Editorial

Një ditar i paplotë i 30 ditëve të karantinë-propagandës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:01 - 10/04/20 |
Mapo.al

Kur pandemia të ketë kaluar, me shpresën se të dhënat e fundit po tregojnë një tkurrje, Shqipëria si krejt bota, do jetë tjetër. Po ama, një gjë është e sigurtë që ska për të ndryshuar. Do të na lypset një hero, dhe ai është gati, është mes nesh, e kemi parë çdo ditë për orë e ore me radhë.


Podiumi ku ai do të shpallet, me siguri është aty, ceremonia do organizohet në një oborr të madh me një prani të shtuar të mjekëve e infermierëve.


Fjalimi do jetë ngjethës, mobilizues ku do tregojë në thelb se si rilindja mposhti armikun e padukshëm.


Kryeministri nuk do harrojë të veçojë se në këtë betejë të përgjakshme, dolën triumfatorë edhe duke patur analistë e media kazani kundër, e sidomos, do etiketojë opozitën me ndonjë fjalë që po përpunohet ndërkohë në punishtet e PR.


Vështirë të besohet se nuk do të ketë aty, kreshendo të tipit, sot do kishim mijëra të vdekur e male me arkivole, po të mos ishim ne.

Jo, kjo ska për të qënë një orë a më shumë live. Ka për të qënë një skenë e vazhdueshme, se do shohim tërë skifterët e mazhorancës që do dalin ditë për ditë të pikojnë veneracion e servilizëm të paskrupullt, për të na kujtuar fitoren e udhëheqësit, të cilin e kanë quajtur pa shkak Skenderbe, edhe në kohë paqeje.

Çdokush mund të dalë lirisht në këto përfundime e parashikime, jo vetëm prej stilit tashmë të njohur të qeverisë, por sepse tharmi është hedhur ndërkohë.

Ditët e para ndoshta pati një huti dhe frikë. Por më pas, rilindja shpejt e kuptoi se ky ishte një moment fatlum për të ngritur atë që dinë të bëjnë më mirë, propagandën në shkallën më të lartë.

Shihni disa fakte që u shkelën mizorisht nga PR-i agresiv. Shqipëria pati prej fillimit dhe ka numrin më të vogël të testeve për koronavirusin në rajon.

Kur gjjthë bota po ecën me moton, testim, testim, testim, ata që e kërkojnë këtë tek ne, shpallen menjëherë armiq.

Shqipëria ka një paketë të ndihmës ekonomike për biznesin dhe njerëzit në nevojë, ndjeshëm më të vogël se Kosova.

Qeveria këtu ka parashikuar 58 milionë euro. Maqedonia, 10 herë më shumë, 600 milionë euro. Kush guxon të ngrejë zërin për këtë, shpallet sakaq armik që kërkon trazira.

Këto 30 ditë të karantinës kanë patur plot çudira e paradokse. Sa më shumë i kërkohet qeverisë të rrisë stimulimin dhe asistencën për njerëzit e bllokuar dhe të papunë, aq më shumë ajo shton masat, ndëshkimet dhe vitet e burgut.

Ne kulmin e krizës dhe drojes për pasojat, u shfaq në Shkodër, Sandër Lleshaj, duke dhënë këshilla për shendetin, pikërisht ai që nuk kurseu gazin lotsjellës, një instrument lufte, ndaj qytetarëve në gati 6 muaj, duke i lënë një pjesë të mirë shakull e me probleme me frymëmarrjen.

Ministri i luftës nëse mund ta quajmë, Ahmetaj, e merr vesh që është shpallur lufta, në media teksa po jepte një intervistë.

Ajo e Mbrojtjes del se i ka dhënë një tender për ushqime,1.5 milionë euro një firme tetovare kompjuterash. Dhe kur pyetet për këtë, thotë turp të keni që nuk heshtni teksa ata djersijnë frontit të përplasjes me shkjaun e padukshëm.

Dalin denoncime se edhe ndihma e dhënë ka parregullsi, nuk ka transparencë. Dhe çdokush që e thotë, tallet e fyhet rëndë.

Dhjetra bashkëqytetarë u lanë pa atdhe disa ditë e netë në suferinë e dëborë në mes dy doganave. Dhe vetëm kur presioni u bë shumë i madh, babai i kombit urdhëroi ngritjen e traut dhe akomodimin e tyre.

Shefi i madh u thotë biznesmeneve të shesin vilat e jahtet që t’u japin para punëtorëve, një gjuhë që ngre peshë zemrat e vegjelisë, po gjithkush me dy pare mend në kokë, e di se asnjë luks i këtyre përmasave nuk ngrihet pa ndihmën e qeverisë dhe ministrave.

Këto ditë karantine, kanë patur edhe ngjarje të mira dhe frymëzuese patjetër. Një mjek i njohur u rikthye në detyrë, u prek nga koronavirusi, u shërua dhe sërish shkoi në vijën e parë. Ka plot heronj vendi dhe mjekësia jonë që kanë qendruar edhe në heshtje këto kohë.

30 syresh u nisën në Itali, bash në zemrën e mizorisë. Na bënë krenarë pa fund.

Njerëzit e përballuan me dinjitet mbylljen brenda dhe prej një muaji, në paqe e solidaritet. Për fat asnjë krim i rëndë nuk ka ndodhur, dhe për më shumë në familje.

Kthimi në normalitet do jetë i vështirë në çdo drejtim. Po vendi ynë ishte edhe pa këtë, gjithë plagë e lendime nga varfëria, abuzimi e keqqeverisja. Pandemia do heqë çdo lustër dhe vragat e rënda do dalin thekshëm në pah. Një plan i mirëmenduar, një zgjidhje burrash shteti, lypset. Propaganda nuk vlen kësaj radhe, edhe nëse do shohim lotët çurg në skenat e shpalljes hero, të kryekreut.

/Mapo.al/


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas