kronikës.
Është nga ato fatalitetet e pashmangshme. Por çfarë bie në sy, është lehtësia me të cilën një grup ndoshta i strukturuar, i sofistikuar, me armë speciale, me snajper siç po thuhet finlandez, arrin të godasë në zemër të Elbasanit, në një zonë, dhe një target që supozohet se monitorohet rreptë nga policia.
Policia, me anë të ministrit dhe kryeministrit, po mundohet të na mbushë mendjen se ka gjithçka nën kontroll, deri aty sa t’i trokasë në derë potencialit kriminal në vend, me gjasë edhe atyre që mund të kenë shkrehur armët dje, e t’u kërkojë llogari edhe për paratë, pasurinë, vilat dhe makinat.
Një aksion me shumë tamtame, që kërkon të fryjë propagandën e asaj që rilindja e quan, shtet.
Një situatë e ngjashme edhe në Laç disa ditë më parë. Edhe aty një skuadër e mirorganizuar edhe e armatosur, madje edhe e maskuar me rroba policie, arriti të godasë fort në mes të autostradës, dhe të shënojë dy viktima.
Edhe në atë rast, personi që ishte objektiv, dihet fort mirë nga policia që mund të kishte probleme serioze, dhe supozohej se vëzhgohej.
Do të ishte fëminore, që dikush të mendojë se policia mund të parandalojë krime të tilla. Personat e kësaj bote të errët, kanë kohë, muaj e ndoshta edhe më shumë që përgatiten, marrin masa dhe kërkojnë të kenë sukses me çdo mjet e mënyrë.
Por, nga ana tjetër, nëse do të kishim një polici, struktura, agjenci të zbatimit të ligjit, dhe punë serioze në luftën ndaj krimit, me siguri që atentate të tilla mund të parandalohen. Është sigurisht çështje prioriteti.
Kur detyrohesh të dërgosh trupat gjithandej për të kontrolluar territorin për drogë, apo kur mundohesh të tregosh forcë dhe t’u marrësh gjak në vetull protestuesve, qytetarëve që kërkojnë mbrojtjen e Teatrit, me siguri u ke lëshuar terren bandave dhe vrasësve.
Në anë tjetër, nëse ke në fokus krimin e organizuar, dhe shpenzon energjitë kryesore aty, arritjet dhe rezultatet nuk mund të mungojnë. Dy atentatet e fundit, dëshmojnë një rënie të policisë dhe shtetit dhe triumf të krimit.
Dhe mbi të gjitha, është e pamundur të shtypësh celulat më të egra të krimit e trafikut në vend, nëse vijon flirtimet politike me to, teksa jemi më pak se një vit larg zgjedhjeve.