Gazeta Mapo analizon situatën e turzimit në vend dhe flet me specialistët më të njohur të fushës. Të dhënat për zgjedhjen që bëjnë qytetarët dhe çfarë po ndodh me pushuesit e huaj. Ndërkohë, ekonomisti Pano Soko tregon se sa të vështirë e ka një familje normale të bëjë 1 javë pushime. Ndiqni një skaner të plotë të gushtit.
Nga Freard Rista
Dy vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një axhendë të ngarkuar politike. Dhe 6 muajt që lamë pas, kishim një sezon të fortë protestash. Përmendim këtu atë të studentëve në dhjetor, protestat maratonë e masive të opozitës, dhe dy rezistencat e përditshme, tashmë prej gati një viti, ajo për Teatrin Kombëtar dhe e banorëve të Astirit.
Me një kalendar kaq të ngarkuar politik të lënë disi pas, shqiptarët kanë hyrë në gushtin e pushimeve.
Një muaj plazh, pa udhëheqësit që pushtojnë gjithë kohën e hapësirën. Edhe pse shenjat janë që opozita nuk do të mbyllë zyrat, pasi denoncimet e saj janë të përditshme, po ashtu edhe aktivitetet e kryetarit të PD.
Nga ana tjetër, prezent ngjan edhe Presidenti i Republikës, që vetëm dje i ktheu mazhorancës dy ligje. Në këtë atmosferë, Tirana dhe qytetet e tjera kanë nisur të zbrazen pak nga pak, dhe rrugët që të çojnë në destinacione turistike janë përherë e më të populluara me udhëtues vendas e të huaj.
Mirëpo, përtej reklamave dhe industrisë që na ofron një pamje idilike, sa në të vërtetë pushojnë shqiptarët, çfarë zgjedhin, cilët ia dalin të marrin veten nga një vit i ngarkuar, dhe cilët nuk kanë mundësi financiare.
Gazeta Mapo ka folur me specialistët e fushës.
“Shumica e shqiptarëve preferojnë t’i bëjnë pushimet jashtë kufijve. Eshtë një trend i përgjithshëm, megjithatë kemi një rënie të shifrave për shkak të rënies së ekonomisë. Destinacioni i preferuar për shqiptarët është Antalia në Turqi, si dhe disa zona të Greqisë, të cilat kanë kosto të lirë, duke qenë se shkohet me autobus dhe paketat turistike janë më të lira”, thotë për MAPO-n, Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
Në të njëjtën linjë është edhe Besnik Vathi, nënkryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistik.
“Për shqiptarët vendin e parë e mban Antalia e Turqisë, pastaj është Greqia me zonat që ka afër Shqipërisë (Korfuzi, Kalkidhiki, Riviera Olimpike, Parga, Preveza). Vazhdon me charter në Egjipt, Sharm el Sheik dhe destinacionet e tjera janë të ndryshme për individë të ndryshëm, që mund të shkojnë me makinat e tyre ose me linja turistike. Por numrin më të madh të pushuesve dhe shpenzimet më të larta bëhen në Antalia”.
Nga statistikat që na siguron Rrahman Kasa, vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2019, kanë dalë jashtë vendit rreth 2.7 milionë vetë me pasaportë shqiptare, përfshirë këtu edhe emigrantët tanë.
Përsa i përket atyre që qendrojnë, që zgjedhin t’i bëjnë pushimet në Shqipëri, Vathi thotë se me këtë nuk merren agjencitë shqiptare, pasi brenda Shqipërisë qytetarët zgjedhin hotele, apartamente, dhoma me qira, me ndërmjetësim personal, mjafton të telefonojnë miqtë e tyre, apo t’i gjejnë vetë. Pra nuk përdorin agjencitë.
Megjithatë, edhe pse është e pamundur të bëhen konstatime apo matje se ku pushojnë dhe sa shpenzojnë njerëzit në Shqipëri gjatë sezonit të verës, kreu i Unionit Turistik, Kasa, pohon se këtë vit ka një rënie të numrit të pushuesve shqiptarë brenda vendit, për shkak të rënies ekonomike.
“Për sa i përket shqiptarëve, të cilët bëjnë pushime në Shqipëri, duhet thënë që ka rënie. Është e vështirë të matet, por me një konstatim që bëjmë me anë të vëzhgimit, përshembull, në plazhin e Llamanit, një prej plazheve më me emër në vend, çadrat dhe vija bregdetare nuk zihet më shumë se 50% e kapacitetit të saj. Turizmi i shqiptarëve brenda vendit ka rënie të konsiderueshme, jo vetëm se ikin jashtë kufijve, por edhe për shkak të ekonomisë. Disa prej tyre bëjnë pushime ditore për të shmangur koston e fjetjes dhe ushqimit, dhe marrin bukë me vete”.
Sa më poshtë zbret nga Veriu në Jug, më tepër rriten çmimet.
“Velipoja mban rekord për çmimet më të ulëta (20-25 mijë lekë dhoma), pastaj vjen Shëngjini (25-30 mijë lekë dhoma), Durrësi-Kavaja (30-35 mijë lekë dhoma), dhe Saranda. Vlora ka përgjithësisht çmime më të larta pasi shfrytëzojnë vetëm 45-60 ditë plazh. Në jug shkon dhoma 40 mijë lekë të vjetra e sipër, nata”, thotë Rrahman Kasa.
“Në jug të Shqipërisë, ku shfrytëzimi është shumë i kufizuar në kohë, pra nuk shfrytëzohet më shumë se 2 muaj gjatë verës, çmimet vazhdojnë të mbeten të larta, por përsëri janë konkurruese me çmimet e vendeve fqinje, gjë që bën që Shqipëria të thithë turistë nga vende të ndryshme të botës. Gjatë 4-5 viteve të fundit, prurja e turistëve të huaj në Shqipëri është shumë e lartë, sepse filluan të fluturojnë charter me destinacione vendet shqiptare, të porositura direkt nga të huajt”, shton Vathi.
Përsëri referuar statistikave që na siguron kreu i Unionit Turistik, përsa i përket vizitorëve të huaj, në Shqipëri për 6-mujorin e parë të vitit 2019, kanë hyrë rreth 2.2 milionë shtetas.
Ashtu siç u përfol dhe siç pritej, situata politike gjatë muajve para sezonit turistik, e frenoi pak prurjen e turistëve të huaj, nga frika e trazirave. Z.Kasa thotë se mediat e huaja zhvilluan një propagandë, e cila nuk ndikoi për mirë, duke thënë se do ketë përplasje, gjë që nuk ndodhi. Por sërish, del se ka rritje.
“Në lidhje me 1 vit më parë, prurja e turistëve të huaj ka një rritje minimale, kjo për shkak se disa prenotime u anuluan dhe duhet thënë se sezoni nuk ka mbaruar ende. Gjatë këtij muaji priten të vijnë turistë të tjerë. Turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë vijnë direkt me charter dhe preferojnë më shumë zonat bregdetare. Më e frekuentuar është zona e Durrësit dhe Kavajës, pasi janë afër aeroportit, por edhe për çmimet normale që ofrojnë. Më pas vjen Jugu dhe Saranda”.
Vërehet një ndryshim destinacioni për pushuesit nga Kosovara, të cilët nuk kanë Durrësin si pikë kyçe, por tani kanë zgjedhur Velipojën dhe Shëngjinin. Kjo ka ndodhur për arsye të çmimeve më të lira që ofron bregdeti i veriut.
“Vlora, duke qenë në qendër të plazheve të themi, ka një miksim turizmi, nuk ka shifra të sakta, por këtë vit ka një numër të lartë turistësh italianë që vijnë me tragete. Ndërsa ata turistë të huaj që preferojnë zonat malore, zgjedhin Valbonën, Thethin, Pukën dhe Dardhën”, thotë Kasa.
