Aktualitet

Një ditë para fillimit…





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 09:04 - 03/02/20 |
Zef Preçi

Nga Zef Preçi


Që në nisje, “paketa anti-KÇK” e lëshuar “me urgjencë” mbas 3 muajsh nga shpallja e saj përmes një akti normativ të qeverisë, ka qenë kritikuar nga opozita, ekspertët dhe Shoqëria civile për alibinë e emergjencës (korrupsioni është bashkëshoqërues i tranzicionit tonë dhe ortak i vendimmarrjeve më të rëndësishme të qeverisë), ndërsa krimi i organizuar është shtrirë vertikalisht që nga Kuvendi i Shqipërisë, qeveria, oligarkët, lobistët etj., kudo ku rrjedh paraja dhe pasuria, lejet dhe kullat, koncesionet dhe kontratat publike shumëmilionëshe, duke i bërë gati-gati të padukshme kufijtë midis tyre.



Gjatë dekadës së fundit është zgjeruar edhe “kontributi” i parave të drogës, aq sa të duket vetja sikur jetojmë në ndonjë provincë të Meksikës. Për këtë mjaftojnë jo vetëm interceptimet e publikuara të dosjeve 339 dhe 184, por edhe mënyra se si organet e vjetra dhe të reja të drejtësisë po iu rrinë larg “si djalli temjanit” këtyre dosjeve… Në fakt, do të mjaftonte vetëm procedimi sipas ligjit i këtyre dy dosjeve që të fillojë të rikthehet besimi i publikut ndaj shtetit të së drejtës dhe të fillojë gjithashtu edhe ndarja e klasës politike nga krimi i organizuar, çlirimi i institucioneve të shtetit nga kthetrat e tij.


Kritika e dytë e opozitës dhe ekspertëve mbi paketën në fjalë ka të bëjë me faktin se parashikimet kryesore të saj janë prerogativa të dhëna edhe në ligje të tjera mbi bazën e të cilave funksionon deklarimi i pasurive, mbikëqyrja e transaksioneve bankare, kontrolli i pastrimit të parave etj. Po kjo bëhet duke respektuar ndarjen formale të pushteteve të fiksuar në Kushtetutën e vendit. Ky tipar – shkelja e ndarjes së pushteteve – përbën edhe kritikën tjetër ndaj kësaj pakete.

Është interesante të vihet në dukje përpjekja e sforcuar e z. Rama për ta paraqitur këtë akt normativ si një vullnet dhe mbështetje e SHBA dhe BE ndaj tij, por edhe distancimi i kujdesshëm i këtyre të fundit nga “autorësia” duke respektuar të drejtën e institucioneve shqiptare të ndërmarrin nisma ligjore në përputhje me kornizën ligjore të vendit. D.m.th. duhet të bëhemi gati për të parë rezultatet e qeverisë në luftën e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që ndërvepron me vetë qeverinë dhe vendimmarrjet e saj(?!). Pra, qeveria, duke injoruar Kushtetutën dhe institucionet e krijuara mbi bazën e saj, madje duke dubluar edhe institucionet antikorrupsion të krijuara mbi bazën e amendimeve kushtetuese të 2016-ës, po don të ndahet prej tyre (korrupsionit dhe krimit të organizuar).

Kjo është panorama e sotme, një ditë përpara se “të fortët” që merren me emërimet e anëtarëve të këshillave bashkiakë e kryebashkiakëve; të drejtorëve qendrorë e vendorë, të ministrave e deputetëve, të fituesve të tenderave dhe kontratave; të lejeve të ndërtimit për pallate e kulla etj., të fillojnë “të kenë frikë kur të dalin në rrugë…”. Po ne të tjerët? Ndoshta është mirë të mbrojmë Kushtetutën dhe ligjin se janë të gjitha gjasat se kjo luftë të përfundojë si luftë për të zgjatur sundimin duke shndërruar në viktima qytetarët që nuk po kuptojnë më se në cilën Republikë jetojnë…

Cilido që ka shpresuar apo që shpreson akoma se ambasadorët e nderuar të akredituar në Tiranë do të zgjidhin hallet tona, të lexojë reagimet e sotme të ambasadores së porsaardhur të SHBA-ve në Tiranë dhe të shefit të Delegacionit të BE. Fundja, nëse vërtet do të hidhet ndonjë hap përpara në reduktimin e korrupsionit dhe ndëshkimin e krimit të organizuar, kjo duhet të na gëzojë të gjithëve, të paktën ata që nuk kanë ikur akoma nga ky vend.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas