Mapo.al
Publikimi në gazetën Bild, më të madhen në Europë, përveçse nxori në sytë e mbarë opinionit një realitet të hidhur në Shqipëri, tregoi përmasat e dëmit që i është bërë vendit nga lidhja e politikës, e zyrtarëve, e qeverisë me krimin. Zor se dikush ndihet krenar sot, kur sheh se vendi ynë qeveriset me standarde të mafias. Përpos dëmit në imazh, ky bashkëpunim i krimit me politikën, ka sjellë dhe disa efekte të tjera anësore, ndoshta jo dhe aq të rendësishme, po për të cilat nuk flitet shumë. Ja një prej tyre.
Futja e bandave në lojën elektorale, ka dëmtuar rëndë votën, punën, mundin, historinë dhe vlerat e socialistëve të ndershëm. Partia Socialiste është një forcë e madhe politike në vend, tradicionale, dhe ka ditur të ketë në radhët e saj gjithnjë njerëz të mirë, të zotët, që kanë spikatur. Siç ka pasur edhe të shtrembër e të korruptuar, padyshim, si çdo parti tjetër.
Kjo parti, me një lider të mirë, me një program të mirë, dhe me një qeverisje të mirë, ka pasur, ka dhe do të ketë gjithnjë potencialin për të marrë mbështetje dhe për të fituar pushtetin. Eshtë një parti që gjenerohet dhe pasurohet me breza të rinj.
Çfarë ndodhi me Rilindjen dhe sidomos në zgjedhjet e 2017, ishte prishja e këtij rregulli. Pas mandatit të parë, nuk ka dyshim se Edi Rama do ta merrte dhe një mandat të dytë, edhe pse nuk shkëlqeu në qeverisje dhe pati mungesë bilanci. Por kishte ende një pritshmëri dhe socialistët ishin ende të motivuar.
Por Kryeministri shfaqi një ambicie tjetër. Ai nuk kërkoi mesa duket thjesht numrat për të qeverisur, ai kërkoi pushtet për të dominuar. Dhe për më tepër, tërësisht i vetëm, pa asnjë aleat tashmë. Ky oreks i ri, bëri që të kërkohej më shumë se sa vota tradicionale e të majtës, vota e simpatizantëve të PS. Dhe këtu hynë fuqishëm në lojë bandat dhe grupet kriminale.
Ato kanë aftësinë që në qytetet ku ushtrojnë aktivitetin e tyre, të bëjnë transformime të mëdha të vullnetit të qytetarëve. Jo vetëm duke joshur, blerë e marrë edhe me kërcënim, por sidomos, efekti i tyre më i fortë është tek atrofizimi i palës kundërshtare.
Ka pasur raste të njohura, që figura qendrore të PD-së, në disa qytete të rendësishme, nuk janë lejuar të qakullojnë lirisht. U është kërkuar të mbyllen brenda. Në kushtet kur ke përballë grupe kriminale famëkeqe, askush nuk është gati që për Partinë, të vërë në rrezik jetën e tij ose sigurinë e familjes.
Këto akte kanë krijuar atmosferë frike dhe trembje. PD në shumë vende si Shijaku, Sukthi, apo në zona ku influenca e të fortëve është determinuese, nuk ka arritur të ketë shpesh edhe komisionerë.
Kjo është e mjaftueshme për të shënuar humbjen e thellë të njërës palë, dhe automatikisht për të siguruar fitoren e tjetrës.
Me këto krime elektorale që kanë ndodhur, për fat të keq është ndotur, është bërë me njollë dhe vota dhe puna e socialistëve të ndershëm. Eshtë për të ardhur keq, sepse shumë syresh janë njerëz aktivë, punëtorë dhe e bëjnë me pasion aktivizimin nëpër lagje, rrugica, e njësi. Po mundi i tyre është vënë i tëri në dyshim. Ata tashmë, duhet ta shohin në sy këtë realitet e të reflektojnë. Janë ende në kohë për ta shpëtuar partinë e tyre.
Drejte!