Kryesore

Një ditë dhune në Tiranë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:57 - 18/05/20 |
Armand Maho

Çfarë fshihet pas dhunës së ushtruar dje në Teatrin Kombëtar? Si arriti qeveria me anë të kapërcimeve ligjore të dyshimta deri këtu? Pse policia priti orën 4 të mëngjesit në mes të muajit të madhërishëm të Ramazanit, dhe “Fatkeqësisë Natyrore”, për të kryer veprime të ngjashme me ato të vendeve në diktaturë. Gazeta MAPO ka ndjekur hap pas hapi që nga mbrëmja e së shtunës të gjithë rrjedhën e ngjarjeve duke bërë dhe një analizë të fakteve dhe gjithë asaj çka ndodhi të dielën e pandemisë.


Data 17 maj do mbahet mend gjatë, nga qytetarët e Tiranës. Është data kur shteti shqiptar, ai që pretendon se përfaqëson shumicën e Kryeqytetit, me një akt tëpaprecedent në orët e para të mëngjesit, zbarkoi me të gjithë forcën policore për të prishur një ndërtesë gati 80-vjeçare, të një metropoli që para pak kohe festoi 100-vjetorin e tij.


Nuk e ndaloi as muaji i madhërishëm i Ramazanit dhe thirrja e paqes që ai përcjell. Ishte ora rreth 4:15 e mëngjesit kur mijëra forca policore të të gjitha niveleve, të pajisur me skafandra e shkopinj gome, rrahën, bastisën, dhunuan një grusht aktivistësh të cilët prej 2 vjet e katër muaji mbronin një kauzë të tyre që ka të bëjë me mbrojtjen e Teatrit Popullor. “Sapo kishte kaluar ora katër e mëngjesit dhe ishim të shkujdesur kur një zë thirri, “erdhën”. Në fillim e morëm si shaka, pasi ishte lajmëruar një herë në orën 11.00 të së shtunës por pas një ore forcat policore u tërhoqën.


“Nuk ishte hera e parë që bëhej ky provokim”, thotë Ardiana Kalaja, aktiviste e lëvizjes Për mbrojtjen e Teatrit. Sulmi erdhi në një situatë kur qeveria mban mbërthyer me miliona shqiptarë për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore që ka shpallur. Në një orë kur besimtarët myslimanë, sapo kishin filluar ritualet e para të nisjes së një dite tjetër agjërimi.


Thirrja për paqe e Namazit që vinte nga altoparlantët e xhamisë së Et’hem Beut aty pranë nuk i ndaloi forcat policore të ushtronin një dhunë të paprecedentë, që nga shkopinjtë e gomës, shkelmat grushtat, e deri te prangat në duart e Neritan Liçajt që ishte ndër të parët që u shoqërua në komisariat. Më pas fadroma do lëshohej me egërsi në fasadën simbol të Teatrit Kombëtar, duke dërguar nën gërmadha kujtimin e të gjithë atyre që kanë shkelur për herë të parë në atë godinë.

Afera

Por si erdhëm deri këtu! Edi Rama i provoi të gjitha, si për të provuar se ai në këtë vend kontrollon gjithçka. Pavarësisht gjuhës së zbutur që u mundua të përdorë në përgjigjen ndaj Edmond Budinës, ku shprehej se s’ka asnjë lidhje me punët e zeza, e di fort mirë se e gjithëprocedura e ndjekur  është e zhytur në paligjshmëri, sipas juristëve të fushës.  Fillimisht, kërkoi ta jepte me koncesion dhe mori kompetencat e Këshillit Bashkiak. Kur firma që do e realizonte këtë u tërhoq, ia kaloi në pronësi bashkisë së Tiranës. Presidenti i Republikës, dërgoi një ankimim nëGjykatë Kushtetuese, dhe një paralajmërim i erdhi për këtë çështje dhe nga ana e KLSH. Në një situatë kur situata po precipitonte në favor të artistëve, kur Europa Nostra deklaroi financimin e restaurimit të Teatrit apo Bashkimi Evropian i kërkonte të mos ndërmerrte veprime “të pariparueshme” ai nxitoi ta rrënonte godinën. Për këtë përdori Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, i cili ditën e djeshme kërkonte që të hidhej pas krahëve ajo që ndodhi, dhe të “përqafohej me ata që ishin kundër shembjes së Teatrit Kombëtar”.

