Aktualitet

Një festival që tregon gjendjen e shoqerisë tonë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:34 - 25/12/19 |
Mapo.al

Festivali i fundvitit në RTSH, një nga ngjarjet më të ndjekura, nuk u largua aspak nga normat dhe standardet difektoze që kemi sot si shoqëri.


Në këtë spektakel, dolen në pah të gjitha semundjet që kemi si vend, dhe u pa edhe një herë distanca e madhe që duhet të përshkojmë për të arritur vlerat që aspirojmë si vend europian.



Debati që e shoqeroi, pasoi e vazhdon ende, ka të bëjë me atë që, nuk kishim realisht një garë, por luftë për dominim dhe për fitues të paracaktuar. Matje forcash mes grupimeve me më shumë pushtet.


A nuk tingëllon kjo si një gjë e zakonshme mes nesh?

A nuk kemi mungesë konkurence të ndershme dhe mungesë transparence pothuajse kudo?

Kemi fitues të paracaktuar të tenderave, të koncesioneve. Kemi po ashtu, fitues të paracaktuar edhe të zgjedhjeve, sepse ende nuk kemi votë të lirë e të ndershme.

E gjitha kjo ndodh në sytë e publikut, dhe për ironi, ky festival është edhe më shumë formalisht i qytetarëve, pasi nuk është privat por e organizon televizioni që mbahet me taksat e njerëzve.

Festivali pa garë, zhvillohet në një vend ku mungon gara e merita ngado. Nuk ka zgjedhje përsëmbari as në shoqata, madje as tek federata e shahut. Kudo kërcet forca, fiton më i pushtetshmi, jo më i zoti, jo ai që ka më shumë vlera.

Një tjetër tipar i shoqërisë tonë, doli në pah këto netë thekshëm. Protagonizmi in-extremis. Moderatorja e shpalli cdo minutë, atë që; festivali jam unë. Cdo fjali e saj niste me unë, dhe cdo gjë personalizohej.

A nuk kemi në shoqeri modele të ngjashme, që rrezatojnë kësisoj? Sa të duash. Shihni kryeministrin. Ai deklamon gjithë kohës; tërmeti jam unë, rindërtimi jam unë, ligji jam unë, drejtësia jam unë, Shqipëria jam unë. Më shihni vetëm mua, thotë ai paprerë.

Një tjetër aspekt, që buthtoi në skenë këto ditë, është sjellja e humbësit. Ajo që nuk fitoi, nuk mori pjesë në ceremoni, nuk e njohu me gjasë rezultatin, dhe bojkotoi si me thënë natën finale. Shfaqje idhnake, egershane, sic rendom ndodh në shoqërinë tonë. Në vend se të qendronte, e të mbronte me dinjitet përfaqësimin e saj, e në sy të publikut të bente betejën që duhej të bente.

Dhe, si për ti vënë kapakun. Të gjitha këto mangësi, mungesë standardesh, ndodhën në një institucion të madh publik, drejtuesi i të cilit, ka ardhur në atë post aspak prej meritave, apo spikatjes në gazetari apo menaxhim. Por thjesht prej lidhjes së fortë e të shkurtër me shefin e rilindjes.

Festivali ishte produkt i shoqërisë tonë, ku u shfaqën të gjitha lengimet që po na mbajnë si vend ende larg Europës.

Mapo.al


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas