Editorial

Një charter dhe pak pyetje për Edi Ramën





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:42 - 01/06/20 |
Mapo.al

Eshtë tashmë kronikë e vjetër, që Edi Rama dhe dinjtarë të tjerë të rilindjes, përdorin charter për vizita jashtë, për motive informale. Kujtojmë se me një mjet të tillë luksoz, pat shkuar edhe zëvendësi i Veliajt para do kohësh, po në Paris. Informale edhe ai. Informale, domethënë jo-zyrtare, do të thotë saktësisht, private, më troç, për qef.


Kryeministri pohon se ka patur takime të nivelit të lartë. Por ato ska pse ti dijë publiku.


Jo shumë pyetje mund t’i bëhen Edi Ramës në këtë moment, duke qënë se llogaridhënien ai nuk e ka anën e tij më të fortë, dhe se; shkoj ku të dua, takoj kë të dua, e ka thënë disa herë me gojën e vet.


Por, pak pyetje mund t’i bëhen.


A është e vërtetë se në këto kohë ndalimesh, ku askush nuk mund të udhëtojë jashtë për t’u bashkuar fjala vjen me familjen, apo për të rifituar punën që ka në Europë, vetëm dikush me një arsye të fortë shtetërore mund të lëvizë?

Këto janë rregullat që ai vetë i ka dekretuar, dhe janë kushtet e Aviacionit Civil.

Nëse ishte për arsye të fortë shtetërore, pse atëherë vizita e tij qenka informale, siç e shpall vetë.

Pse Rama e pranon kaq pa teklif, se rregullat dhe normat qenkan imponuese për të gjithë, por nuk qenkan të vlefshme për të.

Cili personalitet i këtij shteti të madh, paska nge dhe kohë të presë në takim ndonjë udhëheqës nga Ballkani, pikërisht tani kur pandemia ka shkaktuar probleme të mëdha atje.

Cili zyrtar i nivelit të lartë në Paris, ka kohë dhe nge, për një udhëheqës nga Ballkani, kur gazeta më e madhe atje, Le Monde, sapo e ka denoncuar për krimin e Teatrit, e ka akuzuar për barbari, dhe për autokraci.

Kjo është njëra anë.

Ana tjetër, janë shpenzimet e luksit. Rama i mohon, nuk janë 100 mijë euro. Po pse nuk tregon, sa është fatura e një charteri për një vizitë në Paris? Po qendrimi atje. Po hoteli. Kush ka paguar për këtë kuturisje, që në fund të fundit paska qënë një vizitë jo-zyrtare? A është ky momenti për shpeza të tillë, kur mbarë Europa, po sidomos vendi ynë po lëngon nga kriza ekonomike e pandemisë, dhe kur qindra familje mund të kishin përballuar muajin me ato para fundjave në Paris.

Nëse Rama nuk e ndjen të sqarojë sulmuesit e tij, që qenkan PD dhe kundërshtarët, që vetëm e shajnë ditë-natë, pse nuk jep shpjegime për opinionin publik, për qytetarët të cilëve përbetohet se u shërben, dhe është në mision për ta?


Etiketa: , ,

Pas