Dhuna

Duke nisur që dje, në vend të Teatrit Kombëtar kemi një grumbull rrënojash! Zhurma që vinte nga përtej gardhit të mijëra policëve duket se acaroi keq protestuesit. Duhej të ishe atje që të kuptoje zemërimine atyre njerëzve për atë godinë të cilën pushteti nuk e la të festonte 100-vjetorin. Ora 7 e mëngjesit do fillonte dhe tentativat e para për të çarë rrethimin policor.  Kapërcimi i gardhit rrethues nga ish-deputetja Silva Caka, do merrte reagimin e policisë e cila u sul drejt duke e tërhequr zvarrë. Për t’i ardhur në ndihmë, shkoi drejt saj gazetari Alfred Lela, i cili sapo kish mbërritur pranë ambiente të teatrit ku mbahej protesta. Menjëherë, drejt tij u drejtuan tre forca policore mes tyre një civil të cilët nuk i kursyen goditjet ndaj gazetarit. Protesta e një gruaje myslimane me hixhab do përballej me atë të forcës së katër apo pesë policëve të cilën e tërhoqën zvarrë drejt fugonit të policisë. Një situatë e tillë nuk ish parë prej kohësh në protesta, madje mund të thuhet se një dhunë policore e tillë ndaj grave nuk ish parë asnjëherë në Shqipëri. Albana Vokshi, Floida Kërpaçi, Silvana Caka e shumë të tjera, ranë pre e dhunës policore të pazakontë, që kish dalë në mbrojtje të aferës së teatrit. Ngado të shihte syri grumbuj policësh pa numra identifikimi të cilët shkelmonin protestuesit. Një civil disi më i zellshëm se të tjerët, godiste sa majtas djathtas dhe u konfliktua jo pak herë me gazetarët, mes të cilëve dhe analisti Enkel Demi. Ndoshta është e vështirë të përshkruhet gjithçka ndodhi aty, ku policia një herë sulmonte e më pas zmbrapsej nga protestuesit.  Akoma më e papranueshme do ishte sjellja e policisë në fund të ditës, kur një grusht protestuesish kryesisht të rinj u tërhoqën zvarrë, goditën dhe u masakruan nga policia. Pamjet ishin të denja për diktaturat e Amerikës Latine, dhe jo për një vend i cili shpreson të anëtarësohet në BE. Në fund të ditës bilanci ishte, 37 të shoqëruar në polici dhe 2 policë të plagosur lehtë.

Përgjigjja

Gazeta MAPO e ndoqi rrjedhën e protestës që në orët e natës së një dite më parë, atëherë kur u dha lajmi se Teatri do të shembej në orën 11:00. Nuk ndodhi, u prit ora 4 e mëngjesit, pasi u largua Kryetari i opozitës Basha, dhe shumica e mediave mes tyre dhe VOA e cila transmetonte live. Po përse një shtet duhet të ketë frikë nga qytetarët e tij? Përse Kryeministri dhe Erion Veliaj duhet të suleshin turravrap për të prishur një ndërtesë, që në rast se nuk ishte funksionale ashtu siç pretendojnë ata, ishte pjesë e dekorit të bulevardit të krijuar nga inxhinierët fiorentinë të kohës? Ky ishte halli i vetëm që kishin shqiptarët të mbyllur që prej tre muajsh brenda? Përgjigjen ndoshta do ta gjeni në morinë e komenteve  që shoqërojnë profilin e Edi Ramës në Twitter. Qytetarët duket haptazi se janë të revoltuar dhe të indinjuar. Ata e akuzojnë për korrupsion me tokën e teatrit! Por një përgjigje Edi Rama duhet të japë se përse shteti ynë, nuk ka guximin të përballet me artistët nën dritën e diellit? Çfarë e tremb me këto aksione të tipit fashist në orët e para të mëngjesit dhe për më shumë nën një regjim të bllokimit total? Ndoshta po të këqyrim një për një përgjigjet revoltuese të atyre që paguajnë taksa për ta mbajtur në këmbë do e gjejmë, por më e ndershme do ishte një përgjigje qeveritare.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas