Presidenti i Republikës, Ilir Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit amerikan George H.W. Bush. Në një postim në rrjetet sociale kreu i shtetit shqiptar e cilëson Bush një mbështetës të fortë të lirisë, si dhe një mik të madh e të shtrenjtë të shqiptarëve.
“Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të #Presidentit të 41 të #SHBA George H.W. Bush. Ai ishte një burrë i madh shteti dhe një mbështetës i fortë i #lirisë. Jam pranë familjes së tij dhe lutem së bashku me ta. Ai ishte një mik i madh e i shtrenjtë i #shqiptarëve”, shkruan Presidenti Meta.
Për vdekjen e ish-Presidentit amerikan reagoi edhe kreu i Partisë Demokratike. Lulzim Basha thotë se shqiptarët do t’i jenë përjetë mirënjohës George H.W Bush.
“Lajm i hidhur ndarja nga jeta e ish Presidentit të SHBA George HW Bush. Shqiptarët do ti jenë përjetë mirënjohës për mbështetjen vendimtare për demokracinë në Shqipëri dhe sigurinë në Kosovë. Mendimet e lutjet e mija janë me familjen Bush dhe popullin amerikan. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara u shua në moshën 94-vjeçare. Ai ishte babai i Presidentit të 43-të amerikan, George W. Bush. Në vitin 2012, ai njoftoi se vuante nga parkinsoni vaskular, një sëmundje që i kufizoi lëvizjet e tij fizike. Bashkëshortja e tij prej 73 vjetësh, Barbara Bush, vdiq më 17 prill të këtij viti./tvklan.al