(Mbi nismat rajonale paralele në Ballkanin Perëndimor apo Forumet Rajonale të Liderëve Populistë?!)
Nga Lutjona Lula*
Rishtazi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq; Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kanë inicuar nismën e ashtuquajtur ‘mini-Schengen’. Takimi i dytë i kësaj nisme është njoftuar se të zhvillohet në Ohër. Rajoni i Ballkanit Perëndimor është prej vitesh i angazhuar në procesin e integrimit në BE, por Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën të marrin një dritë jeshile në hapjen e negociatave. Nga ana tjetër, Procesi i Berlinit është aktualisht iniciativa më aktive e promovuar nga disa shtete anëtare të BE-së, si një alternative e dukshme për t’i mbajtur vendet të përfshira me narrativën pro BE-së, ndërkohë që në të vërtetë janë lënë në pritje lidhur me hapat konkrete për t’u anëtarësuar. Nga ana tjetër, ekzistojnë një sërë nismash të ndërmarra nga shoqëria civile në rajon, për të nxitur frymën e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin në BE. Kohët e fundit, “mini-Schengen” është nisma më e re ndër-qeveritare, e prezantuar nga 3 liderët e vetëm 3 nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, cilat janë pasojat e mundshme të zhvillimeve të tilla për politikën rajonale? Fragmentarizimi! Në të vërtetë, ajo çka BE është përpjekur të trajtojë dhe zvogëlojë përmes Procesit të Berlinit mund të dëmtohet nga nisma të tilla që përfshijnë vetëm gjysmën e vendeve të rajonit. Kjo iniciativë krijon precedentët që udhëheqësit e tjerë të rajonit të krijojnë një ‘mini mini Shengen’ dhe lista mund të vazhdojë pafund. Në thelb, këto nisma përfundojnë vetëm në ripërsëritje të marrëveshje bilaterale dhe trepalëshe që nuk çojnë askund. Qeveritë e secilit vend kanë një ministri, të quajtur Ministri të Punëve të Jashtme, e cila merret parimisht me marrëveshjet ndër-shtetërore. Ndaj, krijimi e iniciativave të tilla çon thjesht në mbivendosje dhe ripërsëritje, ndërkohë që konkretisht nuk krijohet thellim i ndërveprimeve, por thjesht një jehonë politike, që i shërben vetëm imazhit dhe aspak përmbajtjes.
Në ndryshim nga sektori i OShC-ve (i cili gjithashtu ka të metat e tij) qeveritë duhet të pranojnë se iniciativat paralele dhe jo të ndërlidhura, në Ballkanin Perëndimor, nuk ndihmojnë aspak as bashkëpunimin e tij, as edhe integrimin e rajonit në BE. Asnjë nga iniciativat nuk ka një ndjekje dhe vazhdimësi konkrete përsa i përket teknikaliteteve të zbatimit apo planeve të veprimit. Vetë formulimi është qesharak duke iu referuar këtyre takimeve tre-palëshe si “takime të nivelit të lartë’’. Faktikisht një festë e përbërë nga 3 të ftuar mund të jetë e nivelit të lartë, apo çdo lloj termi që këta të ftuar duan të përdorin-pse jo?
Sidoqoftë, asgjë nuk mund të zëvendësojë alternativën e integrimit në BE dhe qeveritë duhet të dëgjojnë votuesit e tyre. Në vend që të përqëndrohen në këto nisma jo të qëndrueshme, qeveritë duhet të fokusohen seriozisht në reformat konkrete për të parandaluar përkeqësimin dhe emigracionin masiv si dhe rrjedhjen e trurit, fenomen i cili po përshkallëzohet në nivelin rajonal. Duket sikur qeveritë po riprodhojnë modelin e sektorit të OShC-ve, ku secila iniciativë i ngjan një projekti të ri, të financuar nga ndonjë donator diku larg.
Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në BE kanë nevojë për një qasje të strukturuar nga të dyja palët, si nga ana e BE-së edhe nga qeveritë e rajonit. Nevoja për reforma të thella, të strukturara është imediate. Deri më tani, këto shfaqje populiste vetëm sa e dëmtojnë bashkëpunimin rajonal në aftagjatë, pasi ato nuk bazohen në studime të tregut dhe masa konkrete, por mbeten vetëm në diskutime politike të nivelit të lartë. I vetmi ‘mini-Schengen’ që ndodh, e shkruar në gjuhën e projekteve, do të ishte një lloj ‘Forumi rajonal i autokratëve të Ballkanit: Shkëmbimi i praktikave më të mira për stilet e qeverisjes autoritare’.
Duke lënë mënjanë ironinë, askush nuk përmend kurrë studime tregu të kryera për mënyrë sesi mini Schengen-i mund të ndihmojë, as qëllimet strategjike, rezultatet apo edhe kostot financiare të nismave të tilla ripërsëritëse.
*Lutjona Lula është një studiuese e Integrimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, si edhe kontribuese në Forumim për Europën Lindore dhe Qëndrore (fomos.org). Ajo është njohëse e aktualitetit në rajon fal dhe eksperiencës së të jetuarit në Beograd dhe Zagreb. Ky artikull është publikuar dhe në gjuhën angleze në (fomos.org).