Aktualitet

Një muaj pas hyrjes në fuqi, Rama zhbën përfundimisht marrëveshjen e 5 qershorit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:35 - 22/09/20 |
Armand Maho

Vetëm një muaj duket se ka zgjatur marrëveshja e 5 qershorit. Me propozimet e bëra nga PS ajo do të preket në plot gjashtë pika. Garancia që Rama iu dha në 16 korrik ndërkombëtarëve se “marrëveshja nuk preket”, rezulton një fjalë e shkelur. Sipas një vëzhgimi të MAPO marrëveshja preket në mënyrë të njëanshme në pjesën më të rëndësishme të saj, që janë nenet 67, 88, 90, 163, 164 dhe së fundmi me tentativën e ministres së Drejtësisë për të anuluar nenin 149. Opozita ka kërkuar sot mbledhjen e këshillit politik për të shpalosur qëndrimin e saj. Youri Kim: 5 qershori nuk mund të preket, cenohet rëndë besimi.


Nga Armand Maho


Pa bërë as një muaj nga hyrja në fuqi e neneve të reja të Kodit Zgjedhor të miratuar nën asistencën dhe garancinë e ndërkombëtarëve, Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë zhbërë përfundimisht marrëveshjen e 5 qershorit. Së bashku me nenin 149, ku Etilda Gjonaj ministre e Drejtësisë, propozoi ndryshimin e tij që sipas saj bie ndesh me Kushtetutën, numri i neneve që përmbysen duke shkelur marrëveshjen shkon në 6. Duhet pasur parasysh që për implementimin ashtu siç është, të marrëveshjes doli garant komuniteti ndërkombëtar.


Vetë Edi Rama, në fjalën e tij më 16 korrik në parlament kur propozoi ndryshimet kushtetuese, u shpreh se kjo marrëveshje nuk preket, por nuk harroi të jepte fjalën se ajo nuk do të preket në asnjë pikë. Në fakt nuk ka ndodhur kështu, por është prekur në plot gjashtë pika të saj me propozimet që ka bërë PS.


“Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të sajën. Mua marrëveshja e 5 qershorit nuk më pëlqen. Për mua, në atë marrëveshje ka një problem të madh, pasi nuk kemi arritur të adresojmë rekomandimin kryesor të OSBE\ODIHR, që është depolitizimi i administratës zgjedhore. Ne kemi qenë në vijueshmëri këmbëngulës dhe madje kemi thënë se ne do ta bëjmë depolitizimin do apo nuk do PD, por ajo që e dallon sistemin demokratik dhe bashkëjetesën pluraliste nga një sistem kur vendos vetëm një parti, duhet edhe të tërhiqesh dhe të pranosh çka nuk të pëlqen për hir të një interesi më të madh”, është shprehur Rama.


Por vetëm dy muaj pas kësaj deklarate duket se vetë kryeministri ka ndërruar mendje.

Kolegji zgjedhor

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, doli dje me një tjetër propozim. Sipas saj neni 149 i Kodit Zgjedhor, bie në kundërshtim me Kushtetutën. Bëhet fjalë për anëtarët e kolegjit zgjedhor, të cilët përjashtohen nga çdo masë disiplinore për aq kohë që janë në këtë detyrë. Gjonaj e pranon vetë, se ky nen është pjesë e marrëveshjes, e megjithatë kjo nuk e ka penguar që të kërkojë ndryshimin e tij. Ky nen u kërkua nga opozita me qëllim që anëtarët e kolegjit të cilët japin dhe gjykimin për zgjedhjet të ishin të imunizuar nga çdo lloj shantazhi që mund t’u vinte.

“Nëpërmjet këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ndalohet hetimi apo procedimi disiplinor i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, pavarësisht faktit që gjyqtarët mund të kenë kryer shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, për të cilat neni 140 i Kushtetutës parashikon marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra. Neni 140 i Kushtetutës ka përcaktuar se gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Po ashtu, ky nen ka përcaktuar që gjyqtari shkarkohet nga detyra kur kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës”, thotë në relacionin e saj zonja Gjonaj.

Por pavarësisht se zonja Gjonaj mund të ketë deri diku të drejtë, ka diçka që nuk shkon në deklaratën e saj. Kjo sepse, Ministria e Drejtësisë, nuk foli në momentin që u miratua marrëveshja e 5 qershorit, madje nuk propozoi as ndërhyrje në Kushtetutë për këtë qëllim. Rama e miratoi marrëveshjen më 23 korrik, pra Ministria e Drejtësisë dhe drejtoria e kodifikimit atje kanë pasur jo pak por 48 ditë kohë për të shprehur vërejtjet e tyre.

Një pikë tjetër, që nuk shkon në deklaratat e zonjës Gjonaj, është dhe fakti se më 30 korrik u miratuan dhe ndryshimet Kushtetuese, dhe nuk u dëgjua ndonjë propozim për ndërhyrje në Kushtetutë nga ana e saj, por as nga përfaqësuesi në Këshillin Politik Damian Gjiknuri, që ishte në dijeni të çështjes. Thjesht, deputetët votuan draftin e ndryshimeve sipas shijes së hartuesve.

Zhbëhen 6 nene

Por le t’iu kthehemi dhe një herë draft-propozimeve që Damian Gjiknuri, ka paraqitur në Këshillin Politik. Gazeta MAPO, përgjatë hulumtimit të saj ka konstatuar se ky draft e shkel marrëveshjen në 5 nene të saj, dhe janë nga nenet më të rëndësishme për zgjedhjet. Bëhet fjalë për nenin 67 pika 5 (e vetmja pikë që u ndërhy në marrëveshjen e qershorit), për nenin 88, nenin 90, nenin 163, nenin 164 të Kodit Zgjedhor që ka hyrë në fuqi më 19 gusht të këtij viti, pra vetëm një muaj më parë.

Neni 67 ndryshohet në të gjitha pikat e tij, pasi është pikërisht ky nen që përcakton renditjen në listat e zgjedhësve. Në marrëveshjen e qershorit kjo pikë ishte ajo që mbronte koalicionet, dhe daljen e partive me lista më vete.

“Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre. Për partitë pjesëtare të koalicionit, që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy”, thotë neni i miratuar me firmën e të dyja palëve, nën garancinë e ndërkombëtarëve.

Por ky nen është përfshirë në ndryshimet e propozuara nga PS. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me nenet 88, 90, neni 163 (edhe ky i ndryshuar tërësisht), neni 164 dhe së fundmi neni 149 i propozuar për ndryshim nga zonja Gjonaj e drejtësisë.

<
>
WhatsApp Image 2020-09-21 at 22.26.22 WhatsApp Image 2020-09-21 at 22.26.27 (1) WhatsApp Image 2020-09-21 at 22.26.25 WhatsApp Image 2020-09-21 at 22.26.26

Deklarata e Kim

Siç dhe e thamë më lart të gjitha këto janë nene të marrëveshjes së 5 qershorit, Kodi Zgjedhor më pas është çështje tjetër. Zonja Youri Kim, Ambasadorja Amerikane në Tiranë, u shpreh qartazi, se ajo, marrëveshja, është e patjetërsueshme. Madje tërhoqi vëmendjen se në rast se ajo preket është një shkelje e rëndë e besimit.

“5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Dhe mendoj që nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit”, është shprehur zonja Kim në një intervistë të saj të datës 10 korrik për gazetarin Sokol Balla.

Pra, jemi as më pak e as më shumë por përpara një fakti, që mazhoranca kërkon ta zhbëjë në themel marrëveshjen. Siç tha dhe zonja Kim prekja e saj, është shkelje e rëndë e besimit, dhe Rama nuk po e prek vetëm në një pikë, që gjithsesi do quhej shkelje e marrëveshjes, por në plot 6 nene.

Këshilli Politik

Nga ana e saj opozita ka kërkuar mbledhjen sot në orën 12 të këshillit politik. Burime pranë saj thanë për MAPO, se ajo vazhdon të mbetet konsistente në qëndrimet e saj, që do ja ripërsërisin dhe një herë përfaqësuesit të mazhorancës në këshill. Asistenca, ose mendimi i ODIHR në lidhje me propozimet e PS, si dhe mosprekjen e marrëveshjes së pesë qershorit. Për të parin, pra asistencën e ODIHR, është shprehur kundër kategorikisht e majta, me arsyetimin se opozita kërkon të vonojë procesin, ndërkohë që nuk kanë mbetur as tetë muaj deri në zgjedhje.

Kjo, është një arsye e pabazë pasi vetë mazhoranca ka shkelur rekomandimet OSBE–ODIHR, që rekomandon mos ndërhyhet në Kodin Elektoral, 1 vit para zgjedhjeve ndërsa ndryshimet kushtetuese për të përmbysur sistemin janë të pamendueshme. Sa për të dytën, vetë mazhoranca nuk është shprehur por faktet janë kokëforta. Rama dhe forca e tij politike, kërkojnë me çdo kusht grisjen e marrëveshjes së 5 qershorit, garancinë që ndërkombëtarët i dhanë opozitës për zgjedhje të lira.

 


Etiketa: , , ,

Pas