Mapo Letrare

Një mbrëmje e bukur poetike…






Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:15 - 20/09/20 |
Lulzim Logu

Kur hëna e bukur u shfaq përballë Shkelzenit, në mjediset e “Grand Hotel Klaus” , në prani të miqve të tij krijues nga Tropoja, Tirana, Lezha, Gjakova, Peja, Prishtina, poeti Zenun Hysenukaj promovoi dy librat e tij të rinj: “Kujtime të fjetura” me letra, ese, kujtime dhe “Largoi stinët nga fytyra jote” me poezitë e tij më të reja, botime të Shtëpisë Botuese “Muzgu” Tiranë.


Në organizim të “Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “ Tropojë, takimin e moderuar nga Lulzim Logu e hapi me fjalën e tij vlerësuese poeti Sadik Bejko.Më pas për krijimtarinë e Hysenukajt folën poetët Hamit Aliaj, Tahir Bezhani, Azem Baliaj, Bislim Ahmetaj , Migena Arllati dhe Asllan Osmanaj.


Gazetarët Lan Qyqalla, Dan Ibrahimi, Jahja Llukaj , Reshat Seitaj si dhe poeti dhe studjuesi Hasan Selimi shënuan faktin se takime të tilla, pavarësisht se të kufizuara dhe në respektim të protokolleve të sigurisë, për shkak të situatës nga Covid 19, shërbejnë që të mbajmë ndezur flakën e bashkëpunimit dhe integrimit kulturor si dhe i japin politikës së ditës modelin  sesi duhet komunikuar me njeri tjetrin dhe qytetarët për fatet e vendit dhe të së ardhmes tonë të përbashkët.



Më pas disa prej poetëve interpretuan pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e poetit Zenun Hysenukaj, duke sjellë për krejt të pranishmit një atmosferë të këndshme, shoqëruar me sfondin e bukur të alpeve, të ndriçuar nga tone të buta të dritës hënore mbi liqenin e Kasaje…


Ishte, një natë poetike shumë romantike, në këtë cep të atdheut tonë, në Tropojë, vatër e njohur e kulturës letrare, e trimërisë e bujarisë, një çerdhe e ngrohtë e shumë shpirtërore me shumë rëndësi në Malësinë e Gjakovës e jo vetëm.


Kasaj, 22/08/2020

******************************************

 Zenun Hysenukaj ‘’ Më thoni si të vdes”

NUK DI

Sytë e mi veshur me mite të panjohura.
Ekoja e fatit mban fjalen në majë të gjuhës.
dhe kohrat i bashkon me një byzylyk
rrahur me shufra mëkatesh të parrëfyera.

Nuk di si të largohem nga shtegu i errët
me mjegull.
Nuk di si ta shtrij një tel a mendim pa u rrudhosur.
Nuk di si ta mbaj një flokë bore në pëllëmbë
pa u shkrirë.
Nuk di si ta ndal vrapin e kalit në shpinen
e hekurt të kohës.
Nuk di si ta shtrij jorganin e ëndërrave
të parealizuara.
Nuk di si ta largoj udhëheqësin që mbi kokë
ma prish qetësinë.
Nuk di si të mos e vras diten time çdo ditë.
Nuk di si ta bluaj me dhëmbë friken time.

Heshtja qenka prova moderne e barbarve.
Koka ime përtypë pa pushim ashtet e së nesërmes.
Udhëheqësi më shumë ma shkel hijen.
Kalimtarët e ferrit përplasin buzët e ngrëna
prej talljeve.
Kamzhikët e fatit më rrjeshtohen mbi vetull,
në pritje për t’mi shkul.
Historia jonë kafshon veten,rilind,jeton,
vdes,shuhet e prap jeton.

Ç’të bëj ?
shes dhe blej merzi
çdo ditë.

 

ME THONI SI TË VDES

E jetova jetën në teh vendimesh.
Mbrëmë ja preva thonjët hënës,
ja limova me limë.
Sot diellit ja mbulova njërin sy me biftek.
Pastaj vendosa t’ju pyes ju miq,
thuajmëni si do të vdes ?

Që mos të kacavirem në murin e turpit.
Mendova të vdes nga një infrakt.
A të vdes i mytur në alkol,

E pash veten në ëndërr.
Të vrarë me plumba,të djegur,të varur.
Të masakruar me shpatë.
Të shkelur me makinë.
Të mbytur në ujë.

Si të vdes.
Ngadalë a shpejt ?
I merzitur,i gëzuar,indiferent.?
I veshur ,i xhveshur.?
I zbehtë,a çifut i zi ?
I shtrirë i rrudhur ?
Sytë e hapur,sytë e mbyllur,
a pa sy.
E di.
Mijra mundësi qenkan për të vdekur
Para se të vdes i dhjerë në pleqëri…

MU DASHKA KOHE

M’u dashka kohë të gjej poezisë vargun e fundit.
Të mjekoj krahun e thyer pëllumbit.
Të pastroj oborrin nga hithra e shtogje.
Të shkruaj një këngë për korin e zogjve.
M’u dashka të qetësoj qenin që rri pas fronit.
Ai qan për mua si qeni i Bajronit.
Më duhet të pres prillin me lule molle.
Sa të çoj mbesen në kopësht për dore.
Sa të zihem me palaçon me shpirtë si natë.
Që më thotë se malok ishte im Atë
Sa të korri arat me drapërin e hënës.
Të qaj në heshtje mbi varrin e nënës.
Më duhet të pres se më djeg si zjarri.
Të di nga ç’fis nusen ma merr djali.
Të shaj matrapazët që uthull për verë shesin.
Të njoh horoskopin e tërë unuversin
Sa të shkoj në fshat ku pemët gjyshi mbolli.
Të caktoj një gështenjë për drrasa arkivoli.
Le të pres vdekja edhe një shekull.
Vertet,herë jam i gjallë herë jam i vdekur…

 

 

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas