Nga Blendi Lami
Në Paris u mblodhën gjashtëdhjetë liderët botërorë, mes të cilëve kishte nga ata që bota u trembet, pasi zotërojnë fuqinë për të shpërthyer luftëra. Ata u larguan nga Parisi, me mesazhin se katastrofa të natyrës së Luftës së Parë Botërore mund të përsëriten, teksa në botë kemi një nacionalizëm në rritje. (Duhet të theksojmë se nacionalizmi ishte shtysa kryesore për shpërthimin e kësaj Lufte, pa dashur për t’u thelluar në detaje të tjera.) Kjo përkujtimore shërbeu gjithashtu për të vënë në dukje përçarjet në shoqërinë e sotme, kryesisht me bazë nacionaliste, që rrjedhin nga doktrina të caktuara politike. Ceremonia mund të përshkruhet si një pasqyrim i përplasjes së sotme mes mbrojtësve të globalizmit dhe atyre të populizmit.
Në librin e tij “Ne kundër atyre: Dështimi i globalizmit”, Ian Bremmer, president i Euroasia Group, shpjegon këtë çarje të botës së sotme, duke renditur pesë faktorë: pabarazia ekonomike, shoqëria dhe kultura, siguria, teknologjia dhe automatizimi. Përçarja, në nivel retorik politik, përdoret nga politikanët si formë e nocionit “ne kundër atyre”. Në gjithë këtë kontekst, përhapja e nacionalizmit luan rol vendimtar në këtë përçarje, teksa, sipas Bremmer, “nacionalizmi si një formë e nocionit ‘ne kundër atyre’, tenton të bashkojë pjesëtarët e një kombi kundër pjesëtarëve të kombeve të tjera”.
Presidenti francez e përdori në fjalimin e tij për të pasqyruar këtë përplasje dhe për të dhënë paralajmërimin – duke përdorur rastin e Luftës së Parë Botërore – se paqja është e brishtë dhe rreziqet e nacionalizmit janë të pranishme. Në prani të Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit – të cilët e kanë të mishëruar nacionalizmin në doktrinat përkatëse, Macron theksoi “se demonët e dikurshëm po ngjallen – të gatshëm për të rivalizuar me kaosin dhe vdekjen”.
Nuk është diçka e re që nacionalizmi përdoret si pjesë e doktrinave shtetërore. “America First”, e zbatuar nga Trump, është doktrina e politikës së jashtme amerikane që mbështetet kryesisht në nacionalizmin ekonomik dhe frenimit nga politikat internacionaliste. Por Trump po shërben tashmë si frymëzim për partitë politike me frymë nacionaliste. Me ndryshimin e politikës amerikane, Trump ka ndikuar edhe tek Orban në Hungari apo Salvini në Itali. Nga ana tjetër, elementi thelbësor i Putinizmit është nacionalizmi. Nacionalizmi rus synon unitetin kulturor të Rusisë, dhe lidhet ngushtë me pansllavizmin, i shfrytëzuar gjithashtu nga Perandoria ruse dhe Bashkimi Sovjetik. Në tentativën për të ringjallur të kaluarën e artë, Rusia tenton gjithnjë e më shumë për të institucionalizuar nacionalizmin, duke synuar mbushjen e vakumit ideologjik të krijuar nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
E gjitha kjo krijon konflikte mes kombeve, zgjimin e fantazmave të së kaluarës apo përplasje për përfitime politike.
Duke kapërcyer nga Parisi, një demonstrim i kësaj politike ndodhi edhe në një fshat krejt të panjohur në jug të Shqipërisë, disa ditë më parë, ku, siç thotë Macron, “u ngjallën demonët” e së kaluarës. Këta lloj nacionalistësh, siç shprehet Giedon Rachman në “Financial Times”, “janë të gatshëm të shfuqizojnë ligjet ndërkombëtare . . . madje të krijojnë anarki . . . dhe luftë të vërtetë”. Jemi në një situatë ku shtet-kombet e konsiderojnë njëri-tjetrin si rivalë për konflikt.
Duke marrë rastin e Bularatit dhe duke e kontekstualizuar në paradigmën e Bremmerit “ne kundër atyre”, në Greqi, “ne” janë grekët, ndërsa ata “janë” shqiptarët, ndërsa në Shqipëri “ne” janë shqiptarët, ndërsa “ata” janë grekët. Janë të shumtë ata që nënvlerësojnë një konflikt të armatosur, i cili ishte tepër i mundshëm ditën e varrimit të qytetarit që qëlloi mbi policinë. Dhe kjo gjë do të kishte shërbyer si shkëndijë për intensifikim të konfliktit.
Duke lënë mënjanë konfliktin e armatosur, mund të themi që përplasja “ne kundër atyre” kënaq politikanët që e shfrytëzojnë për të deformuar situatën sipas orekseve të tyre politike dhe elektorale.
Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë bie në kurthin e Ian Bremmerit “ne kundër atyre”, teksa deklaron se “ky ishte një spektakël që u orkestrua si një provokim agresiv dhe shndërroi një ceremoni funerale në një demonstrim kërcënues ndaj rendit kushtetues, të sigurisë dhe rendit publik të Republikës së Shqipërisë”. Shteti shqiptar, në dështim spektakolar për të parandaluar situata të tilla, vazhdon të reagojë pasi kryhet një incident. Është skandaloze të mendosh se dy ministri dështojnë të bëjnë punën e tyre – një dështim që njollos edhe të gjitha agjencitë e tjera në funksion të shtetit shqiptar. E thënë thjesht, Ministria e Rendit duhet të ndalonte paraprakisht organizimin e një demonstrimi të tillë, ndërsa Ministria e Jashtme duhet të ketë mësuar deri më tani se ekziston edhe diplomacia parandaluese, si një formë e frenimit të konflikteve. Pra shteti ynë, në vend që të bëjë punën, ushqen edhe më tej ndasinë e shqiptarëve në versionin “ne” dhe grekëve në versionin “ata”.
Nga ana tjetër, grekët e pasqyrojnë më së miri këtë ndasi. Për të treguar se “ne”, grekët, nuk gabojmë, dhe “ata”, shqiptarët, e kanë fajin. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë thotë se “në këtë moment sensitiv, parashikojmë që Shqipëria të frenohet nga deklarata dhe veprime që tendosnin marrëdhëniet tona”. Pastaj, ashpërson tonin duke kërcënuar “. . . asnjë nuk duhet të gabojë duke na e marrë maturinë për dobësi, dhe asnjë shtetas i huaj nuk mund të shkelë ligjin, traditat dhe mikpritjen e vendit tonë pa pasoja”.
Në botën e Trump, Le Pen, Orban etj., mes Shqipërisë dhe Greqisë është ngritur një mur. Nacionalizmi grek e ka ndërtuar tashmë, teksa e ka mishëruar edhe në doktrinë shtetërore, siç u demonstrua në Bularat dhe siç është demonstruar edhe më parë në shumë raste. (Të mos harrojmë se edhe ne kemi ngritur murin tonë kundër Greqisë; në mungesë të doktrinës, është më shumë është “mur reagues”). Nuk është i nevojshëm vetëm muri fizik që kërkon të ndërtojë Trump në kufi me Meksikën, muri virtual – në rastin tonë mes Greqisë dhe Shqipërisë – është po aq i rrezikshëm.