Për sa i përket emigrantëve që vijnë në Shqipëri, Besnik Vathi thotë se ata ose përdorin agjencitë për të shkuar përsëri jashtë vendit, në Turqi apo Greqi, ose si shumica e shqiptarëve, organizohen me familjet apo shoqërinë e tyre dhe zgjedhin t’i bëjnë pushimet në destinacionet tona.
Ajo çka konsiderohet pozitive për vendin tonë sa i përket sektorit të turizmit, është se po konkurrojmë me vendet e rajonit si Mali i Zi, Greqia apo Kroacia.
“Duhet thënë se Shqipëria konkurron bindshëm me vendet e rajonit, pasi ka çmimet më të lira. Sigurisht që jemi më mirë se Mali i Zi, si me çmime dhe me numër turistësh, por duhet thënë se kemi vijë bregdetare më të gjatë dhe numër popullsie më të lartë”, shprehet Kreu i Unionit Turistik.
Me çmimet e ulëta konkurruese dhe me zonat atraktive që ofron, Shqipëria duket se po u “rrëmben” turistë vendeve fqinje, duke përparuar vit pas viti në këtë sektor.
“Mali i Zi po ankohet se Shqipëria po i merr turistët. Ne nuk i ofrojmë çmimet e ulëta me qëllim parësor t’i marrim Malit të Zi, por është zhvilluar ai lloj turizmi, për turistët kosovarë, për ata që kërkojnë çmime në mos të ulëta, të paktën normale. Duhet të pranojmë që shpeshherë paguhet edhe vendi, pra emri. Momentalisht kemi çmime më konkuruese se Mali i Zi”, thotë Vathi, nënkryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë.
Megjithatë, edhe pse vendi ynë ka bërë hapa para në sektorin e turizmit, disa problematika mbeten ende shqetësuese dhe kërkojnë zgjidhje. Parësore është mungesa e standardeve, thotë Kasa.
“Problematika kryesore është infrastruktura e dobët, mungesa e specialistëve të turizmit, informaliteti dhe konkurenca e pandershme”.
MAPO kontaktoi me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, dhe i dërgoi atij disa pyetje, por z.Klosi nuk u përgjigj. Po ashtu, nuk dhanë informacion dhe nuk u përgjigjën as zyrtarë të Ministrisë së Turizmit, të kontaktuar nga Mapo. Mesa duket, kulmi i sezonit i ka gjetur të impenjuar me punë të tjera, jo me Turizmin.
Në një prononcim për MAPO-n, Shefi i Departamentit të Turizmit në PD, Jamarbër Malltezi, pohon se Shqipëria po i konkurron vendet fqinje me çmimet e ulëta dhe variacionet e zonave natyrore, por nga ana tjetër janë një sërë problematikash, sipas tij shqetësuese, dhe e vetmja gjë që po bën qeveria për turizmin është propaganda.
“Nuk ka ecje përpara, ka veç propagandë. Nuk ka as strategji pasi tani në gusht kanë shpallur tenderin 330.000 euro për strategji turizmi dhe ‘brand-i”. Problematikat e turizmit shqiptar janë bazike dhe të paimagjinueshme nga fqinjët, ndaj nuk i konkuron dot me asgjë përveçse me çmimet e ulëta dhe variacionet e zonave natyrore. Nuk ka një qytet bregdetar që të ketë ujë 24 orë. Nuk ka një qytet bregdetar që t’i ketë impiantet e ujërave të zeza 24 orë në punë. Nuk ka një qytet bregdetar që të mos ketë problem me rendin dhe qetësinë. Janë të përditshme ikja e dritave apo luhatjet e rënda të tensionit. Qeveria do të gënjejë veten apo disa militantë, le të vazhdojë”, shprehet Malltezi.
Muaji gusht s’ka shumë që ka filluar, por me këtë ritëm duket se do të mbarojë shpejt. E me gushtin do t’iki vapa si dhe pushimet për shqiptarët. Në shtator, do të fillojë përsëri axhenda e ngarkuar politike, pa të cilën ne “nuk jetojmë dot”. Deri atëherë, pushime të mbara!
Pano Soko: Prej varfërisë, shqiptarët pushojnë duke kursyer
Pano Soko, një prej ekonomistëve më të ndjekur për momentin, tregon për gazetën Mapo, vështirësitë që ka një familje normale për të bërë një javë pushime. Ai thotë se turizmi varet direkt nga ekonomia, të tjerat janë dytësore.
-Si paraqitet situata këtë vit për shqiptarët? Keni të dhëna sa përqind mund dhe sa nuk munden ti përballojnë një palë pushime?
-Nisur nga një anketim i bërë 2-3 muaj më parë, rezultonte se numri i shqiptarëve, të cilet deklaronin se përballonin të paktën një javë pushime, ishte në nivelet e 19%. Ndërkohë që 81% deklaronin se nuk përballonin dot një javë pushime, në Shqipëri apo jashtë vendit.
Personalisht, nisur nga vëzhgimet empirike që bëj, jam i predispozuar ta shoh si real konstatimin e anketimit. Duket se shqiptarët më tepër zgjedhin të pushojnë fundjavave, sesa në periudha të gjata. Dhe motivi, besoj unë, është shmangia e një prej shpenzimeve kryesore që është hoteleria. Pra shkojnë fundjavave në destinacione të afërta që mos paguajnë hotel. Pra duket se në thelb të sjelljes së pushuesve shqiptarë, këtë sezon, qendron kursimi.
-Duke krahasuar të ardhurat mesatare të familjeve shqiptare dhe çmimet, duke filluar që nga nafta, deri te dhoma dhe ushqimi, sa mund të kushtojnë një palë pushime 2 javore për një familje?
-Kjo është në varësi të buxhetit dhe gamës së aktiviteteve që mendon të kryesh kur je me pushime. Por në një llogari të thjeshtë, duke bërë hesap vetëm ‘paketën bazë’, për 1 javë pushime në det, në jug, kostoja për një familje prej 3 vetash do të ishte:
-udhëtimi 15.000 lekë
-akomodim 35.000 lekë
-ushqim (restorant) 50.000 lekë
-të tjera (shezllon, kafe, pije etj) 30.000 lekë
Në total një pushim një javor, për një familje prej 3 vetash, në nivel “bazë” shkon rreth 130.000 lekë të reja, ose rreth 350 euro për person.
Kjo shifër, për gjendjen e familjeve shqiptare, është realisht gati e papërballueshme.
Prandaj gjithnjë e më shumë shohim ‘modifikime’ të aktiviteteve që kryhen gjatë pushimeve. Si për shembull sivjet trendi ka qenë që pushuesit të shkonin drejt apartamenteve, të cilat iu japin mundesi të përgatisin ushqimin vetë, duke shmangur restorantin.
-Cilat janë problematikat kryesore të turizmit këtë vit?
-Problematikat e turizmit vazhdojnë të jenë po të njejtat që kanë qenë në vitet e fundit. Nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor. Problemi i turizmit është dhe mbetet ekonomia e familjeve. Nëse ekonomia është e mirë dhe turizmi shkon mirë. Nëse ekonomia shkon keq, i pari që goditet është turizmi. Të gjitha këto demonstrimet e pakënaqësive në rrjetet sociale vijnë si rezultat i pafuqisë ekonomike të shqiptarëve.
Pra kur nuk e përballojnë dot për shkak të të ardhurave të pakta, shqiptarët revoltohen dhe revoltën e shprehin me denoncime në rrjetet sociale. Nëse do ta përballonin, nuk do të kishim të tilla reagime.
Turizmi është tërësisht i varur nga ekonomia, kjo është ajo që duhet kuptuar. Çdo gjë tjetër është e një rëndësie dytësore.