Kryesore

Një ideologji e frikshme ruse pas historisë së manipulimeve zgjedhore








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:35 - 04/02/19 |
mapo.al

Manipulimet zgjedhore janë krimi më i madh që ndodh në një vend. Nëse nuk kalohet A-ja e demokracisë, si mund të mësosh B-në dhe germat e tjera?



Nga Enton Palushi


Disa e quajnë sharlatan, të tjerë e adhurojnë. Idetë e tij kanë qëndruar të fjetura për dekada të tëra, por janë shfaqur fuqishëm kohët e fundit. Njihuni me rusin Ivan Ilyin, filozofin e preferuar të presidentit rus Vladimir Putin, i dëbuar nga Rusia në vitin 1922 në atë që njihej si ‘anija e filozofëve’. 60 vjet pas vdekjes, tezat e tij kanë nisur të marrin jetë sërish.




Emri i Ilyin po studiohet gjithmonë e më shumë nga shkencëtarët perëndimorë si një përpjekje për të kuptuar Rusinë e Vladimir Putinit. Mes atyre, që e ka marrë më seriozisht trajtimin e filozofit fashist, është profesori i Jelit, Timothy Snyder.



Tezat kryesore të Ilyin mund të duken të çuditshme, por në thelb janë të rrezikshme. Kështu, sipas tij, bota faktuale nuk ekziston kurse liria nënkupton që të dish se cili është vendi yt në shoqëri. Avancimi në shoqëri është i pamundur për shkak të sistemit politik dhe sistemit social, që funksionon si një trup. Kështu, ti mund të jesh një qelizë, mund të jesh një embrion ose mund të jesh një organ i rëndësishëm në trup. Liria nënkupton që të dish se cili është vendi yt. Këtë nënkupton liria.


Por teza më e rrezikshme e tij ka lidhje me votimin dhe demokracinë. Ai thotë se demokracia është ritual. Sipas Ilyin, ne vërtet votojmë, por ajo nuk ka vlerë. Lideri nuk legjitimohet nga votat tona dhe as zgjidhet prej tyre, votimi është vetëm një ritual që ne e kryejmë njëherë në disa vite, mbështesim një lider që është shfaqur në një vend tjetër, njësoj si një udhëheqës që shfaqet nga trilli, nga miti.

***

Në Shqipëri prodhohen mjaftueshëm lajme të rënda. Por nëse do kishte një hierarki për vendosjen e tyre, në krye do të duhej të qëndronin krimet ndaj zgjedhjeve. Arsyeja është e thjeshtë: Nëse nuk kalon A-në e demokracisë, si mund të pretendosh që të shkosh te B-ja apo C-ja? Le pastaj që të shkosh diku nga mesi i alfabetit. Raportimi i Zërit të Amerikës për manipulimet zgjedhore, bashkë me lajmin se prokuroria do të hetojë rrjedhjen e informacioneve, pa u marrë më parë me zbardhjen e dhjetërave CD me të dhëna për këtë problem, ishte lajmi më i rëndë i prodhuar kohët e fundit. Mirëpo kur demokracia bëhet një ritual, madje një ritual i mërzitshëm, të paktë janë ata që e ngrenë zërin. Sepse për një ritual nuk shqetësohet askush.

***

Votimi mund të jetë bërë ritual, sikundër historia e manipulimeve zgjedhore nuk është e re në Shqipëri. Por ai investigim tregon diçka që shkon përtej një vjedhjeje të thjeshtë. Ai zbulon një sistem të sofistikuar krimi, të shpërndarë si një kancer vdekjeprurës në të gjithë trupin e brishtë të demokracisë. Më e rënda është se kjo histori po tentohet të paraqitet si ato frazat e shëmtuara që ka prodhuar sistemi hibrid shqiptar, ku thuhet se korrupsion ka edhe në Gjermani, se vrasje ndodhin edhe në Holandë, se drogë shitet edhe në Britani, madje se zgjedhjet preken edhe në SHBA. Me pak fjalë, kjo rrjeta e merimangës e shtrirë kudo në vend, që i bën të gjitha dhe që i merr frymën një vendi, është një gabim i vogël. D.m.th. ka manipulime votash, por ç’të bësh, kështu janë shqiptarët që prekin ndonjë votë se është bërë zakon të vjedhin ndonjë gjë. Kurse operacioni ka zbuluar se në këtë rast nuk kemi përpara një histori me ca hajdutë repetitivë, por me një shtet paralel, që në këmbim të votave, merr lirinë për të diktuar gjithçka në rajonet e tyre, në Shkodër, Durrës a Elbasan, që nga droga e deri te provimet në shkolla. Duke u thënë shqiptarëve se këto gjëra ndodhin edhe në botën e zhvilluar, thjesht po i çojmë ata te fjalia ‘lapidare’: Fajin e ka demokracia. Ja ku erdhëm sërish te votimi si ritual.

***

Akoma më e rëndë në këtë histori bëhet situata po të mendosh se shqiptarët, dhe jo pak demokratë, mendojnë se përpara kanë një kryeministër që e ka vënë totalisht në funksion të votave makinerinë e propagandës dhe marketingut politik, duke nisur nga veshjet e zhveshjet, nga brekushet e atletet e deri tek bulizmi dhe mania pas sondazheve dhe këshillave nga gjenitë e PR-it botëror. Atëherë, kur paska qenë kështu situata, kur kemi një gjeni që i lexon mendjen shqiptarëve, kur paratë dhe shteti janë përdorur masivisht për devijuar vullnetin e njerëzve, siç thuhet në raportin e OSBE-ODIHR, përse ishte e nevojshme që të përdorej arma më e ndyrë, llumi i llumit, krimi i organizuar, për të prekur zgjedhjet?

Si është e mundur që kryeministri del përpara shqiptarëve dhe pa asnjë respekt për inteligjencën e të tjerëve, u thotë se do fitojë të gjithë bashkitë në zgjedhjet vendore? A nuk janë njerëzit e tij në pushtetin vendor, që pasi kanë kalbur sistemin e votimeve lokale, e paskan futur virusin vdekjeprurës duke shkatërruar edhe zgjedhjet e përgjithshme?

Si mund të dalësh në Kuvend dhe të shprehesh krenar se do fitosh edhe bashkinë e Kukësit, të atij qyteti që u ngrit me tym e flakë ndaj teje dhe që është katandisur në një azil pleqsh pasi rinia ka nisur eksodin që në ditët e para të qeverisjes së Ramës? Çfarë mund të bësh në atë qytet më shumë se një lulishte dhe shatërvan, që janë bërë tashmë? Kjo i ngjan asaj historisë së përdhunuesit që pasi e çon viktimën në pikën e fundit, i thotë: Tani je e imja.

Kjo mund të ndodhë, përsa kohë demokracia bëhet një ritual. I mërzitshëm madje.

***

Para disa kohësh kam publikuar detaje nga një libër i rëndësishëm në botën akademike perëndimore. Profesorët Nic Cheeseman dhe Brian Klaas kanë publikuar një studim me titull “Si të manipulosh zgjedhjet”, ku theksojnë se shkalla e abuzimeve zgjedhore nëpër botë është katastrofike. Arsyeja se përse nuk merret kush me këtë çështje vjen për hir të stabilokracisë. Regjimet autokrate fitojnë mbështetjen që u duhet, ndërkombëtarët mbyllin sytë dhe bëjnë sikur shkruajnë.

Pasojat e manipulimeve shpesh janë të neglizhuara. Ka zgjedhje të pafundme që manipulohen në mënyrë të tmerrshme dhe absurde dhe nuk pikasen kurrë dhe as dënohen nga monitorët ndërkombëtarë, ose për shkak të teknikaliteteve ose për shkak të favorizimit gjeopolitik. Pavarësisht mundësive të pafundme të vjedhjeve, vetëm 20 për qind e zgjedhjeve dënohen publikisht për raste domethënëse manipulimesh, thuhet në libër.

Sot e kësaj dite zgjedhje mbahen kudo. Shumica e qeverive shkojnë në votime dhe angazhohen se do i lejojnë qytetarët që të zgjedhin se kush do i drejtojë. Megjithatë, në shumë vende, zgjedhja është diçka më shumë se një iluzion, thonë Cheeseman dhe Klaas. Votimet manipulohen që nga fillimi. Në një shkallë nga 1 deri në 10, ku kjo e fundit reflekton zgjedhjet perfekte, mesatarja e përgjithshme në botë është vetëm 6 sipas Projektit të Integritetit Elektoral. Në vendet postkomuniste si Shqipëria, mesatarja është 5 ose më pak. Në total në të gjithë botën, vetëm 30 për qind e zgjedhjeve sjellin transferim pushteti. Me fjalë të tjera, qeveria në detyrë fiton 7 nga 10 palë zgjedhje. Ky rezultat është shumë më i ulët në vende që kanë një histori të vonë të sundimit autoritar.

Ndaj në vend që të mendoni se dikush në Shqipëri e meriton mandatin e dytë për hir të reformave epokale që ka bërë, thjesht bëhuni më të qartë: zgjedhjet janë vjedhur. Kjo edhe për hir të tezës fashiste të Ilyin se demokracia është bërë ritual. Ndaj është koha që të flasim më shumë për këtë rrezik që minon themelin kryesor të demokracisë. Nëse nuk kalojmë A-në, nuk do shkojmë kurrë te B-ja.

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas