Aktualitet

Një fetish, një rrëfim, një bunker








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:48 - 27/12/20 |
Mapo.al

120 ditë para zgjedhjeve, në një intervistë të gjatë për Opinion, një fetishizim i tij dhe i zyrës më saktë, Edi Rama ka dhënë disa mesazhe kontradiktore që më shumë mund të kenë hutuar ndjekësit më të afërt.



Teksa zakonisht flet për mandatin e tretë, apo thotë se këtu më keni deri në 2029, kreu i qeverisë la të kuptohej se po mendon për rrugën në arkiva, për trashëgiminë apo vendin që ai projekton në histori. Me gjasë, mund të ketë thyer shpresat e zemrat e intelektualëve të rilindjes, punëmbaruarit e tipit Elisa dhe Taulant, që vikasin më shumë se të tjerët për fitore të reja, edhe më të thella.


Huti dhe alivani do të ketë shkaktuar Rama tek ata, ndërsa përmendi disa herë; kur të mos jem më këtu, dhe se disa sende e objekte s’do t’i marrë me vete, etj.



Qëndrimet kundërshtuese ose kundërthënëse ndoshta janë edhe strategji zgjedhore.



Po kontradikta mes asaj që prezanton e asaj që është, meriton një analizë.


Tek ajo karrige ku përbetohej se nuk e ka pushtetin qëllim dhe se rrethanat e kanë sjellë, se ai gjithnjë është ndërdyshur me cytjen e brendshme të qendrojë larg, aty me siguri i ka hartuar planet për realizim objektivi, të marrjes së një sasie të bollshme votash. Tektonike, sipas Damianit. Me skemat e zbuluara nga dosjet 184 apo 339.

Por Rama theksoi se e ka parë pushtetin vetëm si mjet.

Cili qëllim justifikohet nga mjete si ato, që në të folurën e përditshme apo edhe në rezolutën e Bundestagut, apo dokumentet e BE janë quajtur krime elektorale?!

Mjetet e errëta dhe të paligjshme, çojnë shpesh në qëllime kriminale.

Një kontradiktë tjetër shqetësuese lidhet me ambjentin ku ai ushtron pushtetin prej vitesh tashmë.

Ajo kthinë e Kryeministrit nuk ngjan fare me një zyrë publike, që dikush e merr në mënyrë të përkohshme për aq sa ka kontratën me qytetarët. Dhe nuk ka asnjë lidhje me kontekstin, me tiparet e vendit apo të qytetarëve, me gjendjen në përgjithësi të shoqërisë.

Lexo edhe :  50 mijë të papunë nga pandemia - Rama hedh poshtë me propagandë të dhënat e BSH

Njerëzit zbuluan një bunker luksoz faraonik, ku ka një përpjekje për ta shkëputur dhe izoluar atë që qëndron aty, me realitetin dhe me botën.

Çka tregon shumë për banorin. Flet shumë për atë se si e koncepton ushtrimin e detyrës dhe kontaktin që mban me popullin që e ka sjellë në atë pallat.

Zyra e Kryeministrit ishte një sferë e madhe por e mbyllur, ku ujitet dhe mbarështohet kulti i individit me objektet, orenditë, argjendurinat e çikërrimat, dhe çdo kënd aty përfaqëson vetëm trillet personale.

Kushdo që shkel është i ftuar të adhurojë një madhështi artificiale të fryrë me pompë, të sugjestionohet nga Edi Rama, dhe të harrojë se aty është vendi ku merren vendime që ndikojnë jetën dhe ekonominë e qytetarëve. Të harrojë se aty marrin udhë akte si shembja e Teatrit, rritja e taksave, dhënia e koncesioneve, ushtrimi i dhunës policore. Të harrojë se aty ngjizet embrioni i keqqeverisjes për të cilën askush nuk ka më dyshime.

Ky lloj arredimi, nuk ka asgjë të ngjashme me parrullën që Rama shpalli që në krye se vota është për të, ndërsa pushteti për qytetarët.

Mjafton vetëm kqyrja e asaj zyre për të kuptuar se kjo thënie, ky refren i zakonshëm i tij, është një shaka gjigande.

Ka plot momente të tjera nga ai rrëfim i gjatë, po sak është e kotë të mbulosh me fetish diçka që ulëret. Dhe kundërproduktive t’u tregosh qytetarëve të vendit, gjysma e të cilëve në varfëri, se ku e mban orën me diamant, apo ku e vendos librin me dedikim të Macronit.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas