Mapo Letrare

Një kalorës nga qielli






               Publikuar në : 16:45 - 20/07/19 |
mapo.al

Përktheu: KOSTA NAKE


 AMBROS BIRS

Një pasdite me diell në vjeshtën e viti 1861 një ushtar shtrihej mbi një xhumbë dafinash në anë të rrugës për në Virxhinian perëndimore. Ishte shtrirë i gjithi mbi bark, shputat mbështetur mbi gishta, koka mbi parakrahun e majtë, dora e djathtë, e zgjatur lirshëm, shtrëngonte pushkën. Po nga një tkurje disi e ngulitur e gjymtyrëve dhe një lëvizje ritmike e lehtë e vezmes së fishekëve në pjesën e pasme të belit, mund të mendohej se s’ishte i vdekur. E kishte zënë gjumi në pozicion e rojes. Por nëse zbulohej, do të kishte vdekur vetëm pak më parë, duke e bërë vdekjen dënimin e vetëm dhe ligjor të krimit të tij.

Grumbulli i dafinave në të cilën shtrihej krimineli, ishte në cepin e rrugës pas së cilës ngjitej drejt jugut mbi një brinjë të thepisur deri te pika ku kthehej menjëherë drejt perëndimit dhe shtrihej përgjatë majës për rreth njëqind metra. Pastaj kthehej përsëri drejt jugut me zigzake duke zbritur nëpër pyll. Në një lartësi të spikatur të kësaj ktheseje të dytë ishte një shkëmb i madh i rrafshët që dilte drejt veriut dhe shikonte nga sipër luginën e thellë prej së cilës ngjitej rruga. Shkëmbi fillonte nga sipër me një humnerë të lartë, prej së cilës, po të binte një gur nga ana e jashtme, do të përfundonte pingul treqind metra poshtë mbi majat e pishave. Cepi ku shtrihej ushtari ishte një tjetër pjesë nga e njëjta humnerë. Kur të zgjoherj, do të zotëronte një pamje jo vetëm të krahut të shkurtër të rrugës dhe shkëmbit të ngrehur, por edhe një pamje të plotë anësore të honit poshtë tij. Ai pozicion i jepte mundësi të vështronte me kënaqësi.

Vendi ishte i pyllëzuar gjithandej, përveç fundit të luginës nga ana veriore, ku kishte një livadh të vogël natyror, përmes të cilit rridhte një përrua që zor se dukej nga ana e luginës. Ky shesh i hapur dukej jo më i madh se një oborr i zakonshëm, por realisht zinte disa dynymë. Gjelbërimi i tij ishte më i theksuar se pylli ngjitur me të. Tutje prapa tij, ngrihej një varg honesh gjigandë të ngjashëm me atë që qëndronte si mbikëqyrës i skenës së egër dhe përmes së cilës rruga kishte bërë një ngjitje drejt kreshtës. Konfigurimi i luginës, në të vërtetë, ishte i tillë që nga pika jonë e vëzhgimit dukej tërësisht e mbyllur dhe dikush mund të çuditej se si rruga, e cila gjendej jashtë tij, e kishte gjetur udhën brenda tij prej nga vinin dhe humbnin ujërat e përroit që e ndanin livadhin më shumë se treqind metra më poshtë.

Asnjë vend nuk është kaq i egër dhe i vështirë, por njerëzit do ta bënin atë një teatër lufte; duke u fshehur në pyll në fund të këtij çarku ushtarak, pesëdhjetë burra, duke zotëruar daljet, mund të çonin në vdekje një ushtri në detyrë, pesë regjimente të këmbësorisë federale. Kishin marshuar gjithë ditën dhe natën e mëparshme dhe po pushonin. Me rënien e natës do të niseshin përsëri për rrugë drejt vendit ku roja i tyre jobesnik po flinte tani dhe, duke zbritur në shpatin tjetër të kreshtës, do të binin mbi një kamp armik rreth mesnatës. Shpresa e tyre ishte ta kapnin në befasi, sepse rruga i nxirte nga ana e pasme. Në rast dështimi, pozicioni i tyre do të rrezikohej jashtëzakonisht; dhe rënia e tyre sigurisht do të tregonte rastësi ose vigjilencë të lëvizjeve të armikut.

Roja gjumash në xhumbën e dafinave ishte një i ri nga Virxhinia i quajtur Karter Druz. Ai ishte djalë i prindërve të pasur, djalë i vetëm dhe kishte njohuri të tilla që ia lehtësonin dhe kultivonin një mënyrë jetese si i pasur, përveç kësaj ishte testuar se ishte i aftë të komandonte në vendin malor të Virxhinias perëndimore. Shtëpia e tij nuk ishte veçse pak kilometra larg prej vendit ku shtrihej tani. Një mëngjes ai ishte ngritur nga tavolina ku po hante mëngjes dhe kishte thënë qetësisht e solemnisht:

“Baba, një regjiment i Unionit ka arritur nga Graftoni. Unë po shkoj të bashkohem me të.”

Babai ngriti kokën luanore, e pa djalin një moment në heshtje dhe iu përgjigj:

“Shko, Karter, dhe sido që të ndodhë, bëj atë që je i bindur se është detyra jote. Virxhina, për të cilën ti je një tradhëtar, duhet të vazhdojë pa ty. Sikur të jetonim ne të dy pleqtë deri në fund të luftës, do të flisnim më shumë për këtë çështje. Nëna jote, siç të ka informuar doktori, është në kushte shumë kritike: në rastin më të mirë, nuk do ta shtyjë më gjatë se pak javë, por këtë herë është e saktësuar edhe data. Do të ishte më mirë të mos e shqetësoje atë.”

Kështu Karter Druz, duke iu përkulur me nderim të atit, i cili ia ktheu përshëndetjen me një kortezi hijerëndë që e maskonte zemrën e thyer, la shtëpinë dhe fëmijërinë e vet dhe shkoi ushtar. Me vetëdijë dhe guxim, me bëma devocioni dhe dashurie, pas pak do ta gjente veten te bashkëmoshatarët dhe oficerët e tij dhe për këto cilësi dhe disa njohuri për vendin, u zgjodh për detyrën e tanishme të rrezikshme në një post roje jashtëzakonisht të skajshëm. Pavarësisht nga kjo, lodhja kishte qenë më e fortë se vendosmëria dhe ai kishte rënë në gjumë. Se ç’engjëll i mirë apo i keq në ëndërr e ngriti atë nga gjendja e krimit, kush do ta thotë? Pa një lëvizje, pa një zë, në heshtje të thellë dhe në dergjjen e pasdites së vonë, një lajmëtar i padukshëm i fatit i preku me gishtin pa gjurmë sytë e vetëdijes, i pëshpëriti në veshin e shpirtit fjalën misterioze të zgjimit të cilën nuk e ka shqiptuar kurrë asnjë buzë njerëzore, nuk e ka mbajtur mend asnjë kujtesë njerëzore. Ai ngriti qetësisht ballin nga krahu dhe vështroi mes degëve të maskuara të dafinave, duke vënë instiktivisht dorën e  djathtë mbi qytën e pushkës.

Ndjesia e tij e parë ishte një kënaqësi e madhe artistike. Në piedestalin kolosal të humnerës, e palëvizshme mu në buzën e shkëmbit të sipërm dhe në një vijë të dukshme kundrejt qiellit, ishte statuja e një kalorësi me dinjitet mbresëlënës. Figura e njeriut hipur mbi kalë kishte një drejtqëndrim ushtarak, po ngjante me qetësinë e një hyjnie greke të gdhendur në mermer e cila ia kufizonte  mundësinë e veprimit. Kostumi gri harmonizohej me sfondin ajror, metali i uniformës dhe takëmeve të kalit zbutej dhe kontrollohej nga hija, lëkura e kafshës nuk kishte asnjë pikë nga drita e fortë. Një karabinë ishte kapur shkurt pas dorezës së shalës duke e mbajtur nga ana e djathtë gati për ta rrëmbyer; dora e majtë, që mbante kapistrën, nuk dukej. Në siluetën kundrejt qiellit profili i kalit ishte prerë me saktësinë e një elmazi; ai dukej përgjatë lartësive të ajrit te honet përtej, fytyra e kalorësit, duke u kthyer lehtazi, tregoi vetëm përvijimin e tëmthave dhe mjekrës duke shikuar poshtë drejt fundit të luginës. I mrekulluar nga ngjitja e tij përkundrejt qiellit dhe duke patur ndjesinë e ushtarit që mrekullohet nga një armik aty afër, grupi paraqitej me përmasa heroike, pothuaj kolosale.

Për një çast Duzi pati një ndjenjë të çuditshme, gjysmë të përcaktuar ngaqë kishte fjetur në fund të luftës dhe po shikonte një vepër fisnike arti në prapavijë në atë pozicion të lartë që të kujtonte bëmat e një të shkuare heroike nga e cila ai kishte qenë pjesë e lavdizuar. Ndjenja ishte  larguar nga një lëvizje e lehtë e ansamblit: kali, pa lëvizur thundrat, ishte vizatuar lehtë prapa nga skaji; burri kishte mbetur i palëvizur si më parë. I zgjuar plotësisht dhe i gjallë qartësisht për domethënien e situatës, Druzi tani ngriti shënjestrën e pushkës tek faqja duke shtyrë me kujdes mburojën përpara përmes shkurreve, ngriti grykën dhe, duke vështruar përmes shtjekëzës, shënoi një pikë jetësore të gjoksit të kalorësit. Mjaftonte një tërheqje e këmbëzës dhe e gjitha do të kishte qenë nën pushtetin e Karter Druzit. Në atë çast kalorësi ktheu kokën dhe pa në drejtim të armikut të fshehur, e pa drejt e në fytyrë, drejt në sy, drejt në zemrën trime, me mëshirë.

A ishte kaq e tmerrshme të vrisje një armik në luftë, një armik i cili të ka befasuar me një sekret që të kushton jetën, sigurinë për vete dhe shokët, një armik më të tmerrshëm për njohuritë e tij se sa të ushtria e tij? Karter Druzi u zbeh, iu drodh në çdo gjymtyrë, u kthye i zbehtë dhe pa ansamblin statujor para tij si figurë e zeza, duke u ngritur, duke rënë, duke lëvizuar me luhatje në harqet e rrathëve në një qiell flakërues. Gishti i tij u largua larg nga këmbëza, koka iu ul ngadalë derisa fytyra e tij pushoi mbi gjethet mbi të cilat ishte shtrirë. Këtij xhentëlmeni kurajoz dhe ushtari të fuqishëm gati po i binte të  fikët nga barra e emocioneve.

Kjo nuk zgjati shumë, një moment tjetër fytyra e tij u ngrit nga toka, duart e tij rizunë vendet në pushkë, gishti tregues kapi këmbëzën; mendja, zemra dhe sytë ishin të qartë, ndërgjegjja dhe arsyeja – të shëndosha. Nuk mund të shpresonte ta kapte atë armik; mund ta trondiste, ose ta vinte përpara duke e shtyrë te kampi i tij me lajmin fatal. Detyra e ushtarit ishte e qartë: njeriu duhej qëlluar për vdekje nga prita, pa paralajmërim, pa një parapërgatitje shpirtërore të çastit, me një lutje të pathënë, dërguar për llogari të vet. Por jo, kishte një shpresë; ai mund të mos kishte zbuluar asgjë, apo ndoshta kishte, apo thjesht admironte madhështinë e peizazhit. Po ta lejonte, ai mund të kthehej dhe të kalëronte tutje i shkujdesur në drejtimin nga kishte ardhur. Sigurisht do të ishte e mundur të gjykonte në çast nga tërheqja e tij nëse ai e dinte. Mund të ishte më mirë në këtë fiksim të vëmendjes – Druzi ktheu kokën dhe vështroi poshtë përmes shtresës së ajrit, nga sipërfaqja lart në fundin e atij deti tejdukshmërie. Pa të zvarritej përgjatë livadhit të gjelbër një linjë sinusoidale me figura njerëzish dhe kuajsh, disa komandantë budallenj po i lejonin ushtarët e eskortave të tyre t‘u jepnin ujë kafshëve në shesh të hapur, duke u dalluar qartë nga një duzinë majash.

Druzi i largoi sytë nga lugina dhe i fiksoi përsëri mbi ansamblin e burrit dhe kalit në qiell dhe përsëri i kaloi nëpër shënjeshtrën e pushkës. Por këtë herë qëllimi i tij ishte te kali. Në kujtesën e tij, sikur të kishin një mandat hyjnor, lëshoi fjalët e të atit gjatë ndarjes: “Sido që të ndodhë, bëj atë që je i bindur se është detyra jote.” Ai ishte i qetë tani. Dhëmbët i kishte bashkuar, por jo të mbyllur fort; nervat e tij ishin të qeta si gjumi i bebes, asnjë dridhje nuk ngacmonte ndonjë muskul të trupit; frymëmarrja, deri në realizimin e veprimit të qitjes, ishte e rregullt dhe e ngadalshme. Detyra kishte fituar; shpirti i kishte thënë trupit: “Paqe, rri i qetë.” Ai qëlloi.

Një oficer i forcave federale, i cili nga shpirti i aventurës apo i etur për njohje, kishte lënë çadrën e fshehtë në luginë dhe kishte shkuar ku e çonin këmbët, duke bërë rrugën e vet te ana më e ulët e një hapësire të vogël e të hapur pranë këmbëve të honit, duke menduar ç’kishte për të fituar duke e shtyrë më tej eksplorimin. Në një largësi rreth gjysmë kilometri para tij, por dukshëm sa flakja e një guri, fillonte nga buza e pishave faqja gjigande e shkëmbit, që ngrihej si kullë aq e madhe  dhe e lartë, kjo e bëri qejfli të shohë lart ku buza e tij pritej nga një vijë e mprehtë dhe e ashpër kundrejt qiellit. Ai tani përftonte një profil vertikal të pastër ndaj sfondit të qiellit blu te një pikë në mes të largësisë dhe kodrat e larta, jo më pak blu, pastaj te majat e pemëve në bazën e tij. Duke ngritur sytë te lartësia maramendëse e kreshtës së saj, oficeri pa një pamje mahnitëse – një njeri hipur mbi kalë që po zbriste në luginë përmes ajrit. Mbi të ishte ulur kalorësi, me uniformë ushatrake, me një qëndrim të vendosur në shalë, me një mbërthim të fortë pas frerit që ta mbante kalin në zhytjen tepër të vrullshme. Prej kokës së zhveshur flokët e tij të gjatë ngriheshin lart duke u valëvitur si xhufkë. Duart e tij ishin fshehur në renë e krifës së ngritur të kalit. Trupi i kafshës ishte aq i rrafshët sikur çdo goditje e thundrave llogariste fërkimin e tokës. Lëvizjet e tij ishin të një galopi të egër, edhe pse oficeri dukej se i kishte ndaluar ato me të këmbët hedhur përpara si në veprimin e ndezjes nga hovi. Por ai ishte një fluturim!

I mbushur me habi dhe terror nga kjo paraqitje e një kalorësi në qiell, gjysmë besimtar për shkrimet e zgjedhura për një apoklaips të ri, mbi oficerin vërshoi intesiteti i emocioneve; këmbët e tradhëtuan dhe ra. Pothuaj në të njëjtin çast, dëgjoi një zhurmë thyerjeje në pemë, një tingull që u shua pa jehonë dhe përsëri ra heshtja.

Oficeri u ngrit në këmbë duke u dridhur.  Ndjenja e njohur e një kërcitje nga fërkimi, i kujtoi aftësitë e shushatura. Vrapoi me shpejtësi të dukshme larg honit te një pikë e largët; atje priste të gjente njeriun e tij, dhe atje natyrisht dështoi. Në çastin e fluturimit të vizionit, imagjinata kishte punuar nën hijeshinë, lehtësinë dhe synimin e dukshëm të një shfaqjeje të mrekullueshme, një vijë marshimi e kavalerisë ajrore drejt poshtë ku mund të gjente objekte nga kërkimi pikërisht në këmbët e honit. Gjysmë ore më vonë ai u kthye në kamp. Ky oficer ishte një njeri i mençur; ai e dinte se ishte më mirë të mos tregonte një të vërtetë të pabesueshme. Nuk tha ç’kishte parë. Por kur komandanti e pyeti në se në zbulimin e tij kishte mësuar ndonjë gjë për përparësitë e ekspeditës, ai u përgjigj:

“Po, zotëri, nuk ka rrugë që të çon poshtë në luginë nga ana e jugut.”

Komandanti, duke e ditur më mirë, buzëqeshi.

Pasi kishte realizuar shkrepjen, ushtari i thjeshtë Karter Druz, rimbushi pushkën dhe iu kthye vëzhgimit. Nuk kishin kaluar as dhjetë minuta kur një rreshter federal u kacavir këmbadorazi drejt tij. Druzi nuk e ktheu kokën, as nuk e pa atë, por qëndroi shtrirë pa lëvizur ose pa kërkuar shenjë njohje.

“Ti qëllove?” – pyeti rreshteri.

“Po.”

“Kë?”

“Një kalë, po qëndronte te ai shkëmbi atje, jo shumë larg. Nuk është më atje, ra në humnerë.”

Fytyra e burrit u zbardh, por nuk tregoi shenjë tjetër emocioni. Duke marrë përgjigje, ai hoqi sytë dhe nuk foli më. Rreshteri nuk e kuptoi.

“Shiko këtu, Druz, – tha ai, pas një momenti heshtjeje, – Nuk ia vlen ta bëjmë mister. Të urdhërova të raportosh. Kishte njeri hipur në kalë?”

“Po.”

“Edhe?”

“Ishte im atë.”

Rreshteri u ngrit në këmbë dhe u largua.

“Mirë, mirë,” – tha ai.

 

 

 


Etiketa:

Pas