Aktualitet

Nga një ditë e zakonshme në datë historike, preludi i 26 nëntorit 1997














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:48 - 26/11/21 |
Altin Ademi

E mbaj mend me detaje 26 nëntorin e 1997-tës, sot 24 vjet më parë, që nisi si ditë e zakonshme e mbaroi si datë historike, prelud i sakrificës dhe lirisë.






Isha zgjuar rreth orës 6, për t’iu bërë një shikim të shkurtë detyrave të shtëpisë. Ishte ditë me qiell të mbyllur në mëngjes. Në orën 8, kishim shkuar në shkollë dhe dy orët e para të gjuhës e letërsisë me arsimtarin Hajriz qenë të zakonshme.


Gjatë “pushimit të gjatë” kishim dalë jashtë për t’u shoqëruar si zakonisht me nxënësit tjerë bashkëmoshatarë në oborrin e shkollës. Por pushimi i gjatë zgjati më tepër se zakonisht. Rreth orës 10 e 30 afërsisht, pa kumbuar zilja që rëndom ishte ftesë për t’u futur në klasë, doli arsimtari Rrustem, tashmë i ndjerë, dhe na ftoi të futeshim në klasë menjëherë.







Me aq sa kujtoj, ajo ftesë nuk ishte e zakonshme. Toni i arsimtarit Rrustë ishte më i prerë, ndryshe prej herëve tjera që ishte shumë i butë. U futëm në klasë dhe prisnim për të filluar orën e gjeografisë, të cilën pikërisht arsimtari Rrustem na e ligjëronte. Por ai nuk erdhi. Mbetëm në klasë duke hamendësuar. Afërsisht rreth orës 11, dëgjuam zhurmën e fluturimit të një helikopteri. Për ta parë nuk e pamë, por nga zhurma dukej sikur mbi kokat tona.




Në sallën e arsimtarëve kishte diskutim të zëshëm. Për një çast, arsimtari Rrustë erdhi në klasë dhe na tha: “Merrni çantat e shkoni në shtëpi. Mos u ndalni askund po direkt në shtëpi”. Të gjithë bëmë siç u instruktuam.



Nga ora 12, në shtëpi erdhi xhaxhai, Hasani, i cili po ashtu ishte mësimdhënës në shkollë. Nuk mu drejtua mua por e dëgjova në bisedë e sipër me familjarët e mi që po thoshte se “situata ka luajtur. Diçka po ndodhë andej ka Lludeviqi (Rezalla e Re) e LLausha”. Pas kësaj bisede, xhaxhai më ftoi ta ndiqja pas. E mori një mjet “sakicë” dhe u nisem arave, rrugës malore në drejtim të Lludeviqit. Pamë dhe njerëz të tjerë kureshtarë që lëviznin në drejtime të ndryshme.
Në krye të rrugës, takuam bashkëfshatarin tonë, Agimin, i cili po kthehej nga “llazet”.

Më kujtohet se ai tha në mes tjerash që shumë afër rrugës malore që ndante fshatin tonë me Rezallën e Re, kishte dëgjuar krisma armësh të shumta dhe të mëdha, si të ishte “luftë” dhe se një helikopter sa nuk iu kishte lëshuar mbi kokë.

Duke mos ditur më shumë, vendosëm të ktheheshim mbrapa në shtëpi. Rreth orës 14, dola serish jashtë në sokakun e lagjes, ku takova disa bashkëmoshatarë dhe po qëndronim për vjedhurazi duke u përpjekur të kuptonim nga të rriturit se çka po ndodhte.

Papritur, nga mali drejt sokakut tonë, para dyerve të shtëpisë së Halilit, erdhën dy burra nga ana e sipërme, të cilët u takuan me një burrë që po vinte nga ana e poshtme, që të tre me armë dhe që të tre të huaj për ne. U përshëndetën ngrohtësisht e u përqafuan. Njëri që kishte veshur një xhaketë ngjyrë kafeje, duke qeshur i tha tjetrit: “a edhe ti paske dalë a?” Përgjigja e tjetrit po ashtu në të qeshur, ishte një fjalë kumbuese që më ka mbetur në memorie: “S’ka ma. Ja sot ja kurrë”.

Ata nisën të ecnin poshtë sokakut dhe shkuan në drejtim të shitores së vetme që gjendej afër shkollës. I ndoqëm nga pas deri afër, pa guxuar të bashkoheshim me pjesën e burrave të fshatit që ishin mbledhur tek shitorja.

Aty pamë se edhe disa njerëz të tjerë me armë kishin arritur në shitore. Bashkëfshatarët iu kishin ofruar cigare dhe gjësende tjera nga raftet e shitores. E mbaj mend se të gjithë ishin paska të habitur sepse njerëz me armë në mes të ditës, hapur e me pamje luftëtarësh, nuk i kishim parë me herët.

Nuk qëndrova deri në fund sepse kisha frikë nga meraku i familjes. Shkova në shtëpi dhe deri në mbrëmje gjërat ishin ende të paqarta. Në mbrëmje morëm vesh, se ata burra gjatë ditës kishin bllokuar një kolonë policore serbe në vendin e quajtur Klysyrë.

Aty e kuptuam për herë të parë, se kishte UÇK. Dy ditë më pas, në varrimin e mësuesit të vrarë po atë ditë në orën e mësimit në shkollën e fshatit Llaushë, Halit Gecit, UÇK-ja do të dilte edhe publikisht, për ta nisur etapën e fundit të çlirimit. Përjetë mirënjohës ndaj të gjithë burrave e grave, për sakrificën e madhe që u desh të kalonin, që fëmijët tanë sot të shkojnë në shkollë pa frikë!

25


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas