Arrestimi i një numri komisionerësh të të gjitha partive kryesore nga ana e SPAK është vetëm një lajm në morinë të tjerëve që qarkullojnë çdo ditë si kudo edhe në vendin tonë.
Megjithatë ndryshe nga ç’ndodh rëndom ky lajm u bë protagonist i shumë ngjarjeve të tjera që e pasuan. Mjaftoi ky arrestim i disa personave për të marrë edhe një dëshmi tjetër më shumë se ku janë institucionet tona, si konsiderohen nga titullarët më të rëndësishëm të tyre dhe si duhet të jenë. Këtu në këtë rast nuk bëhet fjalë thjesht për SPAK.
Protagonist si zakonisht për polemika, por aspak si shtetar që njeh dhe respekton ligjësitë e funksionimit të shtetit të cilin pretendon se po e ndërton mbetet si zakonisht Kryeministri. Ai nuk ngurron asnjëherë të nxjerrë përfitime politike edhe aty ku nuk duhet dhe është e dëmshme.
Megjithëse në stilin e tij të qeverisjes dominon përfitimi maksimal nga çdo ndodhi që ndikon në mbajtjen e pushtetit pa u kujdesur për vlerat sociale që shkelen dhe dëmi afatgjatë që ato i shkaktojnë vendit, siç ndodhi konkretisht me deklarimin e tij publik lidhur me arrestimet.
Në përbërjen e grupit të të arrestuarve, shefi i qeverisë bëri bilancin partiak të militantëve të burgosur ku me brohorima nxori statistikat sipas të cilave pjesa më e madhe e tyre janë nga opozita e sotme dhe më pak nga ata të qeverisjes. Deklarimi ishte thuajse me nota triumfuese me konstatimin ogurzi se opozita i paskësh zhytur më shumë duart në vjedhje votash dhe qeverisja më pak, megjithëse kjo e fundit i fitoi zgjedhjet. Një arsyetim i tillë nga shtetari më i lartë i vendit, të bën minimalisht të çuditesh.
Në fakt vendi ka nevojë për zgjedhje të ndershme, për standard të lartë të tyre dhe jo për standardin se kush vjedh më shumë e kush vjedh më pak. Ndërkohë dihet kudo qartë që krimet që konstatohen nga organet kompetente, janë rregullisht më pak se ato që ndodhin, ndaj dhe problemi, si në rastin konkret ai i manipulimit të votave, nuk është thjesht çështje numrash këtej apo andej krahëve politikë, por një fenomen i deformuar social që ekziston. Madje këto statistika nuk shërbejnë as si argument politik për të administruar zgjedhjet me persona të depolitizuar, siç u pretendua.
Këtu dalim në një pikë për të cilën bëhet shumë zhurmë dhe asnjëherë pikat nuk vihen në vendin e duhur lidhur me besueshmërinë e institucioneve të vendit dhe paanshmërinë e tyre, si rezultat i mungesës së depolitizimit.
Në rastin e zgjedhjeve, depolitizimi i administratës që e menaxhon atë nga njëra anë është çështje e formimit personal dhe etik e një individi apo i shumë të tillëve për të qenë neutral në ushtrimin e funksionit të tyre megjithëse mund të militojnë në një parti ose dhe jo, por nga ana tjetër, ai duhet të jetë edhe një standard moral i drejtuesve politikë për të mos ushtruar ndikim duke joshur për favore për këta individë dhe të afërmit e tyre apo edhe presione për të kundërtën nëse fitohen zgjedhjet.
Pa qenë këto dy anë të së njëjtës medalje të rrënjosura fort në gjithë administratën e një vendi, askush nuk mund të pretendojë për pavarësi reale dhe aq më pak të zgjedhjeve.
Në fakt kjo logjikë duhej të ishte edhe shtrati mbi të cilin duhet të ngrinte hetimin edhe SPAK. Komisionerët militantë është e pamundur t’i ndash nga frymëzuesit apo më saktë nga porositëset e tyre.
Në një farë mënyrë këta militantë “vranë zgjedhjet” dhe u dënuan, kurse porositësit e “vrasjes” nuk u zbuluan dot dhe vazhdojnë me propozime të reja zgjedhjesh pa u ndëshkuar. Krahasimi është i ashpër, por mënyrë e veprimit mbetet e njëjtë si në rastin e vrasjeve që kryen mafia kur krimi nuk quhet i zbuluar duke arrestuar killerat, por duke provuar edhe fajin e porositësit të vrasjes që ka marrë vendimin, ka gjetur njerëzit e duhur, i ka motivuar ata duke i paguar dhe vetë është kujdesur që të zhdukë çdo lloj gjurme për të mbajtur përgjegjësi, madje mundësisht edhe alibi.
I tillë është edhe krimi elektoral dhe duke vepruar kështu plaga nuk shërohet. Të shpresojmë se çfarë do të nxjerrë hetimi. Depolitizimi si çështje paanshmërie e drejtësisë nuk ka të bëjë thjesht me faktin se duke qenë pjesë e SPAK-ut, automatikisht një prokuror është i depolitizuar.
Edhe kur punonjësi i drejtësisë emërohet nga struktura të pavarura, është e pamundur të eliminohet krahu i gjatë i politikës në promovimin e këtij apo atij prokurori. Në kushte të tilla, të qenit i depolitizuar apo jo, mbetet një çështje e vetë individit, e etikës dhe e personalitetit të tij për të mos qenë shërbëtor politik. E kanë këtë personalitet të zgjedhurit e reformës? Kjo mbetet ende për t’u parë.
Në viktimat e ndritura të mafies në Palermo ka pasur shumë prokurorë dhe disa prej tyre, në disa segmente të jetës kanë pasur edhe angazhime konkrete në politikë si majtas dhe djathtas, por kur iu rikthyen profesionit të tyre, e kryen atë me paanshmëri duke e paguar madje atë edhe me jetë si viktima të atentateve të mafies. Pra, prokurorët e SPAK i kanë të gjitha mundësitë për të bërë punën si duhet dhe kjo varet vetëm prej tyre duke shmangur presionin politik.
Po ende pa u shoshitur zhurma mediatike rreth komisionerëve të arrestuar, pa pritur në skenë doli lajmi tjetër i së njëjtës ngjarje. Dy prej tyre ishin tashmë të vdekur. Dhe për më tepër sqarimi i bërë nga ana e SPAK-ut më këtë rast për mos çregjistrim të tyre është mjaft më e rëndë se vetë gafa e fletarresteve të tyre. Problemi i pohuar nga SPAK nxori në pah çrregullimet e funksionimit të institucioneve kompetente të vendit të cilat kur dikush vdes nuk kryekësh si duhet procesin deri në çregjistrim.
Dhe kjo parregullsi të fut frikën edhe për zgjedhjet, por sidomos edhe për momentin e vështirë që po kalojmë për të dalluar mirë se kush vdes nga COVID dhe kush jo.
Ndërkohë SPAK-u bëri njoftimin e rastit, por besoj se duhej të shprehej që do t’i bënte një raport prokurorisë kompetente për të hetuar rreth këtij fenomeni që njerëzit vdesin dhe nuk çregjistrohen. Ky është kaos.