Kryesore

Një gjeneral në shënjestër






               Publikuar në : 08:57 - 16/04/19 |
mapo.al

PD dorëzon në prokurori prova dhe materiale që sipas saj rëndojnë pozitën juridike të ministrit Sandër Lleshaj në përdorimin e gazit lotsjellës dhe akteve të tjera të dhunës kundër protestuesve. Gjenerali me “CV” të pasur që u kthye në “shënjestër” nga ngjarjet e fundit në vend. Në katër muaj ministër, më shumë përmendet për gazin…


Tre kapsollë, një tymuese, guralecë dhe të shtyrë policisë marrin kundërreagimin: gaz lotsjellës në masë, aq sa të përfshijë gjithë turmën, paqësore apo agresive. Kjo është historia që përsëritet në çdo protestë të opozitës, ndërsa po ngrihet shqetësimi se përdorimi në masë i gazit lotsjellës më shumë se të zmbrapsë turmat, i nxit për akte dhune si kundërpërgjigje. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka marrë protagonizmin që në nisje të detyrës së tij dhe në pak muaj është kthyer në personazh, që tashmë do i duhet të përballet me akuzë në prokurori. Përdorimi i gazit lotsjellës në sasi tepër të madhe ndaj protestuesve opozitarë, por edhe qytetarëve të tjerë, ka bërë që PD zyrtarisht ta padisë në institucionin e akuzës në kryeqytet. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ishte dje në Prokurori ku dha shpjegime për padinë e bërë ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe policisë për dhunë ndaj qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestë. Ai e quajti ministrin Lleshaj, mbetje të komunizmit dhe tha se ka çuar në prokurori prova e fakte për dhunën e bërë ndaj qytetarëve. “Kam dhënë prova e fakte për veprimet e kundërligjshme të punonjësve të policisë të cilët me urdhër politik kanë sulmuar qytetarët duke i penguar në të drejtën e tyre të protestës. Prokuroria e ka patur detyrë të niste hetimet kryesisht, por fakti që nuk ka ndodhur ka detyruar PD të bëjë padi. I bëj thirrje prokurorisë të mos bëhet shtojcë e pushtetit. Nuk është një organ i varur nga ministri i Brendshëm. Sot ka 40 qytetarë që janë në burg, pa asnjë provë sepse kanë ushtruar të drejtën e tyre të protestës”, -tha Bardhi. Situata e ndezur politike në vend po tensionohet edhe më shumë nga reagimi qeveritar, veçanërisht në përdorimin tej mase të gazit lotsjellës nga strukturat e policisë dhe Gardës së Republikës. Opozita për këto veprime ekstreme ka bërë përgjegjës ministrin Sandër Lleshaj dhe tashmë në institucionin e akuzës qëndron një dosje hetimore, ndonëse pritshmëritë janë që ajo të mbyllet, ende pa filluar… Ministri ka qenë mjaft aktiv në reagimet e tij të forta kundrejt protestës së opozitës, duke i konsideruar akte të rënda dhune dhe thirrje që cenojnë rendin kushtetues. Në këtë përballje “force” deri më tani është e vështirë të gjendet fituese, pasi janë shkaktuar vetëm humbje…

Pak muaj ministër, shumë akuza

Në momentin e parë që kryeministri Edi Rama përmendi Sandër Lleshajn si pasues të Fatmir Xhafajt, pati një lloj “simpatie” për emrin e ri që do mbante postin në një nga dikasteret më të përfolura të epokës Rama. Një personazh jopolitik, me karrierë të gjatë ushtarake deri në gradën madhore të gjeneralit dhe një njeri i lexuar, aq sa emri i tij në vitin 2012 të propozohej nga PS si kandidat për President të vendit. Shpejt ministri Sandër Lleshaj u bë target, më shumë se nga sulmet opozitare nga veprimet e policisë dhe agresivitetin e saj kundër protestave në vend. “Ministri i Brendshëm është mbetje e kohës së komunizmit. Koha kur protesta trajtohej si puç kushtetues ka përfunduar 30 vite më parë. Nuk ka e s’do ketë asnjë ministër të Brendshëm, prokuror apo gjyqtar të trembë qytetarët për të drejtën e tyre. Të protestosh është një e drejtë legjitime. Vetëm për një mbetje të komunizmit protesta është puç kushtetues”, deklaroi Bardhi. Ky qëndrim erdhi pasi ditën e protestës së opozitës më 13 prill Lleshaj u shpreh se kjo ishte një revoltë e dhunshme që cenon rendin kushtetues. Në situatën aktuale Lleshaj duket se po mban më shumë se ç’duhet “mëkatet” e qeverisë, ku edhe protesta në thelb është kundër kryeministrit Rama. Përveç trajtimit të protestës së opozitës, policia u bë protagonist i së keqes edhe me banorët e Bregut të Lumit, të cilët kundërshtonin prishjen e banesave të tyre. Një numër i madh efektivësh të policisë së shtetit dhe asaj të Bashkisë së Tiranës mësynë në orët e para të mëngjesit të 9 prillit dhe zhvilluan një aksion që la të lënduar pesë qytetarë, gra fëmijë dhe të moshuar. Gazi lotsjellës në rast të paprecedent u hodh brenda banesave, ç’ka detyruar banorët të dilnin të traumatizuar dhe me probleme shëndetësore. Kjo metodë i hapi “rrugë fadromave” por solli reagim të fortë publik, kryesisht në rrjetet sociale. Në emër të mbrojtjes së institucioneve ka dyshime se po tejkalohen edhe aktet disi të dukshme të dhunës. Si përdorimi tej mase i gazit lotsjellës, që ka dëmtuar edhe qytetarë pa lidhje me protestën, ashtu edhe arrestimet e dhunshme dhe ankesat për keqtrajtime në komisariate të protestuesve është një njollë që vijon të përhapet. Institucioni i Avokatit të Popullit në një raport të detajuar ndër të tjera pohon se: “Për përdorimin e gazit lotsjellës apo përbërësve të tjerë irritues vazhdon të mos bëhet publik protokolli apo manuali i hetueshëm i përdorimit, me anë të të cilit rregullohen specifikisht rastet kur ai mund të përdoret, sasia, shpeshtësia, dendësia dhe lloji i tij”. Edhe në vendet e zhvilluara në Europë apo më gjerë përdorimi i gazit lotsjellës kundër turmave të dhunshme është një praktikë që ndiqet, por në raste specifike. Fillimisht lokalizohet turma më agresive që përbën rrezik për jetën e punonjësve të policisë dhe më pas në distancë lëshohet gazi lotsjellës. Përdorimi i saj është dukshëm i larguar nga pjesa tjetër më pak agresive, ose krejtësisht e paqtë.

 

Ana tjetër e “gazit lotsjellës”….

Përtej akuzave se përdorimi i gazit lotsjellës po krijon kaos dhe tension të dukshëm ka edhe gjykime se ndonëse protestat në Tiranë kanë qenë të shpeshta nuk ka patur të plagosur rëndë, nga radhët e policisë apo protestuesve. Gjithashtu, janë mbrojtur institucionet që të mos pësojnë akte dhune të forta. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe në raste të tilla duket se “justifikohet” edhe përdorimi në masë i gazit lotsjellës. Incidentet nuk kanë munguar në çdo protestë, por zakonisht janë mbyllur me disa të lënduar nga të dyja palët, por pa pasoja për shëndetin. Në këtë mënyrë shihet edhe “ana tjetër” e përdorimit të gazit lotsjellës. Një formë për të larguar protestuesit e dhunshëm. Gjithashtu, në dukje janë ndjekur edhe protokolli i paralajmërimit të protestuesve para se të lëshohet gazi. Nëpërmjet thirrjeve me megafon drejtuesit e policisë paralajmërojnë pjesën “agresore” se do të përballen me reagimin policor nëse nuk tërhiqen. Pas disa thirrjeve vendi mbushet me gaz… Në fund turma shpërndahet nën kollitjet e forta, djegien e syve dhe problemeve në frymëmarrje.

 


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas