Zef Preçi
Sipas Moneyval Shqipëria do të mbetet edhe gjatë vitit 2020 në një monitorim të zgjeruar sa i takon riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sigurisht që kjo është një njollë e zezë në imazhin e vendit tonë përballë investitorëve të huaj. Siç dihet, Moneyvalështë një mekanizëm i Komisionit Europian që bën vlerësimin e riskut të pastrimit të parave. Ndërkaq një numër reformash gjysmake të ndërmarra gjatë katër-pesë viteve të fundit në vendin tonë, siç është edhe reforma në drejtësi, nuk kanë arritur të japin asnjë përgjigje, qoftë edhe të pjesshme, lidhur me shumat e parave të pompuara në ekonominë shqiptare si para nga aktiviteti kriminal i drogës (marijuana), sidomos gjatë vitit 2016. Pavarësisht kësaj, janë të paktën dy tregues që lidhen me efektin e këtyre parave në ekonominë tonë.
E para është mbiçmimi i monedhës sonë kombëtare, gjë që shihet qartë se së bashku me faktorë të tjerë, po ndikon negativisht në përkeqësimin e klimës së biznesit në vend. Po kështu, për këtë shkak vihet re edhe rritja e çmimeve për metër katror tësipërfaqeve të ndërtimit rezidenciale e atyre të biznesit, edhe pse shitjet (kryesisht nëcash dhe nëpërmjet zyrave noteriale) janë minimale.
E dyta, është rritja e qarkullimit të parave jashtë kanaleve bankare. Vitin e kaluar është shënuar një nivel i lartë rekord në vlerë absolute të parasë që qarkullon jashtë kanaleve të sistemit bankar (sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i parasë jashtë bankave ishte 291 miliardë lekë, ose rreth 2.4 miliardë Euro). Në raport me paranë gjithsej (agregati M3), paraja që qarkullon jashtë bankave arriti në 22.1% në fund të vitit 2019, nivel që është niveli më i lartë, që prej vitit 2009, kur treguesi arriti në 24% për shkak të panikut që u shkaktua në atë kohë nga kriza ekonomike botërore, që çoi në tërheqjen e përkohshme të kursimeve nga individët nga bankat. Rritja e qarkullimit të parave jashtë kanaleve bankare vitet e fundit ka pasur një trend në rritje dhe është shoqëruar me gjallërimin e tregut të parave me fajde, ndërsa interesi vjetor i këtyre “huave” shkon deri në 20% e më shumë si dhe në mjaft raste shoqërohet edhe me ngjarje kriminale.
Së treti, në qarqet akademike, në shërbimet e specializuara si dhe në agjencitëligjzbatuese të vendit dhe ato aleate ekzistojnë dyshime të arsyeshme se një numër investimesh publike sipas modelit të partneritetit publik-privat (PPP) apo investimesh private joprodhuese (p.sh. kullat shumëkatëshe në Tiranë e në bregdet) po përdoren për pastrimin e parave me origjinë kriminale që vijnë nga kultivimi dhe trafikimi i drogës. Raporti i Moneyval 2020 thekson se të ardhurat nga krimi po qarkullojnë dhe investohen në disa forma në Shqipëri, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe kompanive tregtare. Niveli i lartë i sektorit informal, i kombinuar me qarkullimin e lartë të parave cash, përbën një rrezik në rritje për ekonominë tonë kombëtare. Ndërtimi ishte sektori më me risk për pastrimin e parave, edhe sipas raportit tëMoneyval të vitit 2018.
Janëpikërisht ky kompleks arsyesh që, ndër të tjera, kanë motivuar Moneyval për përfshirjen e vendit tonë në listën e saj për vitin 2020. “Shqipëria do të mbetet në ndjekje apo monitorim të zgjeruar dhe do të vijojë të raportojë teMoneyval në vazhdimësi për të forcuar zbatimin e masave kundër pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit. Shqipëria pritet që të raportojë sërish në seancë brenda një viti” thuhet në raport.
Në këto kushte, mendoj se qeveria nuk duhet të mjaftohet me qëndrimet publike deklarative të zyrtarëve të lartë për rritje të kapaciteteve për parandalimin e pastrimit të parave, por duhet tëangazhojë institucionet përgjegjëse shtetërore nëpërmbushjen e funksioneve dhe të detyrave të tyre ligjore. Pavarësisht debatit (jo pa vend) tëkushtetutshmërisë së aktit normativ që vuri në lëvizje Operacionin “Forca e ligjit”, mendoj se do të ishte një provë e kredibilitetit të qeverisë nëse do tëpërfshinte në lista edhe klientët e saj, kompanitë me të cilat ka nënshkruar kontratat qindra miliona euroshe të PPP-ve si dhe ata ndërtues privatë kullash që kanë paraqitur projekte ndërtimesh gjigante në një kohë që bilancet e tyre financiare flasin për fitime vjetore dhjetëra herë më të vogla se projektet e investimeve të miratuara nga institucionet qeveritare. Çdo mbulim i aktivitetit të tyre nuk është asgjë më shumë se bashkëfajësi dhe përdorim i autoritetit shtetëror për legjitimimin e pastrimit të parave. E nëse qeveria nuk ndihmon në hetimin e kanaleve përmes të cilave kanë penetruar e po penetrojnë në ekonominë reale të vendit tonë paratë e pista, mendoj se është detyrë e SPAK-ut që të fillojë hetimet “kryesisht”, mbasi rreziqet që vijnë nga ky fenomen janë shumë tëmëdha dhe mbrojtja e sistemit tonë ekonomiko-shoqëror prej tij është detyrë e përhershme e të gjitha agjenciveligjzbatuese.